Papa: për Jubileun, të anulohet ose të reduktohet borxhi i jashtëm i vendeve të varfra
R.SH. / Vatikan
“Një arkitekturë e re financiare ndërkombëtare e guximshme dhe krijuese”, e cila, në perspektivën e Jubileut 2025, çon në një moratorium mbi borxhin e jashtëm të vendeve më të varfra. Papa Françesku e kërkoi sërish, duke pritur, para audiencës së përgjithshme mëngjesin e sotëm, e mërkurë, 5 qershor, pjesëmarrësit në seminarin “Të përballohet kriza e borxhit në Jug të botës”, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave. I pranishëm, edhe kardinali kancelar, Peter Kodwo Appiah Turkson, organizator i dialogut për zbatimin e politikave që synojnë zgjidhjen e problemit të borxhit ndërkombëtar, i cili prek shumë vende në jug të botës, gjë që do të thotë miliona familje dhe njerëz.
Papa shpjegoi se "nuk është e mirë asnjë formë financimi", veç atyre që nënkuptojnë "ndarjen e përgjegjësisë" ndërmjet atij që merr e atij që jep ndihmë. Sepse, shtoi, përfitimi që mund të sjellë, varet nga kushtet e kredive, mënyra e përdorimit të tyre dhe konteksti në të cilin zgjidhet çdo krizë ekonomike dhe financiare e mundshme. Për më tepër, ngulmoi Françesku , "pas globalizimit të menaxhuar keq, pandemisë dhe luftërave, gjendemi përballë një krize borxhi, që prek veçanërisht vendet e jugut të botës e që krijon mjerim dhe ankth, duke i lënë miliona njerëz tepër larg nga mundësia për një ardhmëri të denjë”.
Vuajtjet, të papajtueshme me dinjitetin njerëzor
Duke qenë se asnjë qeveri nuk mund të pranojë moralisht që populli i saj "të vuajë nga flijime të papajtueshme me dinjitetin njerëzor", Papa mendon se është i nevojshëm "krijimi i një mekanizmi shumëkombësh, bazuar në solidaritetin dhe harmoninë ndërmjet popujve, i cili ka parasysh rëndësinë globale të problemit dhe implikimet e tij ekonomike, financiare e sociale” për të copëtuar rrethin vicioz të financimit që kthehet në borxh. Për më tepër, për ipeshkvin e Romës, mungesa e mekanizmave të kompensimit do ta favorizonte thirrjen "të shpëtojë kush të mundet”, gjatë së cilës "është gjithmonë më i dobëti ai, që humbet".
Busulla është doktrina shoqërore e Kishës
Kështu, pra, në vazhdën e magjisterit të paraardhësve të tij, Papa Bergoglio përsëriti nevojën për zgjidhje të frymëzuara nga parimet e drejtësisë dhe solidaritetit, duke vepruar me mirëbesim e vërtetësi dhe duke ndjekur një kod ndërkombëtar sjelljeje me standarde e vlerë etike, që mbrojnë negociatat. Vetëm dy ditë më parë, për shembull, gjatë takimit me pjesëmarrësit në "Dialogët për financa të qëndrueshme në mënyrë integrale", organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontifice, Papa e quajti magjisterin social të Kishës busull për reformën etike në fushën ekonomike dhe atë financiare. Megjithatë, sot përsëriti urimet e Shën Gjon Palit II për Vitin e Shenjtë 2000, në Letrën apostolike Tertio millennio adveniente (10 nëntor 1994) në përgatitje për Jubileun e Madh dhe i ripropozoi pesë vjet më vonë, pak para hapjes të Portës Shenjte, në audiencën e përgjithshme të 3 nëntorit 1999. Gjithashtu - nënvizoi Françesku - në këtë drejtim falja e borxheve në vitin jubilar ishte një traditë e popullit hebre. Për më tepër, Papa Wojtyła, duke besuar se çështja e borxhit të jashtëm ishte "jo vetëm e një natyre ekonomike", por që prekte edhe "parimet themelore etike", këshilloi që ajo "të gjente hapësirë në të drejtën ndërkombëtare" dhe e identifikoi Vitin e Shenjtë si rast të favorshëm për gjeste vullnetmira, si p.sh. shlyerja e “borxheve, ose të paktën, rduktimi i tyre”.
Borxhi i jashtëm dhe borxhi ekologjik
Duke i bërë jehonë kësaj thirrjeje të quajtur "profetike" dhe "sot më urgjente se kurrë", Françesku, që i quan borxhin ekologjik dhe borxhin e jashtëm, dy anët e së njëjtës medalje që hipotekojnë të ardhmen, kërkoi që Jubileu i 2025 t’i hapë mendjet dhe zemrat “t’i zgjidhin nyjet e atyre lidhjeve që mbysin të tashmen, pa harruar se ne jemi vetëm kujdestarë dhe administratorë”. Me pak fjalë, është ftesë e re për të ëndërruar dhe për të vepruar së bashku në ndërtimin e përgjegjshëm të shtëpisë së përbashkët, me vetëdijen se "askush nuk mund të jetojë atje me ndërgjegje të pastër kur e di se rrethohet nga "një mori vëllezërish të uritur" dhe motrash, të përjashtuara nga radhët e shoqërisë”.
Për më tepër: “Të lejosh që kjo të ndodhë është mëkat njerëzor”, përfundoi Papa Bergoglio - e, për ndokënd që nuk ka fe, mëkat shoqëror”.