Kërko

Papa pret Presidenten e Republikës Sllovake, Caputová

Presidentja e Republikës Sllovake, Zuzana Caputová në audiencë te Papa në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Pas takimit me Atin e Shenjtë biseda me kardinalin Parolin në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit; në takim, perspektivat e vendit europian pas “ngjarjes së trishtë të atentatit kundër kryeministrit” Robert Fico dhe të afrimit të zgjedhjeve evropiane.

R.SH. / Vatikan

Zgjati 25 minuta biseda e sotme ndërmjet Papës Françesku dhe Zuzana Caputová-s, presidente e Republikës së Sllovakisë, e pritur në audiencë në Pallatin Apostolik të Vatikanit me grupin, që e shoqëronte. Presidentja  e shtetit sllovak u takua edhe me sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Miroslaw Wachowski, nënsekretar për marrëdhëniet me shtetin.

Tema, në qendër të bisedës, sipas Sallës së Shtypit të Vatikanit, ishte perspektiva e Sllovakisë "në dritën e historisë së trishtë të sulmit kundër kryeministrit, ndryshimit të afërt të presidencës dhe afrimit të zgjedhjeve evropiane". Më pas u shpreh besimi se “paqja dhe harmonia do të forcohen në vend” - shtohet në deklaratë - duke nënvizuar se gjatë takimit “vëmendje e veçantë iu kushtua luftës në Ukrainë”.

Shkëmbimi i dhuratave

 Papa Françesku i dhuroi zonjës Zuzana Caputová një reliev bronzi, që paraqet lulen në gonxhe, me mbishkrimin: "Paqja është lule e brishtë". Nga ana tjetër, presidentja i dhuroi Papës një makinë shkrimi braille. Është  mjet i prodhuar në vendin europian, i cili u mundëson të verbërve të shkruajnë më shpejt me sistemin Braille.

Presidentja e Republikës Sllovake i dhuroi  Papës edhe pak verë me origjinë nga rajoni i vogël i Karpateve dhe tre trëndafila hekuri, në kujtim të tre të rinjve që vdiqën në një aksident ndërsa po shkonin për një takim dioqezan. 

Kryeministri Fico doli nga spitali

Dje kryeministri sllovak Robert Fico doli nga spitali ku ishte shtruar pas sulmit të 15 majit. Miriam Lapunikova, drejtoreshë e spitalit qendror në qytetin e Banska Bystrica, njoftoi se Fico, "pacient i disiplinuar", u mbart në shtëpinë e tij, në Bratislavë, ku do të vazhdojë rikuperimin. Kryeministri u plagos në bark nga një burrë, që e qëlloi teksa përshëndetej me një simpatizant në qytetin Handlova, në veri-lindje të kryeqytetit.

01 qershor 2024, 20:47