Kërko

 Thirrje për paqe mes flamujve të besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë Engjëllit Thirrje për paqe mes flamujve të besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë Engjëllit   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: qeveritarët duhet të shmangin konfliktin dhe të kërkojnë vendosmërisht paqen

Pas Engjëllit, Papa kërkoi të lutemi për Ukrainën, Palestinën, Izraelin dhe Republikën Demokratike të Kongos. Kujtoi edhe fratin françeskan Manuel Blanco, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë, në Romë. Shumë rrëfyes dhe predikatarë si ai, kujtoi Papa, e nderojnë Kishën e Romës

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku vazhdoi të kërkojë lutje për paqen, në përfundim të Engjëllit të Tënzot. I kërkoi dy herë për Ukrainën e martirizuar, “që vuan kaq shumë” e më pas, për veriun e Republikës Demokratike të Kongos si dhe për Palestinën dhe Izraelin. Papa shikoi një flamur që valëvitej ndërmjet besimtarëve të Izraelit, në Sheshin e Shën Pjetrit dhe kujtoi se e pa edhe këtë mëngjes të varur në një ballkon, ndërsa kthehej nga Kisha e Dyzet Martirëve dhe e Shën Pashkualit Baylon, në zonën Trastevere të Romës: “Është thirrje për paqe!" - theksoi!

 Të shmangim çdo veprim që nxit konfliktin

Papa kërkoi edhe ndërmjetësimin e Shpirtit Shenjt mbi të fuqishmit e tokës, që paqja të mund të diskutohet:

“Shpirti Shenjt i ndriçoftë mendjet e pushtetarëve, u dhëntë mençurinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë, për të shmangur çdo veprim apo fjalë që nxit konfliktin e, në vend të tij, të synojnë vendosmërisht zgjidhjen paqësore të konflikteve”.

Kujtimi i Atë Manuel Bianco

Nga dritarja e Pallatit Apostolik Françesku më pas kujtoi edhe rrëfyesin e tij, Atë Manuel Bianco-n, françeskan i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, i cili ndërroi jetë në mesnatën ndërmjet së enjtes 20, dhe mëngjesit të së premtes, 21 qershor, në moshën 85-vjeçare. Atë Manueli jetoi në Kishën e Shën Dyzet Martirëve dhe të Shën Pashk Bailonit, cituar  nga Françesku. Papa e quajti  "epror, rrëfyes, njeri i këshillit".

“Duke e kujtuar atë - pohoi - do të doja të kujtoja shumë vëllezër françeskanë, rrëfyes e predikatarë, që e nderuan dhe vazhdojnë ta nderojnë Kishën e Romës”.

23 qershor 2024, 14:37