Kërko

Papa: "Roma të jetë në shërbim të të fundmëve"

Papa, në vizitën e tij në Campidoglio, Bashkinë e Romës, kujtoi thirrjen universale të qytetit. Shprehu edhe dëshirën për të hapur një Portë Shenjte në burg. Për Romën është koha "e guximit, ekologjisë, paqes". Kryebashkiaku Roberto Gualtieri mirëpriti Papën Françesku në Campidoglio.

R.SH. /Vatikan

Papa gjatë vizitës së sotme në Campidoglio (Bashkinë) kujtoi historinë e Romës dhe kërkoi që qyteti të vazhdojë të tregojë "fytyrën e tij të vërtetë", mikpritës e bujar: fluksi i madh i shtegtarëve, turistëve dhe emigrantëve nuk duhet parë si barrë; çdo problem i Romës "është "e kundërta" e madhështisë së saj, dhe një faktor krize, mund të bëhet një rast zhvillimi". Papa falënderoi qeverinë italiane për "disponueshmërinë e plotë" të bashkëpunimit me autoritetet kishtare për suksesin e Vitit të Shenjtë Jubilar.

E nisën takimin me një bisedë të përzemërt, para se të dilnin për të përshëndetur popullatën e mbledhur në shesh para Bashkisë së Romës. Papa Françesku u rikthye për herë të dytë në bashkinë kapitoline të Romës, pas vizitës së vitit 2019, për të nënvizuar thirrjen universale të qytetit. Roma, qytet unik, që po përgatitet të jetojë jubileun e 2025-ës me arritje pozitive - shpjegoi Papa Bergoglio, “në pamjen e qytetit, duke përmirësuar dekorin e tij dhe duke i bërë shërbimet publike më efikase, jo vetëm në qendër, por duke favorizuar edhe afrimin e qendrës me periferinë”.

Në fjalimin mbajtur në Sallën Jul Çezari, Papa kujtoi se Jubileu është "ngjarje fetare, shtegtim lutjesh e pendese për të lypur nga mëshira hyjnore pajtimim e plotë me Zotin. Megjithatë, nuk mund të mos përfshijë edhe qytetin për sa i përket vëmendjes dhe punimeve të nevojshme për të mirëpritur shtegtarët e shumtë, të cilët do ta vizitojnë, duke i shtuar edhe turistët, që vijnë për të admiruar thesarin e tij të pamasë të veprave të artit dhe gjurmët madhështore të shekujve të kaluar".

Duke  shfletuar historinë e qytetit të Romës që  "lindi nga rrënojat e Trojës" – Papa deshi të nënvizonte karakterin e "rilindjes" së vazhdueshme të Romës dhe të vinte theksin mbi thirrjen e saj universale për mikpritjen. Roma e ka treguar gjithmonë veten, edhe në fazat më të fundit historike, me thirrjen e saj universale, siç e dëshmuan punimet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, me Vitet e ndryshme Shenjte, nënshkrimin e Traktatit për themelimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane, Traktatin që themeloi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Lojërat Olimpike të vitit 1960, organizatat ndërkombëtare, në veçanti FAO, të cilat e kanë selinë në Romë”.

E më pas, duke njoftuar se do të hapë një Portë Shenjte të Jubileut 2025 edhe në një burg, Papa uroi që «Roma, qytet me shpirt universal» ta vërë këtë shpirt «në shërbim të bamirësisë, në shërbim të mirëseardhjes dhe të mikpritjes. Shtegtarët, turistët, mërgimtarët, më të mjerët, më të varfërit, më të vetmuarit, të sëmurët, të burgosurit, të përjashtuarit qofshin dëshmitarët më të vërtetë të kësaj fryme. Dëshmofshin se autoriteti është plotësisht i tillë, kur vihet i tëri në shërbim të të gjithëve, kur përdor fuqinë e tij legjitime për të plotësuar nevojat e qytetarëve e, veçanërisht, më të ligshtëve, më të fundmëve".

"Roma vijoftë ta tregojë fytyrën e vet të vërtetë, derëhapur, mikpritëse, bujare, fisnike, tha Papa Françeskut gjatë vizitës së tome. Dyndja e madhe e shtegtarëve, turistëve dhe emigrantëve në qytet, me gjithë aspektin organizativ, mund të shihet si barrë, një barrë që ngadalëson dhe pengon rrjedhën normale të gjërave. Në të vërtetë, e gjithë kjo është Roma, veçantia e saj, unike në botë, nderi i saj,  forca e saj e madhe tërheqëse dhe përgjegjësia e saj ndaj Italisë, ndaj Kishës, ndaj familjes njerëzore".

10 qershor 2024, 12:04