Kërko

  Papa në sallën Clementine gjatë audiencës së sotme me ambasadorët e rinj (Vatican Media) Papa në sallën Clementine gjatë audiencës së sotme me ambasadorët e rinj (Vatican Media)  (Vatican Media)

Françesku: t’i lëmë mënjanë indiferencën dhe frikën, për ta bërë paqen të lulëzojë

Papa priti ambasadorët e rinj të Etiopisë, Zambisë, Tanzanisë, Burundit, Katarit dhe Mauritanisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e paraqitjes së letrave të tyre kredenciale. E kujtoi “tragjedinë e konflikteve” në Sudan, Ukrainë, Gaza dhe Haiti, së bashku me dramën e migrimit të detyruar.

R. SH. - Vatikan

Nga njëra anë, është një "familje kombesh" e copëtuar nga "tragjedia e konflikteve civile, rajonale dhe ndërkombëtare". Nga ana tjetër,  diplomacia që vepron në emër të së mirës së përbashkët, mbrojtjes së të drejtave themelore dhe ndërtimit të “kulturës së solidaritetit e të bashkëpunimit vëllazëror”. Papa Françesku nënvizoi këtë dikotomi në pritjen e sotme, 8 qershor, të gjashtë ambasadorëve të rinj, që paraqitën letrat e tyre kredenciale.

Bashkësia ndërkombëtare si "familje kombesh"

Përfaqësuesve diplomatikë të Etiopisë, Zambies, Tanzanisë, Burundit, Katarit dhe Mauritanisë, Papa u drejtoi tri fjalë udhëheqëse për shërbimin e tyre: familje, shpresë dhe paqe:

“Figura e familjes e zbatuar në bashkësinë ndërkombëtare është e përshtatshme, sepse familjet ‘janë vendi i parë në të cilin jetojnë e transmetohen vlerat e dashurisë dhe të vëllazërisë, të bashkëjetesës dhe të ndarjes, të vëmendjes dhe të kujdesit për të tjerët” (Letra Enciklike Fratelli tutti, 114).

Tragjedia e konflikteve në Ukrainë dhe Gaza

Detyra e diplomacisë - pohoi Françesku - është pikërisht ajo e “nxitjes dhe rritjes së këtyre vlerave”, të domosdoshme për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut dhe përparimin e popujve, sidomos në kontekste veçanërisht të vështira:

“Fatkeqësisht, struktura e familjes së kombeve sot është copëtuar nga tragjedia e konflikteve civile, rajonale dhe ndërkombëtare. Mjafton të mendojmë për atë që po ndodh në Sudan, Ukrainë, Gaza dhe Haiti, për të dhënë vetëm disa shembuj”.

Bota e copëtuar nga krizat humanitare, migrimet e detyruara, trafiku

Papa nuk harron “krizat e shumta humanitare” të pranishme në pjesë të ndryshme të botës, popullatat “pa strehim, pa ushqim, pa ujë dhe pa kujdesin e duhur mjekësor”. Po as migrimin e detyruar, “shuplakën e trafikimit të qenieve njerëzore”, efektet tragjike të ndryshimeve klimatike, “zhbalancimet ekonomike globale”, si dhe “rënien e lindjeve” në shumë vende.

Jini shenja shprese

Por përballë këtij skenari - vijoi Ati i Shenjtë - ne mund të përgjigjemi me "dialog largpamës, konstruktiv, krijues" e sidomos, me shpresë:

“Shpresa na ndihmon të njohim të tashmen e mirë në botë dhe na jep forcën e nevojshme për të përballuar sfidat e ditëve tona. Për këtë arsye, më pëlqen të mendoj për ju, të dashur Ambasadorë, si shenja shprese, sepse jeni gra dhe burra që përpiqeni të ndërtoni ura ndërmjet popujve, jo mure”.

Papa uron të krijohet "një shoqëri më e drejtë e më njerëzore, në të cilën të gjithë janë të mirëpritur dhe të gjithëve u jepen mundësitë e nevojshme për të ecur së bashku në rrugën e vëllazërisë dhe të bashkëjetesës paqësore". Paqja e njeh dinjitetin e tjetrit

E këtu hyn në lojë fjala e tretë prijëse, paqja, e kuptuar si "frut i marrëdhënieve që njohin dhe mirëpresin tjetrin, me dinjitetin e tij të patjetërsueshëm" (Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2024):

“Vetëm kur lëmë mënjanë indiferencën dhe frikën, mund të lulëzojë një klimë e vërtetë respekti reciprok, që çon në harmoni të qëndrueshme”. Prandaj, mandati që Papa Françesku ua beson ambasadorëve të rinj, është të jesh ndërtues i paqes, "shenjë kuptimplote e vullnetit të bashkësisë  ndërkombëtare" për të trajtuar padrejtësitë, diskriminimin, varfërinë dhe pabarazinë, që godasin botën.

Diplomatët e rinj - katër gra dhe dy burra - janë Mahlet Hailu Guadey (Etiopi), Macenje Mazoka (Zambia), Hassan Iddi Mwamweta (Tanzani), Annonciata Sendazirasa (Burundi), Asma Naji Hussain Al-Amri (Katar) dhe Mohamed Tahyas (Mauritania).

08 qershor 2024, 13:12