Papa: takimi me emigrantët, takim me Krishtin
R.SH. / Vatikan
U prek Papa, e me të edhe bota, në vitin 2017, kur disa përfaqësues të Veprimit Katolik i sollën si dhuratë një kopje të Besëlidhjes së Re dhe të Psalmeve, në anglisht, gjetur në fund të një varke emigrantësh, që vinte nga Lampedusa, Itali. Papa Françesku e pati puthur atë libër emigrantësh, të dëmtuar nga peripecitë e udhëtimit, por të palosur me kujdes në faqen ku ishte Psalmi 55: “Vërja veshin, o Zot, lutjes sime... Shqetësohem, në ankth, tronditur nga britmat e armikut. .. Më flakin me ligësi – e keqas me inat më sulmojnë”.
Kujtimi i atij çasti ndoshta u përtëri në mendjen e Papës kur hartoi Mesazhin për 110-vjetorin e Ditës Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, më 29 shtator të ardhshëm, me titull “Zoti ecën me popullin e tij”, në të cilin Papa Françesku - duke përsëritur edhe një herë se në fytyrën e emigrantëve është Krishti dhe duke ftuar “për të bërë Sinod” me ta - kujton se këta njerëz të ikur nga atdheu “e kanë Zotin shok udhe, udhërrëfyes dhe spirancë shpëtimi”. Të gjitha simbolet fetare të krishtera rishfaqen në kalimet dramatike. Sa Bibla, Ungjij, libra lutjesh dhe rruzare i shoqërojnë emigrantët në udhëtimet e tyre nëpër shkretëtira, lumenj e dete dhe në kufijtë e çdo kontinenti!
Për udhë, me kë braktis tokën e vet
Refugjatët ia besojnë veten Zotit para se të largohen nga Atmja: “I drejtohen Atij në situata nevoje. Tek Ai kërkojnë ngushëllim në çastet kur humbasin guximin! Falë Tij ndeshin samaritanë të mirë gjatë rrugës. Atij ia besojnë në lutje shpresat e tyre": “Në këtë Ditë kushtuar emigrantëve dhe refugjatëve, të mblidhemi në lutje për të gjithë ata, që u detyruan t’i braktisin trojet e tyre në kërkim të një jete më të denjë. Ta dëgjojmë njëri-tjetrin gjatë udhës me ta, ta bëjmë ‘sinodin’ së bashku”.
Sinodaliteti dhe migrimet
Migrimet dhe Sinodaliteti, një lidhje e padëgjuar, dy koncepte në dukje të kundërta. Në vend të kësaj, Papa - duke kujtuar takimin e parë të asamblesë së përgjithshme të zakonshme kishtare të Sinodit, e cila përfundoi në tetor 2023 pasi bëri të mundur thellimin e sinodalitetit "si udhëtim i përbashkët i Popullit të Zotit" - nënvizon se pikërisht "theksi i vënë në përmasën sinodale e ndihmon Kishën të rizbulojë natyrën e saj shëtitëse”. Natyrën, domethënë, shkruan Françesku, "pamjen e gjallë të popullit të Zotit përudhë drejt Mbretërisë së Qiellit": Shtegtimet e tyre të shpresës na kujtojnë se atdheu ynë është me të vërtetë në parajsë dhe se prej andej e presim Zotin Jezu Krisht si shpëtimtar”.
Sprovuar nga etja e uria, rraskapitur nga lodhja, tunduar nga dëshpërimi
Pamja e heksodit biblik dhe atij të emigrantëve, sipas Papa Françeskut, "kanë analogji të ndryshme". Ashtu si populli i Izraelit në kohën e Moisiut, edhe migrantët e sotëm "shpesh ikin nga situatat e shtypjes dhe të shpërdorimit, pasigurisë, diskriminimit, mungesës së perspektivës së zhvillimit". Dhe ashtu si hebrenjtë në shkretëtirë, “hasin shumë pengesa në udhëtimin e tyre: vuajnë nga etja dhe uria; rraskapiten nga lodhja dhe nga sëmundja e tundohen nga dëshpërimi”. Por realiteti kryesor i heksodit, i çdo heksodi, është se Zoti e paraprin dhe e shoqëron shtegtimin e popullit të tij dhe të të gjithë bijve të tij të çdo kohe e çdo vendi: "Prania e Zotit ndërmjet njerëzve është siguri e historisë së shëlbimit”, siguron Papa: Zoti jo vetëm që ecën me popullin e tij, por edhe në popullin e tij, në kuptimin se identifikohet me burrat dhe gratë që shtegtojnë nëpër histori, veçanërisht me të fundmit, të varfërit, të përjashtuarit, si zgjatje e misterit të Mishërimit.
Takimi me mërgimtarin, takim me Krishtin
Për këtë arsye - përsërit Papa - "takimi me mërgimtarin" është "dhe takim me Krishtin". E ka thënë vetë Jezusi: "Është Ai që troket në derën tonë i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur, duke kërkuar të takohet dhe të ndihmohet". E gjykimi përfundimtar i rrëfyer në kapitullin 25-të të Ungjillit të Mateut nuk lë asnjë dyshim: "Isha i huaj, e më pritët". Çdo takim, prandaj, është "rast i ngarkuar me shëlbim” sepse “në motrën a në vëllain nevojtar për ndihmën tonë", është i pranishëm Jezusi! “Në këtë kuptim, të varfërit na shpëtojnë, sepse na krijojnë mundësinë të takohemi me fytyrën e Zotit”.
Lutja e Papës
Në përfundim të Mesazhit të Papës për Ditën e ardhshme Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, një lutje, për këtë rast:
O Zot, Atë i gjithëpushtetshëm:
jemi Kisha jote shtegtare
në rrugë drejt Mbretërisë së Qiellit.
Jetojmë, secili në vendin e tij,
si të ishim të huaj.
Çdo tokë e huaj është atmja jonë,
dhe pse çdo atme, është tokë e huaj për ne.
Jetojmë mbi dhe, me shtetësi në parajsë!
Mos na lini të bëhemi padronë
të asaj pjese të botës
që Ti na e dhurove si shtëpi të përkohshme.
Ndihmona të jemi gjithnjë në shtegtim
me vëllezërit dhe motrat tona mërgimtare,
drejt strehës së amshuar, që na e përgatite.
Hapi sytë tonë dhe zemrat tona
në mënyrë që çdo takim me nevojtarët,
të jetë takim me Krishtin,
Birin tënd e Zotin tonë. Amen.