Papa takohet me meshtarët e Romës me shugurim nga 11 në 39 vjet
R.SH. - Vatikan
Sot pasdite, 11 qershor, rreth orës 15.30, Papa Françesku do të shkojë në Universitetin Papnor Salezian për t’u takuar në Sallën Pali VI me meshtarët, me shugurim nga 11 deri në 39 vjet. Gjithsej, do të marrin pjesë rreth pesëqind meshtarë, në praninë e ipeshkvit Baldo Reina, mëkëmbës i dioqezës së Romës dhe të ipeshkvit Michele Di Tolve, delegat i Sektorit për kujdesin ndaj diakonatit, klerit dhe jetës rregulltare. Pas takimit të 14 majit me priftërinjtë më të vjetër të dioqezës dhe atij të 29 majit të kaluar me më të rinjtë, vijojnë çastet e dëgjimit dhe të dialogut me klerin.
Shtyllat e dioqezës
“Janë njëzet vjet udhë meshtarake – vëren imzot Di Tolve. – Meshtarët ndërmjet vitit të njëmbëdhjetë dhe të tridhjetë e nëntë të shugurimit janë ata, që kanë përgjegjësi në dioqezë, sepse janë famullitarë, prefektë, kapelanë, drejtorë të zyrave të Kurias, merren me fusha specifike të kujdesit baritor si bamirësia, ose janë profesorë në shkolla dhe universitete. Mund të themi se janë shtyllat e jetës baritore dhe meshtarake të dioqezës, sepse atyre u besohen përgjegjësitë më të mëdha”.
Takimi i tretë me meshtarët e Romës
Sot pasdite, vijon ipeshkvi, është takimi i tretë me meshtarët e dioqezës në më pak se një muaj. “Ati i Shenjtë – shton ai – do të reflektojë për mënyrën si duhet të vijojnë këto marrëdhënie të vazhdueshme me meshtarët e tij, shumica e të cilëve tashmë janë angazhuar në aktivitete verore, aktivitete edukative si oratorë verorë dhe kampe. Është e rëndësishme të edukojmë pjesën më të re të dioqezës, sidomos në këtë kohë të veçantë, që Kisha e sheh si fitimprurëse për të vegjlit, për adoleshentët dhe fëmijët”.