Kërko

Papa, të rinjve të Azisë: jo diskriminimit, po afërsisë

Në lidhje të drejpërdrejtë përmes internetit, Françesku flet me studentë universitarë për nismën "Ndërtimi i urave në Azi e në Paqësor", organizuar dje pasdite nga Universiteti Loyola i Çikagos së bashku me Komisionin Papnor për Amerikën Latine. “Duhet të kemi gjithmonë shpresë”, ftesa në fund të një sërë pyetjesh dhe reflektimesh të propozuara nga të rinjtë.

R.SH. / Vatikan

Qëndroni gjithnjë besnikë bindjeve tuaja (...) e edhe nëse tundoheni të jetoni një fe të vakët, sepse të tjerët ju mundojnë, ju qëndrojini besnikë identitetit tuaj, të fortë si martirët e krishterë të persekutuar.

Ky mesazh ishte në qendër të fjalëve të Papës Françesku gjatë një dialogu me studentë të universitetit nga rajoni Azi-Paqësor, të cilët dje, e enjte, 20 qershor, po merrnin pjesë në takimin titulluar "Ndërtimi i urave në Azi e Paqësor", organizuar nga Universiteti Loyola i Çikagos dhe Komisioni Papnor për Amerikën Latine, në të cilin Papa mori pjesë në transmetim të drejtpërdrejtë.

Ishte Universiteti Loyola i Çikagos ai, që mori i pari inisiativën e Ndërtimit të Urave (BBI), një seri ngjarjesh të organizuara nga studentët dhe universiteti, frymëzuar nga thirrja e Françeskut për sinodalitet. Takimi i parë u zhvillua në shkurt 2022 me titull “Ndërtimi i urave Veri-Jug”. I dyti, "Ndërtimi i urave nëpër Afrikë", u zhvillua në nëntor të të njëjtit vit dhe përfshiu studentë nga e gjithë Afrika Sub-Sahariane. Kjo ngjarje ndoqi një model të ngjashëm, por ndryshe nga të mëparshmet, pati pjesëmarrjen e Papës.

Ndërmjet të pranishmëve në këtë takim të fundit sinodal ishin studentë universitarë, të angazhuar në fusha të ndryshme, nga Universiteti Ateneo de Manila (Manila, Filipine), nga Universiteti Katolik Australian (Brisbane, Australi), nga Universiteti Katolik Fu Jen (Taipei, Tajvan), Universiteti Sogang (Seul, Koreja e Jugut), Universiteti Sophia (Tokio, Japoni) dhe Universitas Sanata Dharma (Yogyakarta, Indonezi). Morën pjesë edhe studentë nga Singapori, Timor Leste dhe Papua Guinea e Re, kombe që Ati i Shenjtë do t’i vizitojë gjatë udhëtimit të tij apostolik në Azi dhe Oqeani, shtatorin e ardhshëm.

Kërkojini të tjerëve t'ju ndihmojnë në ligështinë tuaj

Papa Françesku e nisi takimin, duke përshëndetur ngrohtësisht të pranishmit në spanjisht dhe duke kërkuar falje që mbërriti pak me vonesë. Studentët iu paraqitën Papës dhe propozuan reflektime, të cilave ai iu përgjigj me këshilla, shqetësime dhe sugjerime. Ati i Shenjtë Bergoglio i foli grupit të parë të të rinjve për ndjenjën e “përkatësisë” ndaj shoqërisë duke theksuar se ndikon fuqimisht mbi sigurinë dhe dinjitetin tonë njerëzor. Të gjithë këta faktorë - vuri në dukje - "na shpëtojnë nga ligështia, sepse sot të rinjtë janë shumë të pambrojtur. Ne duhet ta mbrojmë gjithmonë këtë ndjenjë përkatësie, për të shmangur çdo lëndim". "Shiko - këshilloi - ku je më i pambrojtur dhe kërko dikë, që të të ndihmojë".

Madhështia e gruas nuk duhet harruar kurrë

Papa foli edhe për shëndetin mendor, diskriminimin, stigmatizimin dhe identitetin dhe i ftoi të pranishmit të dëshmojnë dhe të ecin përpara. “Përqendrohuni tek identiteti juaj” - i këshilloi - duke inkurajuar të gjithë të pranishmit që të bashkëpunojnë gjithmonë me njëri-tjetrin dhe të qëndrojnë të bashkuar. Papa denoncoi të gjitha njollat, që e poshtërojnë dinjitetin e njerëzve. U ankua edhe për faktin se gratë ndonjëherë konsiderohen qytetare të dorës së dytë, gjë që – kujtoi - nuk është aspak e vërtetë. "Madhështia e grave nuk duhet harruar. Gratë janë më të mira se burrat për sa i përket intuitës dhe aftësisë për të ndërtuar bashkësinë" – kujtoi - duke vlerësuar cilësitë dhe aftësitë e posaçme të grave.

Jo përjashtimit dhe stigmatizimit

 Pastaj i ftoi studentët të tregojnë afërsi dhe dashuri me njëri-tjetrin dhe të mos përjashtojnë asnjëherë askënd. Duke kujtuar fjalët e një studenti, që foli për gjininë, e duke përmendur gjithashtu shkallën e lartë të HIV-it në Filipine, Papa tha: "Ne duhet të sigurojmë që kujdesi shëndetësor të jetë i përgatitur për t’i trajtuar dhe për t’i ndihmuar të gjithë njerëzit, pa përjashtime". Françesku foli gjithashtu për edukim efektiv i cili, sipas tij, kërkon "edukimin" dhe "koordinimin" e "zemrave, mendjeve dhe duarve tona". Kështu duhet t’i edukojmë të rinjtë - theksoi - duke nënvizuar se kjo dinamikë nuk duhet harruar kurrë.

Zemrat e lidhura me lutjen dhe të tjerët

Papa e kupton se sa e vështirë mund të jetë për të rinjtë e krishterë të marrin pjesë në shoqëri dhe t’i "përkasin" asaj. Në dritën e këtij realiteti, i nxiti të mbahen fort pas besimit të tyre dhe t'i kenë gjithnjë zemrat të lidhura me lutjen. Kjo - pohoi - do t'ju ndihmojë në këtë drejtim dhe do t'ju lejojë të angazhoheni gjithmonë me të tjerët.

Besnikë ndaj fesë, refuzojeni krishterimin e holluar

Ati i Shenjtë më pas foli për faktin se, në disa raste, të rinjtë tallen ose merren në pyetje për fenë e tyre. "Jini gjithmonë të vendosur në bindjet tuaja" - i këshilloi - duke paralajmëruar të ruhen nga izolimi, i cili -  paralajmëroi - mund të çojë në zakone dhe probleme të këqija.

Për këtë arsye Papa nënvizoi rëndësinë që ka edukimi fetar dhe dëshira për të qenë të krishterë “të vërtetë”. “Fakti është ky: të krishterët janë persekutuar që në fillim”- shtoi - duke theksuar se ky fenomen nuk është i ri. "Megjithëse mund të jetë joshëse të kemi një krishterim të holluar, spirilang" - tha përsëri Papa - ne nuk mund t'i dorëzohemi. Përkundrazi, "duhet të jemi të patundur dhe, në këtë kuptim, të përjetojmë një lloj martirizimi,

 “Sëmundja” e ideologjisë

Së fundi, Papa bëri thirrje për ndërgjegjësim më të madh lidhur ndaj tragjedive të së kaluarës, për të nxjerrë mësime për të ardhmen dhe për të punuar për paqen. "Ideologjia është sëmundje" – paralajmëroi - duke u kërkuar të gjithëve të krijojnë harmoni dhe të dialogojnë me kulturat e tjera. “Jo luftës” - u tha - duke bërë thirrje për paqe. “Në një botë të dëshpëruar dhe të pashpresë,  duhet t’i ruajmë vlerat tona” - shpjegoi – duke i ftuar studentët e pranishëm të punojnë në këtë aspekt, përpara se t'i falënderojë për angazhimin e tyre.

Françesku përfundoi duke i falënderuar studentët për lidhjet e tyre miqësore e edhe për ndihmën që i dhanë për t’i kuptuar, veçanërisht ndërsa përgatitet për shtegtimin e tij të ardhshëm në rajonin e tyre. Pastaj u dha bekimin apostolik.

Ndërtimi i urave nis nga secili prej nesh

Zyra të ndryshme të Vatikanit bashkëpunuan për nismën, duke përfshirë Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, Dikasterin për Komunikimin, Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën, Dikasterin për Arsimin dhe Kulturën dhe Seksionin për Ungjillëzimin e Hershëm dhe Kishat e reja të veçanta të Dikasterit. Dialogut të Papës me të rinjtë i paraprinë përshëndetjet e organizatorëve, duke përfshirë atë të Sekretarit të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, Dr. Emilce Cuda dhe, nëpërmjet mesazheve video të kardinalit Farrell, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, ndjekur nga ajo e Imzot Luis Marín de San Martín, O.S.A., nënsekretar i Sinodit të Ipeshkvijve.

Kardinali Farrell u bëri thirrje studentëve të ndjekin shembullin e Jezusit në ndërtimin e urave dhe u kujtoi se ndërsa e jetojnë realitetin e privilegjuar të studentit të kolegjit, ekziston një botë e ngarkuar me urrejtje, luftë dhe vuajtje. Prandaj i ftoi të pranishmit të praktikojnë mirësinë, kujdesin dhe mirëkuptimin, në planin personal para së gjithash, sepse në të kundërt - theksoi -  nuk mund të presim që të njëjtën gjë të bëjnë edhe ata të niveleve më të larta.

Ipeshkvi Marín foli fjalë inkurajuese, duke ftuar për të "krijuar lidhje, për të shembur mure dhe për të ndërtuar ura" nën shenjën e shpresës dhe të ripërtëritjes. Ndërsa pjesëmarrësit prisnin ardhjen e Papës, Doktoresha Cuda lexoi një letër nga prefekti i Dikasterit të Kulturës dhe Arsimit të Vatikanit, kardinali José Tolentino de Mendonça, i cili nënvizonte se ndërtimi i urave mund të jetë sfidues dhe mund të hasë beteja dhe rezistencë, por ia vlen gjithmonë, sepse ne jetojmë dashurinë, që na mësoi Jezusi.

21 qershor 2024, 12:44