Kërko

Françesku: thirrje e re për paqen, bota vuan tepër nga luftërat

Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, thirrje e re e Françeskut për paqen në Ukrainë, Palestinë, Izrael, Mianmar e në mbarë botën!

R.SH. / Vatikan

Një lajm i ri na vjen, ndërsa jemi në muajin qershor, kushtuar tradicionalisht Zemrës së Krishtit. Papa Françesku na kujton se festa e Zemrës së Shenjtë dhe kujtimi i Zemrës së Papërlyer të Marisë, të cilën Kisha po përgatitet ta festojë në ditët në vijim, "na kujtojnë nevojën për t'iu përshtatur dashurisë shëlbuese të Krishtit dhe na ftojnë t'ia besojmë gjithë vetveten ndërmjetësimit të Nënës së Zotit".

E në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa e përsëriti thirrjen për paqe. E na kërkoi që të lutemi kështu:

“T’i lypim Zotit paqen me ndërmjetësimin e Nënës së tij. Paqe në Ukrainën e martirizuar, paqe në Palestinë, në Izrael, paqe në Mianmar... Të lutemi që Zoja të na japë dhuratën e paqes dhe që bota të mos vuajë më kaq shumë nga luftërat”.

Përshëndetje në arabisht dhe gjermanisht

Duke iu drejtuar besimtarëve arabishtfolës, Papa Françesku, që sapo kishte përshëndetur, veçanërisht ata që vinin nga Iraku nga Katedralja Kaldease e Shën Jozefit në Ankawa, kujtoi se "ashtu si era që lëviz gjethet, po ashtu edhe Shpirti Shenjt i lëviz shpirtrat tanë, duke na prirë drejt dritës".

E, në përshëndetjen drejtuar besimtarëve, që flasin gjermanisht, kujtoi se sot Kisha kremton festën e Shën Bonifacit, apostullit të Gjermanisë:

“Mirënjohës për historinë e gjatë dhe të frytshme të fesë në trojet tuaja -  kujtoi - i lutemi Shpirtit Shenjt ta mbajë gjithmonë të gjallë tek ju fenë, shpresën e dashurinë”.

05 qershor 2024, 12:51