Papa: lufta kundër drogës, betejë për dinjitetin njerëzor

"Lufta kundër drogës është betejë për dinjitetin njerëzor dhe shpresë për ardhmerinë më të mirë". Këtë theksoi Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Ditës së sotme Botërore kundër shpërdorimit dhe trafikut të paligjshëm të drogës. “Kësaj murtajeje” Ati i Shenjtë Françesku ia kushtoi edhe katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme.

R.SH. / Vatikan

“Përballë situatës tragjike të varësisë së miliona njerëzve nga droga në mbarë botën, e përballë shkandullit të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogave, nuk mund të jemi indiferentë. Me rastin e ditës botërore kundër drogës dhe trafikut të sotëm të paligjshëm të saj, Papa Françesku ia kushtoi kësaj plage katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkures, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Tema e Ditës së sotme Botërore kundër abuzimit me drogën dhe trafikimit të paligjshëm, themeluar nga OKB-ja në 1987 është: "Provat janë të qarta: duhet të investojmë në parandalim".

Shën Pali, Korintasve

Leximi që i paraprin reflektimit të Papës, është marrë nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve:

"Gjithçka më lejohet! Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka është e lejuar për mua! Po, por nuk do ta lejoj të më sundojë! Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin! Po, por Zoti do të shkatërrojë këtë dhe atë. Trupi nuk është për papastërtinë, por për Zotin, dhe Zoti është për trupin. Hyji, që ringjalli Zotin, do të na ringjallë edhe ne me fuqinë e tij”.

Çdo njeri ka dinjitetin e birit të Zotit

Nëse, siç pati pohuar Shën Gjon Pali II, shpërdorimi i drogës dëmton çdo bashkësi në të cilën është e pranishme, Papa Françesku na kujton se vëmendja i takon njeriut, që e përdor. E, duke cituar atë që u tha pjesëmarrësve në takimin e organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave më 24 nëntor 2016, shprehet kështu:

“Çdo i droguar mbart me vete një histori të ndryshme personale, e cila duhet dëgjuar, duhet kuptuar, duhet dashur dhe, sa më shumë që të jetë e mundur, duhet shëruar e duhet pastruar. (...). E do të vazhdojnë të kenë më shumë se kurrë dinjitet, si njerëz që janë bijtë e Zotit. Të gjithë kanë një dinjitet".

T’i jepet fund prodhimit dhe trafikut

Papa citon më pas fjalët e ashpra të Benediktit XVI, i cili u bëri thirrje trafikantëve të reflektojnë "për dëmin që po i bëjnë një morie të rinjsh dhe të rriturish", duke pasur parasysh se Zoti do t'u kërkojë llogari. “Janë vrasës” - pohon Françesku, i cili më pas ndalohet tek rruga që duhet ndjekur për ta luftuar përdorimin e drogës:

Reduktimi i varësisë nga droga nuk arrihet duke liberalizuar konsumin e saj - kjo është fantazi - siç është propozuar ose zbatuar tashmë në disa vende. Liberalizohet dhe konsumohet më shumë. Duke ditur një mori historish tragjike të narkomanëve dhe familjeve të tyre, jam i bindur se është moralisht e nevojshme t'i jepet fund prodhimit dhe trafikimit të këtyre substancave të rrezikshme. Sa trafikantë vdekjesh ka - sepse trafikantët e drogës janë trafikantë vdekjesh - sa trafikantë vdekjesh ka, të nxitur nga logjika e pushtetit dhe e parasë me çdo kusht!”.

Parandalimi, hap i parë i kundërvënies

Françesku e dënon "logjikën me çdo kusht të pushtetit dhe të parasë", që i shtyn trafikantët të mbjellin vdekje dhe e shikon parandalimin si "mënyrë prioritare" për të luftuar shpërdorimin me drogën. E, duke u mbështetur në përvojën e tij personale, shton:

“Në udhëtimet e mia ndër dioqeza dhe vende të ndryshme, pata mundësi të vizitoja bashkësi të shumta shërimi, të frymëzuara nga Ungjilli. Janë dëshmi e fortë dhe shpresëdhënëse e përkushtimit të priftërinjve, rregulltarëve dhe laikëve për të vënë në jetë shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë. Po kështu, u ngushëllova nga përpjekjet e konferencave të ndryshme për trajtimin e njerëzve të varur nga përdorimi i drogës dhe parandalimin e kësaj plage”.

Lutja dhe zotimi kundër drogës

Papa kujton si shembull rrjetin 'La Pastoral Latinoamericana de Acompañamiento y Prevençión de Adicciones' (PLAPA) i cili shkëmben përvojën dhe vështirësitë në luftën kundër drogës, e edhe ipeshkvijtë e Afrikës Jugore që, në nëntor 2023, organizuan një takim me temë: "T’u japim forcë të rinjve, si veprimtarë të paqes dhe të shpresës”. Askush nuk mund të qëndrojë indiferent, thekson Papa, përballë “situatës tragjike të varësisë nga droga” dhe “shkandullit të prodhimit dhe të trafikut të paligjshëm”.

Modeli ynë është Jezusi

Duke përsëritur çka pati shkruar në Mesazhin drejtuar pjesëmarrësve në Kongresin e 60-të Ndërkombëtar të Toksikologëve Ligjorë, më 26 gusht 2023, Papa përsërit:

“Në stilin e afërsisë së Jezusit, edhe ne jemi të thirrur të veprojmë, të ndalemi përpara situatave të brishtësisë dhe të dhimbjes, ta dëgjojmë britmën e vetmisë dhe të ankthit, të përkulemi, për t'i ngritur përsëri dhe për t’i rikthyer në jetën e re ata që bien në skllavërinë e drogës”.

Papa përfundoi duke na ftuar të lutemi për "kriminelët, të cilët shpenzojnë dhe u japin drogë të rinjve".

E ripohoi: "Janë kriminelë, janë vrasës. Të lutemi për pendimin e tyre".

26 qershor 2024, 11:29

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >