Samiti për paqe, India, Brazili e vendet tjera të Jugut Global nuk nënshkruajnë dokumentin përfundimtar

Samiti për paqen në Ukrainë, i cili u zhvillua në Zvicër, në mungesë të Moskës dhe Pekinit, përfundoi me një deklaratë përfundimtare, e cila rikonfirmon integritetin territorial të Ukrainës, bën thirrje për shkëmbimin e robërve të luftës dhe kthimin e fëmijëve të deportuar në Rusi. Por disa vende nuk e kanë nënshkruar atë. Në fjalën e saj, kryeministrja e Italisë Meloni kujtoi se “paqe nuk do të thotë dorëzim”. Mes të pranishmëve, edhe Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.

R.SH. / Vatikan

Samiti për paqen në Ukrainë, i cili u zhvillua në Zvicër, në mungesë të Moskës dhe Pekinit, përfundoi me një deklaratë përfundimtare, e cila rikonfirmon integritetin territorial të Ukrainës, bën thirrje për shkëmbimin e robërve të luftës dhe kthimin e fëmijëve të deportuar në Rusi. Por disa vende nuk e kanë nënshkruar atë. Në fjalën e saj, kryeministrja e Italisë Meloni kujtoi se “paqe nuk do të thotë dorëzim”.

Rusia është e gatshme për armëpushimin dhe fillimin e negociatave, nëse trupat ukrainase tërhiqen plotësisht nga rajonet e Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias, Khersonit dhe Kievit. Do të angazhohet edhe për të mos u anëtarësua në NATO. Ky është propozimi i presidentit rus Vladimir Putin. Ndërkohë në Zvicër u hap dje, më 15 qershor, samiti i parë i paqes për Ukrainën, por pa Rusinë, Kinën dhe vendet Brics (pesë vendet: Brazili, Rusia, India, Kina e Sudafrika).  

Samiti në Zvicër

Më shumë se 50 krerë shtetesh dhe qeverish u takuan në Bürgenstock, në Zvicër, deri sot, e diel, për të hedhur themelet për një rrugë paqeje, që përfshin edhe Moskën. Mes të pranishmëve, edhe Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin. Takimi synonte në gjente tema të përbashkëta, duke filluar nga plani i paqes me dhjetë pika i Zelensky-t, hartuar në fund të vitit 2022, dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara për luftën, që kaluan me mbështetje të gjerë. Samiti synoi të gjente shtigje drejt paqes së qëndrueshme për Ukrainën, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Në sfondin e strategjive diplomatike, organizatorët paraqitën tri pika të rendit të ditës: sigurinë bërthamore në termocentralin Zaporizhzhia, të kontrolluar nga Rusia, ndihmën humanitare dhe shkëmbimin e robërve të luftës. Siguria globale e ushqimit, e cila është vënë në rrezik nga ndalimi i eksporteve të grurit të Ukrainës përtej Detit të Zi, ndërkohë fton Rusinë dhe Ukrainën "të takohen në gjysmë të rrugës" dhe "të fillojnë menjëherë negociatat e paqes, për të arritur armëpushimin dhe për t'i dhënë fund luftës". Kështu deklaroi zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mbledhur me kërkesë të Rusisë në prag të samitit të paqes në Zvicër.

Reagimet

Për zëdhënësin e Kremlinit, kushtet e paraqitura nga presidenti rus Putin për përfundimin e konfliktit në Ukrainë "nuk janë ultimatum, por iniciativë paqeje, që pasqyron situatën aktuale në terren”. Për Moskën, Kievi duhet të ketë parasysh se rrethanat" mund të ndryshojnë dhe se ka rreth 700 mijë ushtarë rusë në zonën e operacioneve speciale ushtarake në Ukrainë. Zelensky hedh poshtë kërkesat e Rusisë për t'u tërhequr nga katër rajone të Ukrainës, duke i quajtur 'ultimatum i rremë'.

Thirrja e G7

Krerët e shteteve dhe të qeverive të shtatë vendeve më të industrializuara në botë, mbledhur në Pulia, këmbëngulin që Rusia të ndalojë agresionin dhe të paguajë dëmet e luftës. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, megjithatë, tha se ishte i gatshëm të bisedonte me Putinin, por vetëm kur të ishin kushtet e duhura për të diskutuar një paqe të drejtë për Ukrainën. Vendet e Bashkimit Evropian nuk ia arritën të bien dakord për sanksione të reja kundër sektorit të gazit natyror të lëngshëm të Rusisë, me Gjermaninë që kundërshton marrëveshjen, sepse e dëmshme për ekonominë e Berlinit. Më në fund, liderët e G7 bëjnë thirrje për armëpushim olimpik, në prag të Lojërave të Parisit, planifikuar për në korrik.

16 qershor 2024, 13:57