Papa, sytë e refugjatëve na kërkojnë të mos e mohojmë njerëzimin tonë
R.SH. / Vatikan
“Fytyrat, sytë e refugjatëve na kërkojnë të mos shikojmë nga ana tjetër, të mos e mohojmë njerëzimin që na bashkon, t’i bëjmë tona historitë e tyre dhe të mos harrojmë tragjeditë e tyre”. Kështu pohon Papa Françesku në platformën X, sot më 20 qershor, me rastin e Ditës së sotme të Refugjatëve, të cilën OKB-ja i kushton të gjithë atyre, që detyrohen të lënë shtëpinë e tyre, për shkak të konflikteve të persekutimeve. Mikpritja, integrimi i refugjatëve do të t'u sigurohet atyre mundësitë për fillimin e jetës nga e para, në një vend të ri.
Impenjimi i Kishës Katolike
Kisha Katolike impenjohet vazhdimisht në favor të refugjatëve, duke filluar nga mikpritja e integrimi i tyre, por edhe nga shoqërimi baritor, sidomos për ata, që janë viktima të trafikimeve të ndryshme. Papa Françesku deshi me forcë seksionin për Migrantët e Refugjatët në Dikasterin të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. “T’ua hapim zemrën refugjatëve, ta bëjmë tonin trishtimin dhe gëzimin e tyre, të mësojmë nga guximi me të cilin nuk dorëzohen. Kështu, të gjithë së bashku, do të krijojmë një bashkësi më njerëzore, një familje të vetme e të madhe”, pati kërkuar Papa Bergoglio vitin e kaluar me rastin e kësaj dite.
Të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për migrantët dhe refugjatët
Janë më se të njohura tashmë fjalët, që Papa Françesku i lidh me mikpritjen, duke filluar nga “mirëpritja”, që do të thotë “t’u japësh migrantëve dhe refugjatëve mundësi më të mëdha për hyrje të sigurt dhe të ligjshme në vendet e destinacionit”. Pastaj, “mbrojtja, e cila shprehet në një sërë veprimesh në mbrojtje të të drejtave dhe të dinjitetit të migrantëve dhe refugjatëve”; e, më tej, “promovimi, pra, të punohet që të gjithë migrantët dhe refugjatët, si edhe bashkësitë që i mirëpresin, të kenë kushtet për t’u realizuar si njerëz”; së fundi, “integrimi, që ka të bëjë me mundësitë për pasurim ndërkulturor, të krijuara nga prania e emigrantëve dhe e refugjatëve”.