Kërko

Campidoglio Campidoglio 

Roma, "qyteti i urave, kurrë i mureve"

Më 10 qershor Papa Françesku do të bëjë një vizitë në Campidoglio, pas asaj të vitit 2019. L'Osservatore Romano kujton çaste të ngjashme të paraardhësve të tij

R. SH. - Vatikan

“Roma, qyteti i urave, asnjëherë i mureve!”: ishte data 26 mars 2019 kur Papa Françesku i shqiptoi këto fjalë, gjatë vizitës së tij të parë në Kodrën e Campidoglio-s. Urim, që do ta shoqërojë edhe nesër, 10 qershor, kur do të pritet sërish në selinë e administratës së Campidoglio-s në majë të udhës së shkallëzuar projektuar nga Michelangelo. Vizitë, që do të zgjasë rreth dy orë: do të ketë një takim privat të Papës me kryetarin e bashkisë, Roberto Gualtieri, pasuar nga fjalimi i Papës në sallën Julius Caesare dhe disa fjalë përshëndetëse për qytetarët dhe punonjësit e Campidoglios..

E hëna do të jetë rikthim në Piazza del Campidoglio: këtu, në tetor 2020, Françesku mori pjesë në takimin e lutjes për paqen, përgatitur nga Bashkësia e Shën Egjidit.

Para Jorge Mario Bergoglio-s, Papë të tjerë u ngjitën në shkallët e famshme: i Lumi Piu IX bëri një ndalesë të shkurtër në Piazza del Campidoglio më 16 shtator 1870, pas një vizite në bazilikën Ara Coeli. Katër ditë më vonë, Porta Pia hyn në histori, duke shënuar pushtimin e Romës nga shteti italian. Ngjarje e kujtuar nga Kryeipeshkvi i atëhershëm, Kardinali i Milanos Giovanni Battista Montini, i cili më 10 tetor 1962, në prag të përurimit të Koncilit II të Vatikanit, mbajti një fjalim të paharrueshëm pikërisht në Campidoglio: fundi i pushtetit shekullar të Papëve - kujtoi - "që dukej si shembje e ishte për sundimin territorial papnor, por Provania i kishte rregulluar gjërat ndryshe, duke luajtur pothuajse në mënyrë dramatike me ngjarjet". Pikërisht atëherë, “Papa i rifilloi me një vrull të pazakontë funksionet e tij si Mjeshtër i jetës dhe dëshmitar i Ungjillit, në mënyrë që  ngrihej në lartësi të tilla në qeverisjen shpirtërore të Kishës dhe në rrezatimin moral në botë, si asnjë herë më parë”. Kjo ngjarje e ndryshoi Romën, Italinë dhe vetë Kishën, duke nisur një histori të re.

Katër vjet më vonë, i zgjedhur në Selinë e Pjetrit me emrin Pali VI, Montini shkoi përsëri në Campidoglio: ishte 16 prill 1966, kishte përfunduar Koncili II i Vatikanit e Papa, nga Pallati Senatorial, thotë: «Jemi shumë të prekur dhe shumë të habitur që ndodhemi në këtë vend. Kjo është Roma. E juaja, e jona. Roma e shekujve. Roma e qytetërimit latin dhe të krishterë”.

Përmbushet kështu një orë e historisë romake; e ne dëgjojmë tingujt e saj kumbues: kumbojnë vrullshëm, me forcë, me harmoni, me paqe". “Ky - shton Papa - është kthim; Ne nuk jemi të huaj këtu; sa kujtime, sa monumente e thonë këtë! Por çfarë kthimi? Ne nuk kemi më asnjë sovranitet të përkohshëm për të pohuar këtu.

Ruajmë kujtesën historike të tij, si atë të një institucioni shekullor, legjitim dhe, në shumë mënyra, parashikues të kohëve të shkuara; por sot nuk kemi trishtim për këtë, as nostalgji, aq më pak ndonjë ambicie të fshehtë hakmarrëse”.

Kaluan tridhjetë e dy vjet dhe më 15 janar 1998 i takoi Gjon Palit II të shkonte në Campidoglio. Në fjalimin ndërmjet ipeshkvit të Romës dhe popullit të tij jehojnë fjalë të tilla si "vlerësim, miqësi, dashuri". “Dashuri konkrete, që dëshiron të arrijë tek njerëzit, të gjithë njerëzit – nënvizon Papa Vojtila – duke u ofruar atyre arsye për shpresë, propozime kulturore, ndihmë dhe mbështetje në vështirësitë morale dhe materiale, hapësira mirëseardhjeje dhe dëgjimi, mundësi mirëkuptimi dhe vëllazërimi. Është një dashuri plot vëmendje ndaj realitetit në ndryshim, ndaj lodhjes së përditshme, ndaj rreziqeve morale që ka edhe kjo Roma jonë”.

Ashtu si atëherë, vizita e Papës bëhet në prag të Vitit Shenjt: «Qyteti duhet të paraqitet i përtërirë dukshëm nga brenda, në kohën e Jubileut të Madh - shpreson Gjon Pali II - në mënyrë që t'u ofrojë shtegtarëve fytyrën e tij të krishterë, si lajmëtare të një epoke paqeje dhe shprese për mbarë njerëzimin. Roma dhe Jubileu: dy realitete që kujtojnë dhe ndriçojnë njëri-tjetrin! Roma pasqyrohet në Jubile dhe Jubileu, në realitetin e Romës”.

Nëse Papa Wojtyła e quan Romën si «prima inter Urbes», fener qytetërimi dhe feje, pasardhësi i tij, Benedikti XVI thekson aftësinë e saj për të mirëpritur. E bën këtë me një vizitë në Campidoglio, më 9 mars 2009. «Roma është populluar gradualisht me njerëz që vijnë nga kombe të tjera dhe i përkasin kulturave dhe traditave të ndryshme fetare - kujton - dhe si pasojë, tani ka fytyrën e një metropoli multietnik dhe multifetar, në të cilin integrimi ndonjëherë është i lodhshëm dhe kompleks”. Prej këndej, ftesa e Papës Ratzinger që, «në epokën post-moderne», Qyteti të rifitojë «shpirtin e tij më të thellë, rrënjët e tij civile dhe të krishtera, nëse dëshiron të lindë një humanizëm i ri”.

Dhjetë vjet më vonë, më 26 mars 2019, Papa Françesku ndalohet rishtas tek parimi i mikpritjes, duke iu drejtuar administratës kapitoline në Sallën Giulio Cesare: “Ky qytet ka mirëpritur studentë dhe shtegtarë, turistë, refugjatë dhe emigrantë nga çdo rajon i Italisë e edhe nga shumë vende të botës - kujton - Është bërë, kështu, qendër tërheqëse, ndërmjet   veriut kontinental dhe botës mesdhetare, ndërmjet qytetërimeve latine dhe gjermane, prerogativave dhe forcave të rezervuara për fuqitë civile dhe  shpirtërore". Prandaj, për shkak të veçorive të saj, Roma «e detyron fuqinë tokësore dhe shpirtërore të dialogojë vazhdimisht, të bashkëpunojë mbi një bazë të qëndrueshme në respekt të ndërsjellë; e kërkon edhe të jesh krijues, si në thurjen e përditshme të marrëdhënieve të mira, ashtu edhe në trajtimin e problemeve të shumta që mbrojtja e një trashëgimie kaq të madhe sjell domosdoshmërisht me vete."

Për këtë arsye, shton Papa, është "vendimtare" që "të qëndrojë në detyrën e detyrave dhe të historisë së saj, që të dijë të jetë fanar qytetërimi dhe mësues mikpritjeje edhe në rrethanat e sotme të ndryshuara, pa e humbur urtinë që duket në aftësinë për t'u integruar dhe për t'i bërë të gjithë të ndihen si pjesëmarrës të plotë të një fati të përbashkët".

“Roma, qytet mikpritës - përfundon Papa Bergoglio – është e thirrur të përballet me këtë sfidë epokale në vazhdën e historisë së saj fisnike; të përdorë energjitë e saj për t’i mirëpritur, për t’i integruar dhe për t’i transformuar tensionet dhe problemet në mundësi takimi dhe rritjeje. Roma, qyteti i urave, kurrë i mureve!”.

09 qershor 2024, 15:13