Kërko

L'udienza del Papa alle Corali del 2018 L'udienza del Papa alle Corali del 2018

Kore nga bota në Vatikan nga 7 deri më 9 qershor, audiencë me Papën

Nga data 7 deri më 9 qershor, takimi IV ndërkombëtar, me rastin e 40-vjetorit të Korit të Dioqezës së Romës, në prani të mjeshtrave të mëdhenj të muzikës kishtare dhe liturgjike, nga e gjithë bota.

R.SH. / Vatikan

Kore nga e gjithë bota do të takohen sërish në Vatikan nga 7 deri më 9 qershor. Veprimtaria, e propozuar nga Kori i Dioqezës së Romës për të festuar 40-vjetorin e themelimit, organizohet nga Nova Opera dhe sponsorizohet nga Dikasteri i Vatikanit për Kulturën dhe Arsimin si dhe nga Instituti Papnor i Muzikës Kishtare.

Ashtu si në edicionet e mëparshme, muzika do të ndiqet në Sallën Pali VI dhe në Bazilikën e Shën Pjetrit. Konferenca Ndërkombëtare, e drejtuar nga Imzot Marco Frisina, kompozitor dhe themelues i Korit të Dioqezës së Romës, do të hapet të premten, më 7 qershor, në praninë e ekspertëve të mëdhenj të muzikës kishtare dhe liturgjike nga e gjithë bota.

Programi

Profesor Robert Mehlhart, drejtor i PIMS (Pontificio Istituto di Musica Sacra), do të flasë për edukimin muzikor; aplikimet e muzikës kishtare për liturgjitë papnore do të prezantohen nga Imzot Marco Pavan, drejtor i Kapelës Papnore Muzikore "Sikstine"; Franz Karl Prasl, ish-kryetar i Komisionit Austriak për Muzikën Kishtare do të diskutojë për këngën Gregoriane, parë në pikëpamje historike dhe liturgjike; ndërsa Mjeshtri Don Fabio Massimillo, kompozitor dhe liturgjist, së bashku me maestro H. J. Botor, kompozitor, drejtor kori dhe organist, do të hyjnë në zemrën e gjallërisë liturgjiko-muzikore. Do të ketë gjithashtu disa seminare, që do t’i përfshijnë drejtpërdrejt muzikantët dhe koristët e pranishëm, falë ndërhyrjeve të mjeshtrit Fabrizio Barchi, profesor dhe drejtor kori, dhe mjeshtrit Emanuele Faiola, nëndrejtor i Korit të Dioqezës së Romës.

Audienca me Papën dhe koncerti në Sallën Pali VI

Çasti kulmor do të jetë audienca e Papës Françesku me të gjithë pjesëmarrësit, në Sallën Pali VI, mëngjesin e së shtunës, 8 qershor.

Po atë pasdite, përsëri në Sallën Pali VI, do të mbahet Koncerti i madh Koral: të gjithë këngëtarët e pranishëm do të organizohen në sallë me katër zëra, duke kënduar së bashku me 300 elementët e Korit të Dioqezës së Romës. Do të formojnë, kështu, një polifoni të vetme, si kor i madh. Të gjithë koristët do të shoqërohen nga mbi 80 muzikantë të Orkestrës Nova Opera dhe do të drejtohen nga Imzot Frisina.

 Programi muzikor përfshin pjesët më përfaqësuese të traditës muzikore kishtare klasike dhe bashkëkohore. Për këtë rast, u kompozua një pjesë e re, e titulluar "Krishti është shpresa ime", e cila do të interpretohet për herë të parë në Koncert duke i kujtuar pjesëmarrësve në këtë shfaqje të jashtëzakonshme, himnin klasik, titulluar “Christus vincit! Christus regnat! Christus impera!” “Krishti fiton, Krishti mbretëron, Krishti sundon” dhe një përzierje, që përfshin pjesët më të shquara të 40 viteve të para të Korit, themeluar nga Mons. Frisina pikërisht në qershor 1984.

Tri ditët e ngarkuara me tinguj lirikë thellësisht prekës, do të përfundojnë të dielën, më 9 qershor, në orën 10.30, me Meshën në Altarin e Rrëfimit të Bazilikës së Vatikanit, kryesuar nga kardinali Mauro Gambetti, kënduar nga të gjithë këngëtarët. Në fund të festës, të gjithë koristët do të arrijnë në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me Papën. E ndoshta-ndoshta edhe do të këndojnë përsëri…

01 qershor 2024, 10:00