Thirrja e Papës për Sudanin: të heshtin armët dhe t'i çohet ndihmë popullatës
R. SH. - Vatikan
Thirrje për Sudanin dhe për të gjitha vendet ku heshtin njerëzit e flasin armët! Edhe një herë, Françesku, në përshëndetjet pas Engjëllit të së Dielës, iu drejtua besimtarëve duke u kërkuar të lutem për kë jeton në luftë:
“Ju ftoj të luteni për Sudanin, ku lufta që ka zgjatur për më shumë se një vit nuk po e gjen ende zgjidhjen paqësore. Të heshtin armët dhe me angazhimin e autoriteteve vendore e të bashkësisë ndërkombëtare, t'i çohet ndihmë popullatës dhe të shpërngulurve të shumtë: refugjatët sudanezë mund të gjejnë mirëseardhje dhe mbrojtje në vendet kufitare”.
Thirrje qevritarëve
Françesku u drejtohet drejtpërdrejt krerëve të politikës së gjithë botës, në mënyrë që të bëhen përpjekje për të arritur paqen, veçanërisht në ato vende ku shkon ditë e natë mendimi i Tij:
“E të mos harrojmë Ukrainën e martirizuar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin. I bëj thirrje urtisë së pushtetarëve ta ndalojnë shkallëzimin dhe të bëhet ç’është e mundur për dialog dhe negociata”.
Tragjedia e Sudanit
Sudani, i kujtuar nga Papa Bergoglio, vijon të jetojë një krizë dramatike humanitare që nga prilli 2023, pas luftës e cila, sipas organizatave ndërkombëtare, "po shkakton një skenar makthi", në të cilin uria përhapet frikshëm në një zonë të madhe të vendit.
"Gjithnjë e më shumë njerëz do të ikin në vendet fqinje në kërkim të mjeteve të jetesës dhe të sigurisë - shpjegon Komiteti i përhershëm ndër-agjencior i Kombeve të Bashkuara - e gjithnjë e më shumë fëmijë do të bëhen viktima të sëmundjeve dhe kequshqyerjes".
Forumi i koordinimit humanitar, për të cilin 18 milionë njerëz vuajnë nga uria dhe 3.6 milionë fëmijë, nga kequshqyerja, bën thirrje për armëpushimin e menjëhershëm, mbrojtjen e civilëve dhe fundin e shkeljes së të drejtave të njeriut, si dhe "hyrjen pa pengesa nëpër të gjitha rrugët ndërkufitare" të ndihmave për civilët.
Shkaktare e konfliktit në këtë vend, që prodhoi mijëra viktima dhe miliona të pastrehë e refugjatë, është ushtria e gjeneralit Abdel Fattah al-Burhane dhe paraushtarakëve kundërshtarë të ndihmës së shpejtë (RSF), nën komandën e gjeneralit Mohamed Hamdane Daglo.