Thirrja e Françeskut: u kthefshin gjithë të burgosurit e luftës në shtëpi

Françesku, në përfundim të Engjëllit kushtuar Solemnitetit të Shenjtorëve Pjetër e Pal, kujtoi popullatën "e plagosur a të kërcënuar nga luftimet". Pastaj falënderoi Zotin për çlirimin e dy redentoristëve ukrainas, të liruar në një shkëmbim të burgosurish ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Zelensky falënderoi Selinë e Shenjtë për "përpjekjet", ndërsa Kryepeshkopi Shevchuk shprehu mirënjohjen ndaj Papës, që ndihmoi personalisht në lirimin e tyre.

R.SH. / Vatikan

“Të gjithë të burgosurit e kësaj lufte u kthefshin së shpejti në shtëpi” Thirrja e Papës në përfundim të Engjëllit sot, 29 qershor 2024, solemniteti i shenjtorëve Pjetër dhe Pal, këtë herë nuk lind vetëm nga dhimbja e dramës së konfliktit në Ukrainë, por edhe nga lajmet, lajmet e mira: lirimi i djeshëm i dy rregulltarëve redentoristë. Janë Levytskyi dhe Bohdan Heleta, etër të kongregatës së Redentoristëve, të arrestuar në vitin 2022 në Berdyansk, që u liruan mbrëmjen e djeshme së bashku me tetë persona të tjerë, edhe ata të liruar nga Rusia në një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën, për gëzimin e madh të Papës:

“Falënderoj Zotin për çlirimin e dy meshtarëve greko-katolikë. Uroj që të gjithë të burgosurit e kësaj lufte të kthehen së shpejti në shtëpi!”.

Një mendim për popullatat e rrënuara nga konfliktet

Papa Françesku - i cili "me dhimbje" nga dritarja e Pallatit Apostolik u drejton një mendim të gjithë "popullsive të plagosura ose të kërcënuara nga luftimet", që "Zoti ta çlirojë dhe ta mbështesë në luftën për paqen" – u kërkon besimtarëve në shesh të përsërisin me të këtë urim. Gati-gati një lutje për t'u lartuar së bashku drejt Qiellit:

"Të gjithë të burgosurit u kthefshin në shtëpi".

Ukraina, lirohen dy priftërinj. Zelensky falënderon Selinë e Shenjtë

Dhjetë të burgosur ukrainas u liruan nga forcat ruse orët e fundit. Ndërmjet tyre, dy etër të kongregatës së Shëlbuesit, Ivan Levytskyi dhe Bohdan Heleta. ...

Mirënjohje Papës nga Kryeipeshkvi Shevchuk

Për lirimin e Redentoristëve dhe tetë të burgosurve të tjerë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi "përpjekjet e Selisë së Shenjtë për t'i sjellë këta njerëz në shtëpi". Ndërsa kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, Sviatloslav Shevchuk, më drejtpërdrejt shprehu, në një shënim, “mirënjohjen ndaj Atit të Shenjtë, Papës Françesku, i cili personalisht kontribuoi në çlirimin e meshtarëve tanë Bohdan dhe Ivan.

“Pa marrë parasysh pengesat e mëdha, duke qenë se burgimi i tyre zgjati më shumë se një vit e gjysmë, përpjekjet e diplomacisë së Vatikanit arritën një rezultat fitimtar” - shkruan kryeipeshkvi, i cili i falënderon “të gjithë punonjësit e strukturave diplomatike të Selisë së Shenjtë, veçanërisht Sekretarin e Shtetit, Kardinali Parolin, dhe Shkëlqesinë e Tij, Kardinalin Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, të cilit Ati i Shenjtë i ka besuar të kujdeset për lirimin e të burgosurve të kapur dhe ukrainas”. Falenderim i veçantë për Nuncin Visvaldas Kulbokas, i cili nga ana e tij thekson punën e kryer nga Selia e Shenjtë në këtë kohë.

Thirrjet e Françeskut

Edhe në Regina Caeli të 12 majit të kaluar, Papa Françesku, pas një kërkese për lutje kushtuar paqes në Ukrainë, Palestinë, Izrael dhe Mianmar, pati bërë thirrje të fuqishme për shkëmbimin e të burgosurve ndërmjet Moskës dhe Kievit:

“Përsëris thirrjen time për një shkëmbim të përgjithshëm të të gjithë të burgosurve të Rusisë dhe Ukrainës, duke siguruar gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të mbështetur çdo përpjekje në këtë drejtim, veçanërisht për ata që janë të plagosur rëndë dhe të sëmurë”.

Deri tani Rusia dhe Ukraina kanë bërë rreth 60 shkëmbime të burgosurish që nga fillimi i luftës. Është fjala për disa mijëra vetë, që u liruan nga të dyja palët. Shkëmbimi i fundit i njohur, me mbi 3 mijë ukrainas të liruar, sipas asaj që raportoi vetë Zelensky, ka datën 8 shkurt.

Papa foli gjithashtu për këtë temë edhe në Urbi et Orbi, më 31 marsin e kaluar, kur pati shpresuar për një "shkëmbim të përgjithshëm të të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës": "Të gjithë - për të gjithë", pati kërkuar.

Ende 28 mijë civilë ukrainas të burgosur

Dhe kjo ishte, siç dihet, një pjesë themelore e misionit të besuar nga Papa kardinalit Matteo Zuppi, të dërguarit të tij të paqes në Kiev, Moskë, Uashington, Pekin, me synimin e veçantë për riatdhesimin e fëmijëve ukrainas nga Rusia. Një punë që, kardinali Parolin kohët e fundit pati mundësinë t'ua tregonte gazetarëve, e cila vazhdon "ngadalë", por ecën përpara. E, si e dëshmojnë lajmet e fundit, në një farë mënyre po jep fryte.

Gjithsesi rruga mbetet ende e gjatë. Kryeipeshkvi Shevchuck, në shënimin e përmendur më sipër, kujton se "sot më shumë se 28 mijë civilë ukrainas janë të burgosur në Rusi", duke përfshirë gazetarë, mjekë, zyrtarë të qeverisë autonome lokale, anëtarë të klerit dhe figura kulturore. “Të gjithë ata që konsiderohen nga rusët si shprehje të rrezikshme e identitetit ukrainas”, kujton kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, duke u bërë thirrje të gjithëve të angazhohen për lirimin e të burgosurve, ndalimi i të cilëve “shkel çdo normë ndërkombëtare”.

29 qershor 2024, 14:16