Thirrjet e Papës: Dita Botërore e Refugjatëve, paqe e siguri
R.SH. / Vatikan
“Nesër kremtohet Dita Botërore e Refugjatëve e themeluar nga Kombet e Bashkuara: qoftë rast për një shikim të vëmendshëm dhe vëllazëror të të gjithë atyre, që detyrohen të ikin nga shtëpitë e veta në kërkim të paqes dhe të sigurisë: jemi të gjithë të thirrur për t’i mirëpritur, për t’i ndihmuar, për t’i shoqëruar dhe për t’i integruar ata, që trokasin në dyert tona. Lutem që shtetet të punojnë për të lehtësuar proceset integruese”- kujtoi Papa Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme,.mbjatur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Françesku citon popullin 'fisnik' kinez
Më pas, përshëndetja Papës drejtuar Shoqatës “Miqtë e Kardinalit Celso Costantini”, të shoqëruar nga ipeshkvi i Dioqezës Concordia-Pordenone, Imzot Giuseppe Pellegrini, me rastin e 100-vjetorit të Concilium Sinense të Shangait”. “Lutemi gjithnjë për popullin kinez, popull fisnik dhe guximtar, që ka një kulturë kaq të bukur. Lutemi gjithnjë”- komentoi Papa duke folur lirisht jashtë tekstit zyrtar.
Lutemi çdo ditë për paqen
"E do të vazhdojmë të lutemi për paqen, lufta është gjithmonë disfatë, që në fillim, në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë, Sudan, Myanmar dhe kudo ku vijojnë vuajtjet nga lufta. Ne lutemi çdo ditë për paqen”, vijoi akoma Papa.
T’i përgjigjemi së keqes, me të mirë
"Përshëndes përzemërsisht polakët. Duke falënderuar Zotin për të Lumin e ri, martirin e komunizmit, Don Michał Rapacz, të lutemi që dëshmia e tij të bëhet shenjë ngushëllimi nga Zoti, në këto kohë të tronditura nga luftërat. Shembulli i tij na mësoftë të jemi besnikë ndaj Zotit, për t'iu përgjigjur së keqes me të mirë e për të kontribuar në ndërtimin e një bote vëllazërore dhe paqësore. “Don Michał, ndërmjetëso për Poloninë dhe për paqen në botë!"- ky, urimi i Papës në gjuhën polake.