Françesku: fryma olimpike dhe paraolimpike favorizon marrëdhëniet paqësore
R.SH. – Vatikan
"Sporti të ndërtojë ura, të thyejë barriera, të nxisë marrëdhënie paqësore". Papa e ndez dhe e rindez flakën e "frymës së vërtetë olimpike dhe paraolimpike" në ditën në të cilën Lojërat e Parisit nisin zyrtarisht, me ceremoninë e përurimit. Pas postimit të djeshëm, sot Françesku postoi një mesazh të dytë në platformën X, me thirrjen për t'i dhënë fund dhunës.
Sporti, gjuha e dialogut
Dje, edhe ekipi sportiv vatikanas “Athletica Vaticana” e kujtoi këtë dëshirë të Papës në një letër dërguar atletëve në prag të hapjes së Lojërave, të cilat "para së gjithash – shkruhet në letër - janë histori grash e burrash, që sot, nuk janë në gjendje ta ndalojnë "luftën e tretë botërore pjesë-pjesë" (siç e quan Françesku), por sugjerojnë mundësinë e një njerëzimi më vëllazëror. Përmes gjuhës së dialogut sportiv, popullor dhe të kuptueshëm për të gjithë”.
Stafetë e madhe
“Pa përdorur rrugën më të shkurtër dhe me besnikëri”, shkruan Athletica Vaticana, Lojërat “mund të jenë mundësi për shpresë, në çështjet e vogla dhe të mëdha të çdo njeriu dhe të njerëzimit. Po, Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike mund të jenë strategji paqeje dhe ilaç kundër lojërave të luftës”. Ajo që ka rëndësi është mishërimi i "vlerave të vërteta të sportit: pasionit, përfshirjes, vëllazërimit, shpirtit të skuadrës, besnikërisë, përkushtimit dhe sakrificës". Duke e ditur se “sporti nuk është vetëm fitore a humbje, ai kthehet në udhëtim jete, që nuk bëhet kurrë vetëm”. Është “stafetë” e madhe në “maratonën e jetës”, siç shkruan Papa në librin “Lojërat e Paqes. Shpirti i Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike”.