Françesku: lufta është disfatë; armëpushim për Olimpiadën
R. SH. - Vatikan
Pas lutjes mariane të Engjëllit të Zotit nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa vijoi të flasë në emër të paqes. Foli edhe për Lojërat Olimpike të ardhshme në Paris, të cilat do të fillojnë javën e ardhshme dhe do të pasohen nga Lojërat Paralimpike. Nuk i harroi as skenarët botërorë, rajonet ku ende mbretëron shkatërrimi i luftërave.
Sportistët të jenë lajmëtarë të paqes
Në kryeqytetin francez do të mbërrijnë për garat e planifikuara nga 26 korriku deri më 11 gusht, 11,475 atletë të 205 delegacioneve (rusët dhe bjellorusët do të garojnë si neutralë). Jemi në edicionin e tridhjetë e tretë të epokës moderne, i pari pa kufizimet e forta të shkaktuara nga Covid-19, pandemia e cila në vitin 2020 bëri që edicioni i Tokios të shtyhej një vit. Krenaria e Thomas Bach, president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, është ekipi olimpik i refugjatëve. Për këtë ngjarje të shumëpritur botërore, Papa është plot shpresë:
“Sporti ka edhe një forcë të madhe shoqërore, të aftë për të bashkuar në mënyrë paqësore njerëz të kulturave të ndryshme. Shpresoj që kjo ngjarje të jetë shenjë e botës gjithëpërfshirëse që duam të ndërtojmë dhe që sportistët, me dëshminë e tyre sportive, të jenë lajmëtarë të paqes dhe modele të vlefshme për të rinjtë. Në veçanti, sipas traditës së lashtë, Lojërat Olimpike janë mundësi për të vendosur armëpushimin në luftëra, duke shprehur, kështu, dëshirën e sinqertë për paqe”. ...
Lufta është disfatë
Françesku na fton të mos harrojmë "Ukrainën e matirizuar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe shumë vende të tjera, që janë në luftë":
“Të mos harrojmë, të mos harrojmë, lufta është disfatë!”
Në Ukrainë, forcat ruse nisën një sulm masiv gjatë natës me 5 raketa dhe rreth dyzet drone, por mbrojtja e Kievit në masë të madhe zmbrapsi ofensivën ajrore të Moskës. Në Lindjen e Mesme shpërtheu një fuçi baruti me sulmin izraelit që sot sulmoi një depo municioni në një qytet në jug të Libanit, vendit të Kedrave, e me Jemenin. Ndërkaq në Mianmar, intensifikimi i ndeshjeve në luftën civile çoi në një rritje të mprehtë të sulmeve shkatërruese kundër shkollave.
Përshëndetje grupeve të shtegtarëve
Ndër përshëndetjet e Papës, kujtojmë në veçanti atë për ekipin e Notre Dame të dioqezës së Quixadá në Brazil, për Shoqatën "Assumpta Science Center Ofekata", e angazhuar në projekte solidariteti për Afrikën, për Punëtorët e Heshtur të Kryqit dhe Qendrat Vullnetare të Vuajtjeve, mbledhur në kujtim të themeluesit të Lum, Luigi Novarese. Është shoqatë e njerëzve të sëmurë dhe të shëndetshëm, që shfrytëzojnë, duke ndjekur Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur, mundësinë e të jetuarit të përvojës së vuajtjes pa iu nënshtruar dekurajimit dhe zhgënjimit.
Së fundi, Françesku kujtoi edhe dëshirtaret e gratë e reja, anëtare të Institutit të Misionareve të Mbretërisë së Krishtit si dhe të rinjtë e grupit profesional të Seminarit Minor të Romës, të cilët ecin në rrugën e Shën Françeskut.