Françesku në udhëtimin më të gjatë, ndërmjet Azisë dhe Oqeanisë, për të vizituar katër vende
R.SH. – Vatikan
Të paktën një duzinë fjalimesh e, edhe katër homeli, aq sa janë vendet e vizituara në harkun kohor të dymbëdhjetë ditëve: kjo parashikohet në programin e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Indonezi, Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singapor, i planifikuar nga 2 deri më 13 shtator. Sot paradite, e premte, 5 korrik, Salla e Shtypit të Vatikanit njoftoi hollësitë e shtegtimit më të gjatë ndërkombëtar të Atit të Shenjtë Bergoglio. Kurrë më parë, nuk ka ndenjur kaq gjatë jashtë Vatikanit e kaq larg tij.
Indonezia
Avioni me Ipeshkvin e Romës do të niset nga aeroporti romak Fiumicino pasditen e së hënës, 2 shtator, për të mbërritur të nesërmen në aeroportin e Xhakartës, ku do të mbahet pritja zyrtare në Indonezi. Të mërkurën, në datën 4, ceremonia e mirëseardhjes jashtë Pallatit Presidencial "Istana Merdeka", e ndjekur nga vizita e kortezisë tek presidenti i Republikës. Po në rezidencën e kreut të shtetit indonezian, takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik, gjatë të cilit Françesku do të mbajë fjalimin e parë të udhëtimit. Paraditja përfundon me takimin e zakonshëm privat në nuciaturën apostolike me jezuitët, që shërbejnë në vend.
Pasdite, Papa do t’u flasë ipeshkvijve, meshtarëve, diakonëve, rregulltarëve, murgeshave, seminaristëve dhe katekistëve në katedralen e Xhakartës, kushtuar Zojës së Madhe, për t’u takuar më pas me të rinjtë e Scholas Occurrentes në Shtëpinë e Rinisë "Grha Pemuda".
Të enjten, më 5 shtator, Françesku do ta fillojë ditën me një takim ndërfetar në xhaminë "Istiqlal", për të vizituar më pas të asistuarit nga realitetet bamirëse indoneziane në selinë e Konferencës Ipeshkvnore. Pasdite, do të kremtojë meshë në stadiumin “Gelora Bung Karno”.
Papua Guinea e Re
Të premten, 6 shtator, Papa do të shkojë nga Xhakarta në Port Moresby, ku do të mbërrijë pasdite vonë. Ceremonia e mirëseardhjes në Papua Guinea e Re do të mbahet në aeroportin ndërkombëtar “Jacksons”. Për herë të parë në Oqeani, Françesku do t’i bëjë një vizitë kortezie Guvernatorit të Përgjithshëm të shtunën e më pas, do të takohet me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik në "Apec haus”, ku Apec s’është tjetër, veçse Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor. Pasdite, vizita tek fëmijët e "Shërbimit të rrugës" dhe "shërbimeve Callan" në "Shkollën e mesme teknike të Karitasit", si edhe fjalimi para ipeshkvijve e klerit të Papua Guinesë së Re dhe të Ishujve Solomon, në shenjtëroren e Zojës Ndihmëtare.
Më 8 shtator, Papa do të presë kryeministrin në selinë e nunciaturës apostolike, ndërsa më vonë, do të kremtojë meshën e së dielës dhe Engjëllin e Tënzot në stadiumin "Sir John Guise". Menjëherë pas, nisja për në Vanimo, kryeqendër e provincës Sandaun. Parashikohen dy takime: një me besimtarët e dioqezës me të njëjtin emër dhe një privat, me një grup misionarësh në " Holy Trinity Humanities School" të Baros. Në mbrëmje, kthimi nga Vanimo në kryeqytet. Këtu, të hënën, më 9 shtator, Françesku do të takohet me të rinjtë e Papua Guinesë së Re, para se të niset për në Timorin Lindor.
Timori Lindor
Papa mbërrin në aeroportin ndërkombëtar "Presidente Nicolau Lobato" të Dilit rreth orës 14.10, në vendin me shumicë katolike, vërtet një përjashtim në Azinë Juglindore. Rreth orës 18.00 me orën lokale, Papa do të marrë pjesë në ceremoninë e mirëseardhjes jashtë Pallatit Presidencial, pasuar nga një vizitë kortezie tek presidenti i Republikës brenda së njëjtës godinë, ku do të mbahet edhe takimi i zakonshëm, që hap takimet zyrtare gjatë udhëtimeve ndërkombëtare: ai me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik.
Të nesërmen, e martë, datë 10, në kryeqytetin e kombit portugalishtfolës, Papa do të vizitojë fëmijët me aftësi ndryshe të shkollës "Irmãs Alma" dhe do të ketë dy takime: një publik në katedralen e Zojës së Papërlyer me ipeshkvijtë, klerin, seminaristët e katekistët; dhe një privat, në nunciaturën apostolike, me jezuitët e Timorit Lindor.
Pasdite, mesha në fushën "Taci Tolu" dhe të nesërmen takimi me të rinjtë në "Centro de Convenções", që i paraprin largimit nga kryeqyteti dhe nisjes drejt Singaporit, faza e fundit e këtij shtegtimi të gjatë.
Singapori
Papa do të mbërrijë në orët e para të pasdites në aeroportin ndërkombëtar “Changi”, ku do të bëhet edhe pritja zyrtare. E mërkura, 11 shtator, do të përfundojë me takimin privat të pasdites me vëllezërit jezuitë në qendrën e ushtrimeve shpirtërore "Shën Françesk Saveri".
Për të enjten, 12 shtator, janë planifikuar ceremonia e mirëseardhjes në “Shtëpinë e Parlamentit”, vizita e kortezisë tek presidenti i Republikës e takime me kryeministrin dhe me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik, në Teatrin e Qendrës Kulturore Universitare të Universitetit të Singaporit. Pasdite, kremtimi i meshës në stadiumin kombëtar në “Singapore SportsHub”.
Së fundi, e premtja, 13 shator, dita e fundit e udhëtimit papnor në Azi dhe Oqeani do të hapet me një vizitë tek të moshuarit dhe të sëmurët në Shtëpinë "Shën Tereza" për të vazhduar me një takim ndërfetar me të rinjtë në "Catholic Junior College". Pak para mesditës, pas ceremonisë së lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar të Singaporit, avioni me Papën Françesku do të niset për në Romë, ku parashikohet të mbërrijë rreth orës 18.25.