Françesku: paqe për popullsitë e shtypura nga tmerri i luftës
R. SH. - Vatikan
“Ju lutem…” ripohoi Papa, gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar këtë të diel, 14 korrik, në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan: “Ju lutem, të mos harrojmë Ukrainën, Palestinën, Izraelin, Mianmarin e munduar”. Kërkon një lutje nga besimtarët që mbushin Sheshin e Shën Pjetrit, pushtuar nga rrezet e zjarrta të diellit, madje përpara lutjes drejtuar Zotit dhe Zojës, së cilës ai ia beson këto territore të rrënuara nga dhuna.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa Françesku kujton festën liturgjike të 16 korrikut, që përkujton dukjet e Zojës në Malit Karmel, në vitin e largët 1251. Papa kërkon ndërmjetësimin e saj:
“Jepu ngushëllim dhe paqeje të gjitha popullsive të shtypura nga tmerri i luftës!”.
Toka të plagosura nga konfliktet
Si në çdo lutje të Engjëllit të Zotit apo në audiencat e përgjithshme, Papa renditi një nga një vendet e rrënuara nga konflikti: Ukrainën, ku raketat ruse, të përqendruara kryesisht në rajonet e Kharkiv dhe Kherson, ditët e fundit vranë dhe plagosen shumë banorë, duke përfshirë edhe fëmijë; Tokën Shenjte, të tronditur nga masakra e fundit, një tjetër masakër, në Khan Yunis, me 90 viktima, shumë prej të cilave, gra dhe të mitur; Myanmarin e shkatërruar, më shumë se tre vjet pas grushtit të shtetit, nga një luftë e përgjakshme, shpesh e anashkaluar nga opinioni publik global. Papa tërheq vëmendjen e botës për këto vende dhe kërkon lutje.
Lutjet për detarët
Lutje Papa kërkon edhe për të gjithë detarët, me rastin e së dielës së sotme të detit.
“Të lutemi për ata që punojnë në industrinë detare dhe për ata që kujdesen për ta”.
Në mesazhin për të Dielën e Detit, që bie më 14 korrik, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Czerny, i fton Kishat të vënë në dukje dinjitetin dhe të drejtat e atyre që punojnë në sektorin detar. Duke kujtuar veprën e Shën Palit, Kardinali nxit të inkurajohet shkëmbimi dhe solidariteti ndërmjet popujve dhe feve: "Nuk mund t’i gëzojmë mundësitë e jetës, nëse na pëlqen më shumë rehatia familjare”.