Java Sociale e Katolikëve në Trieste Java Sociale e Katolikëve në Trieste

Itali: Papa viziton Triesten këtë të diel me rastin e Javës Sociale Katolike

Papa do të shkojë në Trieste më 7 korrik, me rasin e përfundimit të Javës së 50-të Sociale Katolike Italiane, e cila filloi më 3 korrik. Në qendër të veprimtarive të saj, promovimi i pjesëmarrjes së lirë dhe demokratike në shoqëri, si kontribut për të mirën e përbashkët të vendit dhe për paqen. Të pranishëm, rreth 900 delegatë nga e gjithë Italia

R.SH. – Vatikan

 Të ndërtohet një qytetërim për të mirën e përbashkët. Java e 50-të Sociale e Katolikëve në Itali u hap më 3 korrik, në Trieste, me temën “Në zemër të demokracisë. Pjesëmarrja ndërmjet historisë dhe ardhmërisë”. Në orën 17.00, të pranishmëve, rreth 900 delegatë nga e gjithë Italia, u foli presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, në fillim të katër ditëve me takime, diskutime dhe propozime për paqen në bashkësitë e ndryshme civile dhe kishtare, të cilave u përkasin.

Në përfundim të Javës, të dielën, Papa Françesku do të mbërrijë në qytetin verior italian, për të mbyllur punimet në Qendrën e Kongreseve, në mëngjes, ndërsa më pas, në orën 10.30, do të kremtojë meshën në sheshin Unità d'Italia. Kjo do të jetë vizita e tretë baritore e Papës në Itali, gjatë këtij viti: e para në Venecia, në prill dhe e dyta në Verona, në maj.

Ndërmjet rrugës sinodale dhe frymës së të Lumit Toniolo

Trieste bëhet kështu një laborator pjesëmarrjeje, me takime të shumta për delegatët dhe nisma publike në të gjithë qendrën. Në program janë Fshatrat e Praktikave të Mira me stenda dhe pika informacioni, Sheshet e Demokracisë, tryezat e rrumbullakëta dhe dialogët. Në teatrin Verdi nuk mungojnë momentet e gëzueshme dhe shfaqjet muzikore e teatrale. Një Javë, që përkon me udhën sinodale të Kishës, duke iu rikthyer frymës origjinale të të Lumit Giuseppe Toniolo, i cili ishte i pari që, më se një shekull më parë, në Pistoia, në vitin 1907, ideoi këtë format. Më vonë, Javët Sociale u zhvilluan gjatë dekadave, gjithnjë në kërkim të njerëzve vullnetmirë, të cilët e dëshmojnë besimin e tyre në Zotin, duke kontribuar me vizionin e tyre si besimtarë në qeverisjen e mirë të vendit.

Kardinali Matteo Zuppi dhe presidenti italian Sergio Mattarella
Kardinali Matteo Zuppi dhe presidenti italian Sergio Mattarella

Dokumenti përgatitor

Një dokument përgatitor i ndihmoi dioqezat të reflektojnë dhe të gjejnë idetë, zbatimi i të cilave i impenjon të krishterët “ndërmjet historisë e ardhmërisë”. “E ardhmja e vendit”, theksohet në dokument, “kërkon njerëz të aftë të përfshihen dhe të punojnë së bashku për të rimëkëmbur hapësirat e jetës, madje, edhe ato më të mënjanuarat e më periferiket, duke përforcuar aftësinë për të vendosur në mënyrë demokratike dhe për ta jetuar pushtetin si shërbim”. Kjo është sfida, që shqetëson në këtë çast qytetarët italianë e jo vetëm ata: në një bashkësi, të gjithë zërat duhet të dëgjohen e të përkrahen, për të zhvilluar mendime dhe për të hyrë në udhën e pjesëmarrjes, për të transformuar të tashmen dhe për të krijuar më shumë bukuri në të ardhmen”.

Prania e Françeskut në Trieste

Kryeqendra e rajonit Friuli Venezia Giulia, në Italinë verilindore, është gati edhe për pritjen e Papës, më 7 korrik. Programi zyrtar i Atit të Shenjtë parashikon një vizitë më pak se pesë orëshe. Me të mbërritur në Trieste, rreth orës tetë të mëngjesit, Françesku do të pritet në Qendrën e Kongreseve, ku do të takohet me rreth 900 pjesëmarrësit e Javës Sociale, të cilëve do t’u drejtojë fjalën e tij. Më pas, janë planifikuar takime me 15 përfaqësues ekumenikë, me 50 vetë nga bota akademike dhe me një grup të madh prej 150 emigrantësh e njerëzish me aftësi ndryshe. Mesha do të kremtohet në sheshin Unità d'Italia, në orën 10.30, e ndjekur nga lutja mariane e Engjëllit të Tënzot, pas së cilës Papa Françesku do të largohet nga qyteti i Triestes për t’u kthyer në Vatikan.

04 korrik 2024, 11:07