Papa kërkon lutje që politikanët të punojnë në "shërbim të popullit"

Në videon e Papës, me ndjetin e lutjes për gushtin, Françesku na fton të lutemi për liderët politikë, që ata "të punojnë për të mirën e përbashkët". Edhe pse “politika nuk gëzon reputacion të mirë”, nënvizon Ati i Shenjtë, “është shumë më fisnike nga sa duket”. Papa fton gjithashtu të falënderohen ata “politikanë, që i kryejnë detyrat e tyre me frymë shërbimi, jo pushteti”

R.SH. – Vatikan

Ndjeti i lutjes së Papës Françesku për gushtin, që u bë i njohur sot (30 korrik), ka në qendër krerët politikë. Përmes tij, Ati i Shenjtë i fton besimtarët të luten që politikanët të jenë vërtet "në shërbim të popullit".

Në videomesazhin e publikuar nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, Françesku pranon se "politika sot nuk gëzon reputacion të mirë", por "ajo është shumë më fisnike nga sa duket". Dhe shton se mund të "bëhen hapa përpara drejt vëllazërimit universal" vetëm përmes "politikës së mirë".

Një botë pa politikë?

Që në fjalët e para të videomesazhit, Papa përmend “korrupsionin, shkandullin” e politikës, që duket gjithnjë e më tepër larg “jetës së përditshme të njerëzve”. Në të vërtetë, kështu mendojnë shumë njerëz, duke e konsideruar politikën si punë me të cilën ndyejnë duart ata, që mendojnë vetëm për t'u pasuruar, ose për të fituar pushtet. Në sytë e njerëzve të thjeshtë, politikanët duhen parë me dyshim: sigurisht që duhet të kenë ndonjë interes personal për të fshehur.

Më tej, në video, bëhet e qartë se Papa e mendon ndryshe. Ai u kujton të gjithëve se një lloj tjetër politike është gjithmonë e mundur: një “Politikë me P të madhe”, siç e quan ai, në shërbim të popullit e, veçanërisht, të më të varfërve. Të gjithë kemi nevojë për "politikë të mirë", nënvizon Françesku, "nëse duam të ecim drejt vëllazërimit universal": tundimi për të bërë pa të, shpesh i shkaktuar nga populizmi i të gjitha llojeve, është mashtrim i madh.

Imazhet, që shoqërojnë fjalët e tij, tregojnë pikërisht këtë, duke alternuar dy kontekste të ndryshme: njëri në të cilin njerëzit mbijetojnë të vetmuar (një grua refugjate, një dyzet vjeçare e papunë, fëmijë pa ujë, një burrë i pastrehë në rrugë) dhe tjetri, ku njerëzit gjejnë përgjigje – herë emergjence, herë të qëndrueshme – për problemet e tyre. Vihen ballë për ballë bota pa politikë të mirë dhe bota me politikë të mirë.

Një shërbim bamirësie për njerëzit

Politika mund ta vërë në provë qëndrueshmërinë morale të atyre, që marrin pjesë në të. Por, njëkohësisht, është edhe thirrje e denjë për shenjtëri dhe virtyt. Në fillim të videos, Papa përmend fjalët e shën Palit VI, i cili e quante politikën si "një nga format më të larta të bamirësisë, sepse përpiqet për të mirën e përbashkët". Në fakt, ekziston një vlerë shoqërore, që e kapërcen individualizmin në favor të një tërësie më të madhe: popullit. Kjo është arsyeja pse të krishterët, veçanërisht laikët, thirren të marrin pjesë në jetën politike, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më solidare. "Një individ mund ta ndihmojë një nevojtar, por kur bashkohet me të tjerët për t'u dhënë jetë proceseve shoqërore të vëllazërimit dhe drejtësisë për të gjithë, hyn në 'fushën e bamirësisë më të madhe, të bamirësisë politike'", shkruan vetë Papa Françesku, duke reflektuar mbi këtë temë në enciklikën e tij “Fratelli Tutti”(2020).

Në shërbim të të varfërve

Ndërkaq, në videomesazh, Françesku thekson se politika e mirë nuk është “ajo që mbyllet në ndërtesa të mëdha me korridore të gjata”, por ajo që “dëgjon realitetin, është në shërbim të të varfërve dhe kujdeset për të papunët”. Kur një politikan nuk i lë hapësirë ​​dialogut, bashkëpunimit dhe impenjimit për dinjitetin e njerëzve - elementë kyç që Papa nënvizon në “Fratelli Tutti” - nuk arrihet zhvillimi i gjithanshëm i shoqërisë. Probleme të tilla si uria dhe varfëria, luftërat, ose krizat mjedisore - sa për të përmendur disa prej tyre - keqësohen nga lidershipi politik egoist dhe i etur për pushtet.

Sfidat e politikës

Prandaj, Ati i Shenjtë u kërkon besimtarëve të luten që “krerët politikë të jenë në shërbim të popullit të tyre, të punojnë për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, të impenjohen për të mirën e përbashkët, duke u kujdesur për ata, që kanë humbur punën e duke privilegjuar më të varfrit”. Pra, në vend që t'i diskreditojmë politikanët, t'i ndihmojmë të jenë burra e gra të denja për besimin tonë. Një nga mënyrat është pikërisht t’i lutemi Zotit për ta, sepse duhet guxim i madh të ulesh në karrigen e përgjegjësisë e të jetosh me integritet, duke vënë në lojë gjithçka: kohën, jetën familjare, aftësitë, forcën fizike, reputacionin. E ta pyesim veten çfarë do të bënim ne në vend të tyre e a jemi në gjendje t’i zgjidhim më mirë se ata problemet me të cilat përballet shoqëria?

30 korrik 2024, 16:09