Kërko

Papa Françesku me emigrantët dhe shoqëruesit e tyre takohen në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku me emigrantët dhe shoqëruesit e tyre takohen në Shtëpinë e Shën Martës  

Një grup migrantësh tek Papa: "Ai është si atë për ne të gjithë"

Dje pasdite Françesku priti në Shtëpinë e Shën Martës një senegalez dhe një gambian, autorë librash, në të cilët rrëfejnë odisenë që provuan, në kërkim të një toke të re. Ndërmjet tjerëve, i shoqëronin Don Mattia Ferrari, kapelan i Mediterranea Saving Humans dhe themeluesi i OJQ-së, Luca Casarini.

R. SH. - Vatikan

Nuk është hera e parë që zhvillohet një takim i tillë, në mënyra shumë të ngjashme. Dhe çdo herë "çasti i madh i hirit" përsëritet. Don Mattia Ferrari rrëfeu, mesditën e djeshme, 2 korrik, atë që jetoi në Shtëpinë e Shën Martës, ku shoqëroi edhe një herë një grup emigrantësh të etur për të njohur Françeskun, Papën, ose më mirë për ta "Atin", sepse kështu e perceptojnë, siguron Don Mattia. Për ta, me a pa dallim, me a pa tokë, katolikë a myslimanë, Papa është  "bari i të gjithëve".

Histori ndërmjet ferrit dhe shpresave

Protagonistë të këtij takimi këtë herë ishin dy të rinj, Ibrahim Lo, i ardhur nga Senegali duke kaluar nga rruga libiane, dhe Ebriman Kuyateh, me origjinë nga Gambia, me të njëjtën trajektore dramatike. Të dy kanë shkruar libra. Ibrahimi, dy: njëri me titull “Bukë dhe ujë. Nga Senegali në Itali duke kaluar nëpër Libi”, i dyti, “Zëri im. Nga brigjet e Afrikës në rrugët e Evropës”. Historia tjetër ka shije të ngjashme me atë të Ebrimamit e titull kuptimplotë: "Unë e këmbët e mia të zbathura”, me parathënien, ndër të tjera, nga kryeipeshkvi i Modena Nonantola dhe i Carpit, Imzot Erio Castellucci e me pasthënie nga Stefano Croci, drejtor i Migrantes. Në takimin me Papën ishin gjithashtu Don Mattia Ferrari, Stefano Croci, drejtor i Migrantes Carpi, Giulia Bassoli, vullnetare e të njëjtit seksion dhe Luca Casarini, themeluesi dhe kreu i misionit të Mediterranea Saving Humans dhe i ftuar i posaçëm i Sinodit të Ipeshkvijve. Me ta ishte edhe motra Adriana Dominici, e Spin Time Labs në Romë.

Përqafim i ri me Paton

Françesku - tregon Don Mattia - donte të dëgjonte historitë e tyre. Prandai i dëgjoi dhe i falënderoi të gjithë për atë që bëjnë dhe atë që jetojnë e i inkurajoi të ecin përpara.

Krahas të riut nga Senegali dhe Gambi ishte edhe Pato, i cili u takua me Papën në nëntor 2023 - ai, burri i Fatit dhe babai i Marisë, nëna dhe vajza e vogël që vdiqën nga etja në shkretëtirë vitin e kaluar, të përjetësuara si qortim për ndërgjegjet, në përqafimin e tyre të fundit zemërthyer, që bëri xhiron e botës.

Histori të ferrit, por edhe të shpresës, që të gjithë donin t'i dorëzonin në duart e Françeskut. Çka u përjetua, duke përfshirë mirëpritjen që  jetuan këta të rinj - komenton Don Mattia - tregon se sa e vërtetë është "përvoja që fitohet në det dhe në tokë, domethënë, kur ne i ndihmojmë ose mirëpresim të varfërit, emigrantët: janë ata, që na shpëtojnë". E edhe se “në dashurinë, në vëllazërinë që jetohet me të varfërit, me mërgimtarët, jetohet shpëtimi”.

03 korrik 2024, 12:14