Papa me disa nga pjesëmarrëset në asamblenë e sinodit në tetor  Papa me disa nga pjesëmarrëset në asamblenë e sinodit në tetor   (ANSA)

Papa: dëgjoni gratë, shpesh vuajnë, sepse nuk përfillen

Françesku nënshkruan parathënien e librit "Gratë dhe detyra e tyre në kishën sinodale", vëllim i botuar kohët e fundit, shkruar nga kardinajtë Hollerich e O'Malley si dhe tre teologë, ndërmjet të cilëve ipeshkvi anglikan Wells, i cili mori pjesë në mbledhjen e shkurtit të C9. “Drama e shpërdorimit na detyroi të hapim sytë përballë klerikalizmit, që nuk ka të bëjë vetëm me meshtarët e shuguruar, por edhe me mënyrën e shtrembëruar të ushtrimit të pushtetit në Kishë.

R. SH. - Vatikan

Gratë, roli i tyre dhe vuajtja nga mosnjohja" e asaj që janë e që bëjnë”. Më pas meshtarët e shuguruar, sinodaliteti, drama e shpërdorimit, që na hapi sytë për të parë “plagën” e klerikalizmit dhe ushtrimin e deformuar të pushtetit brenda Kishës, si nga laikët, ashtu edhe nga vetë gratë.

Janë të gjitha temat e ndjeshme kishtare në parathënien që Papa Françesku nënshkruan për librin, botuar nga Paolinet, titulluar "Gratë dhe shërbesat në kishën sinodale", një vëllim i shkruar me pesë duar, nga tri teologe dhe dy kardinaj: motra saleziane Linda Pocher, pedagoge e kristologjisë dhe mariologjisë në Auxilium-in e Romës (që nënshkruan edhe hyrjen); Jo B. Wells, peshkop i Kishës së Anglisë dhe nënsekretar i përgjithshëm i Bashkimit Anglikan; Giuliva Di Berardino, murgeshë e Ordo Virginum në dioqezën e Veronës, liturgjiste, mësuese dhe drejtuese kursesh dhe ushtrimesh shpirtërore. Me ta, edhe kardinajtë Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe relator i përgjithshëm i Sinodit dhe Seán Patrick O'Malley, kryetar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve.

Dialog ndërmjet autorëve

 Një dialog, në këtë rast virtual, ose më saktë, 'letrar', i cili gjithsesi është fryt i dialogut të mirëfilltë ndërmjet vetë autorëve, e edhe me Papën e Këshillin e Kardinajve gjatë takimit të njohur të C9 më 5 shkurt. Atij, në të cilin - për herë të parë që nga krijimi i organizmit - u thirrën nga Papa të merrnin pjesë edhe tri teologet femra, për të ofruar kontribute dhe "provokime", siç i përcakton Françesku, me temën "roli i femrës në Kishë”.

Çështja tani u shqyrtua në thellësi në këtë botim të ri, që pa dritën e shtypit më 9 korrikun e kaluar. Ai pason librin e mëparshëm të motrës Linda Pocher dhe autorëve të tjerë me titull "Demashkullarizimi i Kishës", huazuar nga shprehja e Françeskut e shqiptuar për herë të parë në audiencën në Komisionin Ndërkombëtar Teologjik.

Shërbesat kishtare, temë e rëndësishme dhe delikate

Në parathënie, botuar plotësisht nga L'Osservatore Romano, Papa zbërthen reflektimin e tij nga njëri prej supozimeve kryesore të papnisë: "Realiteti është më i rëndësishëm se ideja". Është i njëjti parim - e Papa Françesku pohon se është i kënaqur me këtë - që drejton "programin e propozuar nga Motra Pocher për formimin e Këshillit të Kardinajve lidhur me studimin e temës së rolit të grave në Kishë, temë tejet e rëndësishme dhe delikate, sa ajo e detyrave në bashkësinë kishtare”.

Drama e shpërdorimeve

Tema pas së cilës fshihet "vuajtja e bashkësive kishtare lidhur me mënyrën se si kuptohet e si jetohet shërbimi, nuk është realitet i ri", kujton Papa, që më pas pohon: "Drama e shpërdorimit na detyroi t’i hapim sytë mbi murtajën e klerikalizmit, e cila nuk ka të bëjë vetëm me meshtarët e shuguruar, por edhe me mënyrën e shtrembëruar të ushtrimit të pushtetit brenda Kishës, gabim në të cilin mund të bjerë kushdo: edhe laikët, e edhe gratë”.

"Të dëgjosh vuajtjet dhe gëzimet e grave është, sigurisht, mënyrë për ta njohur realitetin - pohon Françesku. - “Duke i dëgjuar, pa i gjykuar dhe pa paragjykime, kuptojmë se në shumë vende dhe në shumë situata ata vuajnë pikërisht sepse u mungon njohja e asaj që janë dhe asaj që bëjnë dhe gjithashtu edhe e asaj që mund të bënin, nëse do të kishin hapësirën dhe mundësinë e duhur. Gratë që vuajnë më shumë janë shpesh më të afërtat, më të përgatiturat dhe më të gatshmet për t'i shërbyer Zotit dhe Mbretërisë së tij".

Mos e flijoni realitetin në altarin e ideve

Prandaj Papa Françesku na fton të shikojmë realitetin më shumë se idenë, në mënyrë që të mos biem në "kurthin" në të cilin vetë Kisha ka rënë shpesh gjatë epokës moderne. Kjo do të thotë “ta konsiderosh besnikërinë ndaj ideve më të rëndësishme se vëmendjen ndaj realitetit". “Sidoqoftë, realiteti është gjithmonë më i madh se ideja, e kur teologjia jonë bie në grackën e ideve të qarta dhe të dallueshme, shndërrohet në mënyrë të pashmangshme në shtratin e Prokustit, që flijon realitetin, ose një pjesë të tij, në altarin e 'idesë' - nënvizon Papa. Merita e vëllimit "Gratë dhe shërbesat në Kishën sinodale" është se "nuk niset nga ideja, por nga dëgjimi i realitetit, nga interpretimi i mençur i përvojës së grave në Kishë".

Tema e grave në Instrumentum Laboris

Çështja e rolit femëror në Kishë doli në plan të parë edhe ditët e fundit me rastin e botimit të dokumentit  Instrumentum laboris të sesionit të dytë të Asamblesë XVI të Përgjithshme të Sinodit të Tetorit, që do të mbahen në tetorin e ardhshëm në Vatikan.

Në themelet e tekstit bazë për veprën e etërve dhe nënave sinodale, del në pah "nevoja për njohje më të plotë" të karizmave dhe thirrjeve të tyre. Gratë – lexojmë - "me forcën e Pagëzimit janë plotësisht të barabarta me burrat, marrin të njëjtat dhurata nga Shpirti Shenjt dhe thirren për t'i shërbyer njëlloj misionit të Krishtit". Ndryshimi i parë, pra, që duhet bërë, “është ai i mendësisë”, me “shndërrimin e marrëdhënies, ndërvarësisë dhe reciprocitetit ndërmjet grave dhe burrave, motra dhe vëllezër në Krishtin, në funksion të misionit të përbashkët”.

Përsa i përket temës së diakonatit femëror, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, Kardinali Mario Grech, në konferencën për shtyp ku paraqiti Instrumentum, kujtoi se nuk do të trajtohet në asamblenë e ardhshme, pasi është objekt i një prej grupeve studimore të krijuara nga Papa për t'u thelluar në reflektimin teologjik dhe baritor mbi tema specifike.

Papa Françesku ia ka besuar  diakonatin e grave Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, në kontekstin më të gjerë të formave ministrore, në bashkëpunim me sekretarinë e përgjithshme të Sinodit. Puna, kujtohet në dokumentin kushtuar grupeve studimore, botuar në mars, do të ketë për qëllim t'i përgjigjet dëshirës së Asamblesë Sinodale për "njohjen dhe vlerësimin më të madh të kontributit të grave dhe të rritjes së përgjegjësive baritore, që u janë besuar atyre në të gjitha fushat e jetës dhe të misionit të Kishës”.

12 korrik 2024, 11:53