Kërko

Papa: fëmijët janë pasuri, egoizmi, konsumizmi e varfërojnë botën

“Problemi i botës sonë nuk janë fëmijët që lindin: janë egoizmi, konsumizmi dhe individualizmi, që i bëjnë njerëzit të ngopur, të vetmuar dhe të pakënaqur. #WorldPopulationDay

R.SH. / Vatikan

“Problemi i botës sonë nuk janë fëmijët që lindin: janë egoizmi, konsumizmi dhe individualizmi, që i bëjnë njerëzit të ngopur, të vetmuar dhe të pakënaqur. #WorldPopulationDay. Kështu pohon Papa Françesku, sot më 11 korrik, në platformën X.

Fëmijët janë dhuratë, shoqëria, që nuk i pranon, është e lodhur

Fëmijët janë dhuratë, që Zoti i bën familjes e botës e duhen lindur me bujari e përgjegjësi. Ndërsa familja a shoqëria, që nuk di t’i mirëpresë, është koprrace dhe e lodhur. Këtë mendim shprehu Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbjatur më  11 shkurt 2015 në Sheshin e Shën Pjetrit. Të pashembullt, të papërsëritshëm, që duhen para se të dalin në dritë. Fëmijët të rinojnë e të hapin udhën e së ardhmes, nëse i mirëpret, ndërsa ta mbyllin këtë udhë, duke të krijuar një zbraztësi të padurueshme, nëse i shikon si barrë e i refuzon.

Fëmijët i japin jetë shoqërisë, nëse përbëhet nga njerëz, që e duan jetën, ndërsa e depresionojnë, kur bie viktimë e vetëmbylljes. Këtë sjell, a nuk sjell me vete, lindja e fëmijëve. Gëzimi i fëmijëve i bën të rrahin hareshëm zemrat e prindërve e u hap udhën drejt së ardhmes. Fëmijët janë gëzimi i familjes dhe i shoqërisë. Fëmijët nuk janë problem i biologjisë riprodhuese, as një nga mënyrat për t’u realizuar. E, aq më pak, pak pronë e prindërve. Jo! Jo! Fëmijët janë dhuratë. Dhanti. 

Dhuratë për familjen dhe shoqërinë
Fëmija është dhuratë, pohoi Françesku, gjithnjë audiencës së përgjithshme të  11 shkurtit 2015, e jo sepse është i bukur, sepse mendon si unë, sepse mishëron dëshirat e mia. Fëmija duhet menjëherë, sepse është jetë nga jeta jonë, kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio, është lindur për të mirën e vet, të familjes, të shoqërisë, të njerëzimit mbarë. E megjithatë, e gjithë kjo bukuri, shpesh nuk kuptohet.

Shkaqet e urisë nëpër botë

Rrënja e problemeve të mungesës së ushqimit për të gjithë nëpër botë janë vlerat e gabuara mbi të cilat mbështeten marrëdhëniet ndërkombëtare. "Egoizmi, spekullimet, konsumizmi, korrupsioni, shpenzimet ushtarake. Këto janë shkaqet e urisë nëpër botë". “Mjetet dhe burimet që disponon sot njerëzimi, mund të ofrojnë ushqim me bollëk për të plotësuar nevojat në rritje të secilit. Atëherë pse nuk është e mundur që të shmanget uria për shumë persona, që shpesh arrin deri në pasoja të skajshme?”. Janë të shumta, pati thënë Papa, arsyet për të cilat “shpesh bashkëjetojnë bollëku dhe mungesa e ushqimit. Njëra është gara e pandalshme e konsumit”. Është pastaj edhe “mungesa e vullnetit” për “t’u vënë fre egoizmave të shteteve dhe grupeve të Vendeve”. 

Të gjitha këto arsye,  burojnë nga një perceptim i gënjeshtërt për vlerat mbi të cilat duhet të mbështeten marrëdhëniet ndërkombëtare. Në veçanti, thuhet në reflektimin e tij, një lloj qëndrimi i përhapur në kulturën bashkëkohore “që privilegjon vetëm garën për të mirat materiale, duke e harruar natyrën e vërtetë të qenies njerëzore dhe aspiratat e saj më të thella.” Përfundimi, është paaftësia e shumëkujt të marrë përsipër nevojat e të varfërve”.

Qytetërimi i dashurisë

Në një botë, karakterizuar nga individualizmi dhe globalizimi, nga konsumizmi, nga rendja drejt efikasitetit dhe dukjes, ilaçi është dashuria e anasjelltë. “Të Duam njëri-tjetrin me zemër e me duar”, na kërkon Papa Françesku, sepse “vetëm qytetërimi i dashurisë” mund t’i japë shpirt botës së globalizuar, pre e ndryshimeve të vazhdueshme.

11 korrik 2024, 11:45