Papa: të ndalohen armët autonome, të mbrohet dinjiteti njerëzor në epokën e makinave

Në një mesazh për takimin shumëfetar “Inteligjenca Artificiale - Etika për Paqen”, mbajtur dje e sot në Hiroshima të Japonisë, Françesku nënvizon se “përfshirja në qeverisjen e Inteligjencës Artificiale të pasurive kulturore të popujve dhe të feve është strategjike për suksesin në administrimin e urtë të risive teknologjike”. 16 krerë të feve lindore nënshkruajnë Thirrjen e Romës

R.SH. - Vatikan

Njëmbëdhjetë fe botërore, gjashtëmbëdhjetë nënshkrues të rinj, trembëdhjetë kombe të pranishme, mbi 150 pjesëmarrës: këto janë disa nga shifrat e “AI Ethics for Peace” (Inteligjenca Artificiale - Etika për Paqen), ngjarje historike shumëfetare, mbajtur në Hiroshima, Japoni, më 9 dhe 10 korrik. Kjo veprimtari u përshëndet nga Ati i Shenjtë Françesku me një postim në platformën X, ku Papa nënvizon se “vetëm së bashku mund të arrijmë paqen, falë edhe teknologjive në shërbim të njerëzimit e në respektin për shtëpinë tonë të përbashkët”.

Ipeshkvi i Romës i dërgon edhe një mesazh punimeve dyditore në Hiroshima, ku shkruhet: “Përfshirja në qeverisjen e Inteligjencës Artificiale të pasurive kulturore të popujve dhe të feve është strategjike për suksesin e impenjimit tuaj në administrimin e urtë të risive teknologjike”. E, ashtu si në takimin e G7-ës, ngre zërin për të ndaluar përdorimin e “armëve autonome vdekjeprurëse”, pra, të armëve, që komandohen nga larg e përdorin Inteligjencën Artificiale.

Pjesëmarrësit në AI Ethics for Peace
Pjesëmarrësit në AI Ethics for Peace

Nënshkrimi i Thirrjes së Romës

Sot, 10 korrik, krerët fetarë, që përfaqësojnë 16 fe të ndryshme të botës lindore (budizmi, hinduizmi, zoroastrianizmi, Bahá'í dhe shumë të tjerë), të shoqëruar nga krerët e feve abrahamike (të krishterë, hebrenj dhe myslimanë), nënshkruan Thirrjen e Romës për Etikën e Inteligjencës Artificiale, jo rastësisht, në ambientin e Parkut Përkujtimor të Paqes në Hiroshima. Nënshkruesit e rinj vunë firmën në prani të përfaqësuesve më të lartë të qeverisë japoneze dhe të kompanive të mëdha të teknologjisë Microsoft, IBM dhe Cisco. Thirrja kërkon që për Inteligjencën Artificiale të zbatohet e ashtuquajtura “algoretika”, pra të mendohet për etikën, që nga çasti i projektimit të algoritmit.

Siç raporton Qendra Kërkimore Pew, 85% e popullsisë së botës identifikohet me një traditë fetare. Tani që krerët e të gjitha feve kryesore nënshkruan Thirrjen e Romës për Etikën e Inteligjencës Artificiale, platforma e saj “Rome Call” përfaqëson shumicën e njerëzve të planetit.

Imzot Vincenzo Paglia, kreu i Akademisë Papnore për Jetën, në Hiroshimë
Imzot Vincenzo Paglia, kreu i Akademisë Papnore për Jetën, në Hiroshimë

Vendimet t’i përkasin gjithnjë njeriut

         Duke iu kthyer letrës së Papës Françesku, në të kërkohet me forcë që pavarësisht nga niveli teknologjik i makinave – në këtë rast i Inteligjencës Artificiale – vendimi përfundimtar t’i përkasë gjithnjë njeriut. Ati i Shenjtë vë në dukje se "qeniet njerëzore, jo vetëm zgjedhin, por janë në gjendje të vendosin me zemër", sidomos kur pasojat e vendimeve të tyre prekin shumë njerëz. Duke cituar fjalimin e mbajtur në takimin e G7-ës, në Itali, Papa vëren: "Do ta dënonim njerëzimin me një të ardhme pa shpresë, nëse do t'u hiqnim njerëzve aftësinë që të vendosin për veten dhe për jetën e tyre, duke i dënuar të varen nga vendimi i makinave". Françesku thekson nevojën "për të garantuar dhe për të mbrojtur një hapësirë ​​kontrolli të konsiderueshëm të qenieve njerëzore mbi procesin vendimmarrës të programeve të Inteligjencës Artificiale”, sepse " është në rrezik vetë dinjiteti njerëzor ". E kur kërkon ndalimin e armëve autonome vdekjeprurëse, Ati i Shenjtë nënvizon se “asnjë makinë nuk duhet të zgjedhë nëse do t'ia marrë jetën njeriut apo jo". Në përfundim të mesazhit të tij, Papa shpreson që takimi i Hiroshimës "të sjellë fryte vëllazërimi dhe bashkëpunimi" dhe siguron lutjen që të gjithë "të bëhen mjete paqeje për botën".

Thirrja e Hiroshimës

“Inteligjenca Artificiale - Etika për Paqen” është veprimtari e organizuar nga Akademia Papnore për Jetën, Fetë për Paqe Japoni, Forumi Abu Dabi për Paqen i Emirateve të Bashkuara Arabe, si edhe nga Komisioni për Marrëdhëniet Ndërfetare të Rabinatit të Madh të Izraelit. Në ditën e dytë të punimeve, partnerët organizatorë paraqitën një dokument të quajtur Thirrja e Hiroshimës, në të cilin, përveç përsëritjes së nevojës për ta përdorur Inteligjencën Artificiale vetëm për të mirën e njerëzimit dhe të planetit, i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare të përdorë mjete paqësore për të zgjidhur çdo konflikt, në mënyrë që të arrihet ndërprerja e menjëhershme e të gjitha luftërave.

10 korrik 2024, 13:05