Papa Françesku në Azi e Oqeani, ku pritet me lutje, takime e përgatitje shpirtërore
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku, siç dihet tashmë, do të shkojë nga 2 deri më 13 shtator, në Azi dhe Oqeani, ku do të vizitojë katër vende: Indonezinë, Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singaporin. Në Indonezi do të qëndrojë nga 3 deri më 6 shtator, por besimtarët e shumë ishujve e ata në kufirin me Timorin Lindor nuk do ta shohin aq në Xhakartë - kryeqyteti i vendit me 17 mijë ishuj e me popullsinë me shumicë myslimane më të madhe në botë – sa në Dili, nga ana tjetër e kufirit, në Timorin Lindor – pjesë e ishullit të Timorit, që shpalli pavarësinë nga Indonezia – ku do të marrin pjesë në meshën e kremtuar nga Françesku, në rrafshinën e Tesitolu-t. Besimtarët po organizohen tashmë, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Timorit Lindor, që pas së paku 10 orësh rrugë – gjithnjë më pak se ato që nevojiten për të shkuar në Xhakartë – do të mirëpriten në famullitë e kryeqytetit të vendit, ku Papa do të qëndrojë nga 9 deri më 11 shtator. Kështu po bëjnë besimtarët e dioqezës së Kupangut e të Atambuas, në pjesën perëndimore të ishullit të Timorit, që i takon Indonezisë, nga ku do të nisen 10 mijë vetë.
Marrëdhëniet e indonezianëve me Timorin Lindor
Papa Françesku do të kremtojë meshën në Dili, më 10 shtator, në të njëjtin vend ku Papa Gjon Pali II e kremtoi gjatë vizitës së tij më 1987, kur Timori Lindor ishte nën sundimin indonezian. Plagët e asaj të kaluare janë shëruar pothuajse plotësisht nga pajtimi ndërmjet popullsive, bazuar në një rrugë si psikologjike, për të shëruar traumat, ashtu edhe shpirtërore. Por ka ende shenja dhe plagë që rrjedhin gjak. Pas vitit 1999, kur Timori Lindor shpalli pavarësinë me një referendum nën mbikqyrjen e OKB-së, pati një periudhë tensioni dhe konfuzioni, me dhunë e masakra nga milicitë pro-indoneziane. Në vitet në vijim, rreth 250 mijë vetë u larguan nga Timori Lindor dhe u vendosën në Atambua e Kupang, duke u kthyer më pas gradualisht. Bashkësia katolike i ndihmoi me çdo mjet. Tani, sipas kryeipeshkvit metropolit të Kupangut, imzot Hironimus Pakaenoni, Zoti ofron një mundësi pas atyre ngjarjeve të dhimbshme: "Prania e Papës do t’i vërë vulën udhës së afrimit dhe të pajtimit. Vizita është jo vetëm për katolikët, por për gjithë popullsinë”.
Dioqeza e Kupangut, me shumicë të krishterë
Siç shpjegon imzot Pakaenoni, dioqeza e Kupangut, në ndryshim nga pjesa më e madhe e vendit, ka një popullsi me shumicë të krishterë: 60% protestantë, 35% katolikë e vetëm 3-4% myslimanë. 35 famullitë e saj janë plot me besimtarë, që marrin pjesë aktive në jetën e Kishës. “Feja është e gjallë – nënvizon kryeipeshkvi për agjencinë kishtare të lajmeve FIDES – sidomos ndër të rinjtë. E shohim nga thirrjet në meshtari: në Seminarin e vogël kemi më se 100 të rinj e 90 në Seminarin e madh”. Kisha Katolike drejton 90 shkolla, me kontributin e 53 kongregatave rregulltare, mashkullore e femërore.
Bashkëpunim me myslimanët në Xhakartë
Natyrisht, është më lehtë për këta besimtarë të kapërcejnë kufirin me shtetin fqinj, por përgatitjet për takimin me Papën vlojnë edhe në Xhakartë, ku priten së paku 100 delegatë nga çdo dioqezë e Indonezisë. Papa nuk do të mund të kapërcejë – për arsye sigurie - të ashtuquajturin “Tunel i vëllazërimit”, që lidh katedralen me xhaminë kryesore të qytetit, - shenjë e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy bashkësive, asaj të krishterë e asaj myslimane - por lajmi se Ati i Shenjtë do të vizitojë xhaminë, ku do të takohet me krerët fetarë të besimeve të ndryshme, e entuziazmoi kaq shumë imamin e madh K.H. Nasaruddin Umar saqë nuk diti të përmbahej e, para se ta bënte zyrtarisht qeveria dhe Konferenca Ipeshkvnore Katolike, dha njoftimin kur mori konfirmimin jozyrtar. “Mesazhi i Papës Françesku – deklaroi imami - është edhe misioni i xhamisë Istiqlal, pra, ai i transmetimit të humanizmit, përshpirtërisë dhe qytetërimit, pa dallim feje, etnie, gjuhe. Njerëzimi është një i vetëm”.
Papua Guinea e Re pret Papën
Lutje, reflektime dhe konfrontime edhe për meshtarët e Papua Guinesë së Re, që po përgatiten të presin Papën, i cili do të ndalet në këtë vend pak më shumë se 48 orë. Megjithatë, programi është plot dhe, megjithëse shumica e popullsisë është protestante (katolikët janë vetëm 26% e popullsisë 10 milionëshe), të gjithë e konsiderojnë ardhjen e Atit të Shenjtë si ngjarje historike. Papa i fundit, që vizitoi Papua Guinenë e Re, ishte Gjon Pali II më 1995. Françesku duhej të kishte shkuar katër vjet më parë, por pandemia bllokoi gjithçka. Që nga njoftimi i udhëtimit, famullitë dhe bashkësitë u kanë propozuar besimtarëve lutje e takime, që i ndihmojnë të kuptojnë arsyet pse kreu i Kishës Katolike, i cili është njëkohësisht, lider shpirtëror e kryetar shteti, viziton jo vetëm kryeqytetin, Port Moresby, por edhe Vanimo-n, një qytet të vogël me më pak se 10 mijë banorë, ku ka një bashkësi tejet aktive katolike, plot me misionarë, disa prej të cilëve janë argjentinas. Sipas të dhënave zyrtare, Papua Guinea e Re është vendi i dytë pas Burundit, me përqindjen më të ulët të popullsisë në qytete: 13,2%. Po të kemi parasysh se ishulli ka një shkallë urbanizimi prej 2,51% dhe se një pjesë e madhe e popullsisë është analfabete, formimi i meshtarëve bëhet edhe më i rëndësishëm. Në të gjithë vendin, sipas Vjetarit Statistikor 2021 të Kishës, ka 304 priftërinj dioqezanë dhe 295 rregulltarë, të gjithë në pritje entuziaste të Papës Françesku.