Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Papa Françesku: Rinia juaj të jetë dhuratë për Krishtin

Në një mesazh për një takim përgjegjësish baritorë për rininë në Paraguaj, Papa Françesku u bën thirrje besimtarëve të rinj ta lënë Krishtin t'i transformojë dhe ta jetojnë rininë e tyre “si dhuratë për Jezusin e për botën”

R.SH. – Vatikan

"Lejojeni Krishtin ta shndërrojë optimizmin tuaj të natyrshëm në dashuri autentike; një dashuri që di të sakrifikohet, që është e sinqertë, reale dhe e vërtetë, në mënyrë që rinia juaj të jetë dhuratë për Jezusin e për botën e kështu, do të jeni në gjendje ta kaloni jetën në mënyrë të vlefshme e të frytshme". Ky është inkurajimi i Papës Françesku për Takimin XXI të përgjegjësve kombëtarë të baritorisë rinore në Karaibe dhe në Amerikën Latine, mbledhur në Asunción të Paraguajt, nga 15 deri më 20 korrik.

Duke përshëndetur pjesëmarrësit, Papa thekson vlerën e baritorisë rinore për Kishën, ndërsa u bën thirrje të rinjve ta lënë Krishtin të përdorë energjitë e tyre për të bërë gjëra të mëdha. "Urdhëri i Jezusit ‘për t'u ngritur në këmbë’, thekson Ati i Shenjtë, "do të thotë njëkohësisht detyrë dhe përgjegjësi".

Mos kini frikë nga Zoti

“Mos kini frikë nga Zoti që kalon pranë nesh dhe na pëshpërit në vesh, përkulet dhe na jep dorën që të na ngrejë lart sa herë rrëzohemi”, vijon Françesku, duke vënë në dukje se Krishti na do “në këmbë”, "të ringjallur", prandaj, nuk duhet "të kemi frikë ta lëmë Atë të hyjë në jetën e secilit". “T’ia hapim dykanatësh dyert e zemrës”, vazhdon Papa, sepse kështu do të mund të marrim “jetën e re që vjen prej Tij”, atë, që “s’ka të dytë e që meriton të jetohet”.

Maria na shoqëron me dashurinë e nënës

Ati i Shenjtë ia beson pjesëmarrësit e Takimit, Zojës së Bekuar. "Ajo i shoqëroftë hapat tuaj dhe ndërmjetësoftë për ju me dashurinë e nënës", uron Papa, "në mënyrë që, së bashku me fëmijët, të rriturit dhe të moshuarit, në bashkësinë ndërbreznore, të jeni protagonistë në një Kishë gjithnjë e më sinodale, dishepulle dhe misionare”. Françesku falënderoi veçanërisht “të rinjtë paraguaianë, që u impenjuan me përkushtim për ta bërë të mundur Takimin". I inkurajoi t’i jetojnë këto ditë së bashku, me fe plot mirënjohje dhe i ftoi të vazhdojnë përgatitjen shpirtërore gjatë këtij Viti të Lutjes, për të kremtuar Jubileun e ardhshëm 2025 “me shpresë plot gëzim”.

17 korrik 2024, 14:37