Kërko

Ndjeti i lutjes së Papës në korrik i kushtohet kujdesit baritor të të sëmurëve

“Vajosja e të sëmurit është një nga “sakramentet e shërimit”, të “kujdesit”, që shëron shpirtin”. Kështu thotë Papa Françesku në videon mesazhin që Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës ka publikuar për muajin korrik. Ftesa është për të inkurajuar mbarështimin e Sakramentit për të Sëmurët, duke parë në të "një shenjë të dukshme dhembshurie dhe shprese".

R.SH. - Vatikan

“Kujdesit baritor të të sëmurëve” i kushtohet ndjeti i lutjes së Atit të Shenjtë Françesku për këtë muaj, publikuar në një video mesazh, si çdo muaj, nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, në bashkëpunim me kryedioqezën e Los Anxhelosit. Në qendër të video mesazhit është Sakramenti i Vajosjes së të sëmurëve, për të cilin Papa dëshiron të sqarojë të gjithë duke larguar çdo frikë.

"Vajosja e të sëmurëve - thotë Ati i Shenjtë Françesku - nuk është Sakrament vetëm për ata që janë në pragun e vdekjes. Jo. Është e rëndësishme që kjo të jetë e qartë. Kur meshtari i afrohet një personi për t’i administruar Sakramentin e Vajosjen së të sëmurëve, nuk është duke e ndihmuar atë domosdoshmërisht t'i thotë lamtumirë jetës".

Të mendosh për këtë Sakrament nga ky këndvështrim do të thotë "të heqësh dorë nga çdo shpresë", duke e marrë si të mirëqenë faktin, shton Papa, "që pas priftit do të vijë varrmihësi". Françesku kujton "se Vajosja e të sëmurëve është një nga "sakramentet e shërimit", që shëron shpirtin". Për këtë arsye "kur një person është shumë i sëmurë, këshillohet t'i jepet Vajosja e të sëmurit".

Vajosja e të sëmurit, shpjegon më tej Papa, nuk është e destinuar vetëm për ata që janë të sëmurë, por është një e mirë edhe për të moshuarit. Dhe përfundon duke shpjeguar ndjetin e lutjes që i beson gjithë Kishës gjatë këtij muaji korrik: "të lutemi që Sakramenti i Vajosjes së të sëmurëve t'u japë njerëzve që e marrin atë dhe të dashurve të tyre forcën e Zotit, dhe të bëhet gjithnjë e më shumë një shenjë e dukshme dhembshurie dhe shprese”.

Një sakrament që ngushëllon dhe me dimension komunitar

Sakramentet e Kishës janë dhurata, lexojmë në njoftimin për shtyp që prezanton video mesazhin e Papës, ato janë mënyra përmes të cilave Jezusi e bën veten të pranishëm për të bekuar, inkurajuar, shoqëruar, ngushëlluar. Kështu ndodh edhe me dhënien e Sakramentit të Vajosjes së të sëmurëve, një sakrament që u ofron ngushëllim atyre që vuajnë nga sëmundja dhe njerëzve të tyre të dashur. Më tej është një sakrament me natyrën komunitare.

Deklarata kujton më tej një pohim të Papës Françeskut gjatë një audience të përgjithshme mbajtur në shkurt të vitit 2014, ku mes tjerash thotë: "Në kohë dhimbjesh dhe sëmundjesh ne nuk jemi vetëm: meshtari dhe ata që janë të pranishëm gjatë Vajosjes së të sëmurëve përfaqësojnë të gjithë komunitetin e krishterë që, si një trup i vetëm, mblidhet rreth atyre që vuajnë dhe familjeve të tyre, duke ushqyer tek ata fenë e shpresën dhe duke i mbështetur me lutje dhe ngrohtësi vëllazërore".

02 korrik 2024, 11:26