Kërko

Papa: lutja është forca e shpresës

Papa: “lutja është forca e parë e shpresës.#VitiiLutjes”.

R.SH. / Vatikan

Lutja është forca e parë e shpresës.#VitiiLutjes”. Kështu pohon Papa Françesku sot, 18 korrik 20204, në platformën X.

Lutja është ilaçi vërtetë

Njeriu i të gjitha kohëve, nuk ka pushuar së luturi, sepse ka vijuar të kërkojë, në rrjedhë shekujsh, kuptimin e jetës njerëzore. “Urata është ilaçi vërtetë për jetën tonë. Në lutje, mund ta ndjejmë prezencën e Zotit pranë nesh. Përdëllimi dhe ëmbëlsia e vështrimit të tij na ngushëllon, forca e fjalës së tij na mbështet, duke na dhënë shpresë”. Kështu pati thënë Papa Françesku gjatë lutjes mbrëmësore kremtuar më 5 maj 2016 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Për Papën Françesku, “forca e lutjes dhe dashurisë e shndërrojnë vuajtjen në shpresë”. 

Lutja e bërë me gjithë zemër ka forcë të madhe. Këndej, një i krishterë njihet si i tillë nëse ka një zemër që di të lutet e të falë. Lutja është kjo: hapja e derës për Zotin, që ai të vijë e të mund të bëjë diçka. Të lutesh është gjë e thjeshtë, do të thotë të flasësh me Zotin, ose të rrish me Të. Të gjithë mund ta bëjnë. Por në të njëjtën kohë kjo gjë kaq e thjeshtë, është edhe e vështirë, sepse lutja kërkon që njeriu të dalë nga hapësira e ngushtë e vetvetes, t’ia hapë zemrën dashurisë e të impenjohet gjithnjë më shumë në botë.

“Për të krishterin, të lutet nuk do të thotë të ikë nga realiteti e t’i shmanget përgjegjësisë, por ta pranojë deri në fund të fundit, duke besuar plotësisht në dashurinë besnike e të pashterrshme të Zotit”. Pra, na kujton Papa, mund të themi se lutja, që është hapje e zemrës e lartim kah Zoti, bëhet, kështu, lidhje personale me Të.]

Shpresa nuk zhgënjen kurrë

Shpresa është virtyt i atyre që kanë zemër të re dhe sy të hapur. Shpresa është virtyti për të cilin bota e sotme ka shumë nevojë. Prandaj Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të8 majit të kaluar."Kush shpreson e duron, është në gjendje t’i përballojë edhe netët më të errëta", por shpresa nuk është merita e tij, bazohet në Jezusin e ringjallur. "Nëse beson në ringjalljen e Krishtit, atëherë e di me siguri se asnjë humbje e asnjë vdekje nuk është e përjetshme".

Vetëdija e dashurisë së Zotit për ne është rrënja e shpresës së krishterë, që nuk të zhgënjen kurrë, nuk përjashton, as nuk mënjanon kënd. Kështu pati pohuar Papa Bergoglio në audiencën e përgjithshme të 15 shkurtit 2017 në Sallën Pali VI, në prani të shumë besimtarëve, ardhur nga mbarë bota, që Françesku i përshëndeti me gëzim, duke i nxitur të ngulmojnë po kështu edhe në lutje, kur i kërkojnë hire Zotit.

Shpresa, që na dhuroi Zoti, nuk na ndan nga të tjerët, aq më pak na lejon t’i diskreditojmë a t’i mënjanojmë! Papa Françesku shpjegojë kuptimin e shpresës së krishterë, duke theksuar edhe një herë se ajo nuk të zhgënjen kurrë, ngaqë është e fortë e themeli i saj është gjëja më  besnike e më e sigurt: dashuria e Zotit për ne.

18 korrik 2024, 13:31