Papa, ministrantëve: "Me ty. Është shprehje që përmban misterin e jetës sonë"

Papa takoi dje pasdite, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, 70 mijë ministrantë nga vende të ndryshme evropiane, në Romë për shtegtimin e 13-të, organizuar nga Coetus internationalis ministrantium (Cim). Në lutjen e mbrëmjes me të rinjtë, Papa nënvizoi se vetëm falë Krishtit, i cili në Eukaristi “është me ne shpirtërisht dhe fizikisht”, mund të duam si Ai, “të qajmë me ata që qajnë, të gëzohemi me ata që gëzohen, pa i gjykuar". Thirrja e fëmijëve për paqe në botë, në lutjet e besimtarëve

R.SH. / Vatikan

Pamja që ka përpara e prek edhe Françeskun, i cili, duke parë gjysmëciklin e Berninit plot djem e vajza, nuk mund të mos thërrasë: “Sheshi i Shën Pjetrit është gjithmonë i bukur, por me ju është edhe më i bukur! Faleminderit! Faleminderit që erdhët në Romë!”. Këto janë fjalët që Papa u drejtoi dje pasdite vonë, 70 mijë shërbyesve të altarit, ardhur në Romë nga 20 vende të ndryshme evropiane, të cilët me bluzat, pankartat, flamujt, kapelet dhe çadrat e tyre për t'u strehuar nga dielli i nxehtë i korrikut, ndërsa dita po mbaronte, mbushnin me ngjyra tremen e Bazilikës së Vatikanit dhe sheshin e madh.

Ishin pjesëmarrësit e Shtegtimit të 13-të ndërkombëtar të Coetus internationalis ministrantium (Cim), shoqatë në të cilën bëjnë pjesë krerët dioqezanë dhe ata që merren me kujdesin baritor të shërbyesve të altarit, që këtë vit ka zgjedhur temën "Me ty!". “Më prek” - thotë Papa Françesku, që e shqipton fjalën edhe në gjermanisht, “Mit dir”, gjuha e pjesëmarrësve më të shumtë; pastaj në anglisht, “With you”, e edhe në frëngjisht “Avec vous”. “Thuhet kështu gjithçka, me dy fjalë”, shton, e njëkohësisht “të lë hapësirë ​​për kërkime, për të gjetur kuptime të ndryshme të mundshme”:

Me ty! Është shprehje që përmban misterin e jetës sonë, misterin e dashurisë”.

Mes turmës së ministrantëve

Ministrantët e rinj e pritën ardhjen e Papës që në orët e para të pasdites. Në orën 16.00 nisi mirëseardhja, me këngë dhe çaste argëtimi; më pas, pritja e kardinalit Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i Coetus internationalis ministrantium (Cim) dhe reflektimet e disa ipeshkvijve, me intervale muzikore. Papa Françesku mbërriti pak pas orës 17:30: me të, në papmobil, pesë djem ministrantë. Së bashku me ta, Papa përshkoi Sheshin e Shën Pjetrit e shkoi edhe më tej, derisa arriti në Via della Conciliazione, në Romë, ku e prisnin mijëra shtegtarë të tjerë. Françesku i kushtoi rreth gjysmë ore turmës së të rinjve, i përshëndeti dhe u buzëqeshi e, më pas, arriti në tremen e Bazilikës, ku disa të rinj e prisnin për t’i shtrënguar dorën.

Përshëndetja, nga Kardinali Hollerich

Kardinali Hollerich, president i CIM, i drejtoi përshëndetjen e rastit Papës Françesku, duke shpjeguar domethënien e parrullave të shtegtimit të shërbyesve të altarit, “kushtuar kryesisht Krishtit. Sepse Atij i afrohemi në një mënyrë të veçantë gjatë shërbimit në altar". “Me ju” do të thotë afrim me njëri-tjetrin”, vazhdon ai, duke saktësuar se “nëpërmjet lidhjes së veçantë me Krishtin, lind miqësia e vërtetë ndërmjet shërbyesve të altarit” pa harruar se ne jemi “miq të vërtetë vetëm kur ua shtrijmë duart atyre që kanë vështirësi në shoqërinë tonë: të varfërve, të përndjekurve, të shtypurve, të pastrehëve, të papunëve, refugjatëve, të gjithë fëmijëve dhe të rinjve, viktima të bullizmit e të vetmisë”.

Pas përshëndetjes së kardinalit Hollerich, filloi lutja e mbrëmjes dhe u ndez kemtari, të cilin disa shërbyes të altarit e mbushën me kokrra kemi, që nisën të lëshojnë aromën, ndërsa kemtari i madh lëkundej, duke kujtuar gjestin që djemtë e vajzat pranë altarit bëjnë gjatë kremtimeve liturgjike.

Në Kungim Jezusi është me ne

Papa Françesku u foli fëmijëve pas leximit të Ungjillit. Në fjalimin e tij u përqendrua tek "përvoja e shërbëtorëve të altarit në shërbimin liturgjik", ku "protagonist i fjalës "me ty" është Zoti". Në vijim kujtoi fjalët e Jezusit: 'Aty ku dy ose tre janë mbledhur në emrin tim, aty jam edhe unë, në mesin e tyre'”. E gjithë kjo “arrin kulmin në Meshë”, ku “me ty” bëhet prani reale, prani konkrete e Zotit në Korpin dhe Gjakun e Krishtit. Është mister që “meshtari e shikon si realizohet” çdo ditë “në duart e tij”. “E shihni edhe ju, kur shërbeni në altar”, u kujtoi Papa djemve e vajzave që shërbejnë pranë altarit gjatë kremtimit të Meshës:

Kur marrim Kungimin Shenjt, mund ta ndjejmë se Jezusi është “me ne” shpirtërisht dhe fizikisht. Ai të thotë: ‘Unë jam me ty’, por jo me fjalë, e thotë në atë gjest, në atë akt dashurie, që është Eukaristia”.

T’i duash të tjerët si Krishti, në një mënyrë të re

Në Kungim, meqenëse Jezusi "është me ne, edhe ne mund të jemi vërtet me Të". Kjo është “pika kyçe” për Françeskun:

Është me ty, që të mund t'ua japësh të tjerëve. Kështu mund të përmbushet urdhërimi i tij: ‘Duajeni njëri-tjetrin siç ju desha unë”.

E pastaj, duke e ruajtur këtë mister të Zotit në zemrën dhe në korpin e vet, njeriu bëhet i aftë për të qenë me të tjerët në një mënyrë të re. Edhe ti - falë Jezusit, gjithmonë dhe vetëm falë Tij - mund t'u thuash të tjerëve "Unë jam me ty"; e jo me fjalë, por me vepra, me gjeste, me zemër, me afërsi konkrete - mos harroni afërsinë konkrete – duke qarë me ata që qajnë, duke u gëzuar me ata që gëzohen, pa gjykime, pa paragjykime, pa mbyllje, pa përjashtime.

Të duash si Krishti na bën t'u afrohemi atyre që nuk na pëlqejnë, të huajve, njerëzve nuk na kuptojnë, atyre që besojnë ndryshe nga ne - përfundon Papa – duke i falënderuar shërbyesit e altarit që erdhën si shtegtarë në Romë "për të ndarë gëzimin" që ndjejnë shërbëtorët e dashurisë së Jezusit dhe duke i uruar atyre udhë të mbarë me Të.

31 korrik 2024, 11:52