Papa miraton statutin e ri të Rrjetit Botëror të Lutjeve
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku ka miratuar statutin e ri të Fondacionit të Vatikanit “Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës”. Miratimi i nënshkruar më 1 korrikun e kaluar është shpallur sot. Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës është një iniciativë e lindur nga Jezuitët dhe i është besuar gjithnjë jezuitëve. Krahasuar me statutin e mëparshëm të vitit 2020, Sekretaria e Selisë së Shenjtë për Ekonominë ka përgjegjësinë për miratimin përfundimtar të buxheteve, projekteve dhe bilanceve përfundimtare, si dhe për emërimin e revizorit të vetëm, detyra që më parë i ishin besuar Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.
Një nismë e vitit 1844 për formimin e jezuitëve
Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës, kujton statuti, u zhvillua nga iniciativa origjinale e Apostullatit të Lutjes, e lindur në Francë në 1844, nga Ati jezuit François-Xavier Gautrelet, dhe fillimisht iu drejtua jezuitëve të rinj gjatë formimit të tyre fillestar në jetën rregulltare. Një nismë kjo që u rrit shpejt si një apostullim i lutjes për misionin e Kishës, duke arritur rreth 13 milionë anëtarë në shumë vende të botës. Më pas, në vitin 1915, lindi Kryqëzata Eukaristike, sot Lëvizja Eukaristike Rinore, si seksioni i të rinjve në kuadrin e Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës. Me kalimin e viteve dhe nëpërmjet statuteve të ndryshme, Apostullimi i Lutjes është bërë gjithnjë e më shumë një shërbim i Selisë së Shenjtë pranë lutjes për ndjetët e Papës (siç dëshironin veçanërisht nga Leoni XIII dhe Piu XI).
Fondacioni i Vatikanit lindi në vitin 2020
Në vazhdim me paraardhësit e tij, Papa Françesku deshi që ky shërbim ndaj Atit të Shenjtë, nëpërmjet lutjes, të shndërrohej në Vepër Papnore, duke krijuar, me një kirograf të datës 17 nëntor 2020, Fondacionin Vatikanas të "Rrjeti Botëror të Lutjeve të Papës" (RBLP). Në këtë mënyrë, nëse në të kaluarën Apostullimi i Lutjes perceptohej si një mision i Selisë së Shenjtë që i ishte besuar Shoqërisë së Jezusit, që nga ai moment, si Rrjet Botëror i Lutjeve të Papës, ai vazhdoi t'u besohej jezuitëve, por ishte i hapur ndaj një dimensioni universal, duke e vënë veten në shërbim të çdo Kishe të veçantë në botë. Kështu, Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës koordinon dhe gjallëron këtë lëvizje shpirtërore në shumë vende, duke mbështetur misionin ungjillëzues të Papës përmes lutjes për një mision dashurie për botën.
Një rrjet i pranishëm në 89 vende, me 22 milionë katolikë
Siç nënvizon statuti i ri, Fondacioni Vatikanas i "Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës" ka një detyrë globale koordinimi dhe animacioni, dhe sot është i pranishëm në 89 vende, që janë përfshirë në një rrjet të përbëhet nga më shumë se 22 milionë katolikë. Vendet dhe dioqezat e marrin lutjen si një formë apostullimi dhe, në veçanti, mirëpresin ndjetët mujore të lutjes të propozuara nga Ati i Shenjtë në Kishë, si temë ose përmbajtje të lutjes personale ose në grup, duke bashkëpunuar, kështu, me misionin e Kishës në shërbim të sfidave të njerëzimit. Mjetet e reja të lutjes të propozuara nga Fondacioni Vatikanas "Rrjeti Botëror të Lutjeve të Papës" janë "Click To Pray", platforma zyrtare e lutjes në internet e Papës dhe "Il video del Papa", e cila shpërndan ndjetët e lutjes së Papës për çdo muaj.