Françesku: feja është shkandull në një shoqëri të anestetizuar nga konsumizmi

Papa Françesku kryeson Meshën në Trieste, në përfundim të Javës së 50-të Sociale të Katolikëve në Itali: “Zoti fshihet në skutat e errëta të jetës dhe të qyteteve tona. Pafundësia e Zotit fshihet në mjerimin njerëzor”. Ekziston një thirrje e fortë për t'u angazhuar së bashku për një qytetërim të ri paqeje dhe vëllazërimi

R.SH. / Vatikan

Përballë sfidave sociale dhe politike që na sfidojnë, nevojitet shkandulli  i fesë. Kjo, thirrja e Françeskut gjatë Meshës, kryesuar sot paradite, në Piazza Unità d'Italia, në Trieste, në mbyllje të Javës së 50-të Sociale të Katolikëve të Italisë, shoqëruar nga 98 prelatë dhe 260 meshtarë. Të pranishëm, mbi 8500 besimtarë. Me ta, edhe ipeshkëvijtë dhe barinjtë e Kishave ortodokse serbe, ortodokse greke dhe luterane.

 “Nuk kemi nevojë për një fe të mbyllur në vetvete, e cila i larton sytë drejt qiellit pa u shqetësuar për atë që ndodh në tokë – theksoi Papa - por një fe të rrënjosur tek njeriu i krijuar nga Zoti, i cili hyn në histori dhe shëron zemrat e thyera”

Një Meshë  e jashtëzakonshme sot, në Trieste, në ndjekje të përvojës së Jezusit. Papa foli për fenë: një fe të shqetësuar, e cila na ndihmon të kapërcejmë mediokritetin dhe përtacinë e zemrës, që bëhet gjemb në mish të një shoqërie shpesh të anestizuar dhe të shtangur nga konsumizmi. Është, mbi të gjitha, fe që zhvendos llogaritë e egoizmit njerëzor, denoncon të keqen, çon gishtin drejt padrejtësive e trazon komplotet e atyre që, nën hijen e pushtetit, luajnë me lëkurën e të ligshtit. Nga ky qytet i Triestes, me pamje nga Evropa, udhëkryq popujsh dhe kulturash, tokë kufitare - kujtoi - ne ushqejmë ëndrrën e një qytetërimi të ri, të themeluar mbi paqen dhe vëllazërinë.

Papa: na duhet shkandulli i fesë, që bëhet tharm i shpresës dhe embrion i botës së re”.

Për të rizgjuar shpresën e zemrave të thyera dhe për të mbështetur vështirësitë e udhës, Zoti ngjalli gjithmonë profetë në gjirin e popullit të vet. E pra, siç na kujton Leximi i Parë i sotëm, duke na treguar ngjarjet e Ezekielit, ata shpesh gjetën një popull rebel, "bij kokëfortë e zemërgur" (Ezek 2,4), e nuk u pranuan.

Edhe Jezusi ka të njëjtën përvojë, si profetët. Kthehet në Nazaret, në atdheun e tij, mes njerëzve me të cilët u rrit, por nuk njihet, madje refuzohet: “erdhi te të vetët, e të tijtë nuk e pritën” (Gjn 1,11). Ungjilli na thotë se Jezusi "ishte për ta shkak shkandulli" (Mk 6,3), por duhet kujtuar se fjala "shkandull" nuk ka të bëjë me diçka të turpshme ose të pahijshme, siç  përdoret sot; shkandull do të thotë "pengesë", domethënë diçka që të bllokon dhe të pengon të shkosh më tej.

Çka na pengon të besojmë në Krishtin?

Ta pyesim veten - ftoi Papa – çka na pengon të besojmë në Jezusin? Duke dëgjuar fjalimet e bashkëfshatarëve të tij, shohim se ato ndalen vetëm në historinë e tij tokësore, në origjinën e tij familjare dhe, si pasojë, nuk janë në gjendje të shpjegojnë se si nga i biri i Jozefit, zdrukthatarit, domethënë një njeriu  të zakonshëm, mund të dalë kaq shumë mençuri, e madje edhe aftësi për të bërë mrekulli. Pra, shkandulli është natyra njerëzore e Jezusit. Çka i pengon këta njerëz të njohin praninë e Zotit në Jezusin, është fakti se Ai është njeri, është thjesht i biri i Jozefit, marangozit: si mundet Zoti, i gjithëpushtetshmi të duket në brishtësinë e korpit të një njeriu? Si mundet një Zot i gjithëfuqishëm dhe i fortë, i cili krijoi tokën dhe çliroi popullin e tij nga skllavëria, të bëhet i ligësht deri në atë pikë, sa të vijë me korp dhe të përkulet për të larë këmbët e dishepujve?

Ky është shkandulli!

Vëllezër dhe motra – shpjegoi më tej Papa -  ky është shkandulli: feja  e bazuar mbi një Zot-njerëzor, që ulet në mes të njerëzimit, që kujdeset për të, që preket nga plagët tona, që lodhjen tonë e merr mbi vete, që thyhet si buka për ne. Një Zot i fortë e i pushtetshëm, që është përkrah meje e më kënaq me gjithçka, është tërheqës; një Zot i ligësht, që vdes në kryq nga dashuria e më kërkon ta mund çdo egoizëm dhe të flijoj jetën për shpëtimin e botës, është Zot i pakëndshëm.

Shkandulli i Fesë, tharm i shpresës dhe embrion i botës së re

Megjithatë, duke ndenjur para Zotit Jezus e duke hedhur një sy mbi sfidat që na shqetësojnë në këtë Javë Sociale italiane, për jetën konkrete të popullit tonë dhe përpjekjet e tij, mund të themi se sot kemi nevojë pikërisht për  këtë: për shkandullin e fesë. Jo të një feje të mbyllur në vetvete, që i çon sytë drejt qiellit pa u shqetësuar fare për atë që ndodh në tokë dhe kremton liturgji në tempull, duke harruar pluhurin që shtrohet në rrugët tona:

“Përkundrazi, ajo që na duhet është shkandulli i fesë, një feje të rrënjosur në Zotin që u bë njeri dhe, për rrjedhojë, fe njerëzore, fe prej mishi, që hyn në histori, që ledhaton jetën e njerëzve, që shëron zemrat e thyera, që bëhet tharm i shpresës dhe embrion i një bote të re”.

Domethënia e shkandullit të fesë

Feja për të cilën foli Papa në këtë homeli - është fe që zgjon ndërgjegjet nga topitja, vë gishtin mbi plagët e shoqërisë, ngre pikëpyetje për të ardhmen e njeriut dhe të historisë;

“… është fe e shqetësuar, që na ndihmon të kapërcejmë mediokritetin dhe përtacinë e zemrës, që bëhet gjemb në mish të një shoqërie shpesh të anestizuar dhe të shtangur nga konsumizmi. Është, mbi të gjitha, besim që zhvendos llogaritë e egoizmit njerëzor, denoncon të keqen, çon gishtin kundër padrejtësive, trazon komplotet e atyre që nën hijen e pushtetit luajnë me lëkurën e të dobëtit”.

Një poet nga ky qytet - vijoi Papa - duke përshkruar në një lirikë kthimin e tij të zakonshëm në shtëpi në mbrëmje, shprehet se po kalon nëpër një rrugë disi të errët, një vend degradimi, ku njerëzit dhe mallrat e portit janë "mbeturina", domethënë mbeturina njerëzimi; por pikërisht këtu - shkruan ai - "Unë gjej, duke kaluar, pafundësinë në përvujtëri", sepse prostituta dhe marinari, gruaja që grindet dhe ushtari, "janë të gjithë krijesa të jetës dhe të dhimbjes; Zoti vepron në to, si në mua" (U. SABA, "Città Vecchia", në The Songbook (1900-1954) Definitive Edition, Torino, Einaudi, 1961).

Zoti fshihet në qoshet e errëta të jetës

Të mos e harrojmë këtë: Zoti fshihet në skutat e errëta të jetës dhe të qyteteve tona, prania e tij zbulohet pikërisht në fytyrat e gropuara nga vuajtjet, në të cilat duket se ngadhënjen degradimi. Pafundësia e Zotit fshihet në mjerimin njerëzor, Zoti shqetësohet dhe bëhet prani miqësore pikërisht në korpin e plagosur të të fundmit, të harruarit dhe të flakurit. Dhe ne, që ndonjëherë shkandullohemi pa nevojë nga shumë gjëra të vogla, do të bënim mirë të pyesnim veten: pse të mos shkandullohemi kur përballemi me të keqen që përhapet, jetën që poshtërohet, problemet e punës, vuajtjet e migrantëve? Pse mbetemi apatikë dhe indiferentë ndaj padrejtësive të botës? Pse të mos e marrim për zemër situatën e të burgosurve, qoftë edhe nga ky qytet i Triestes?

Të dashur, Jezusi e jetoi profecinë e jetës së përditshme në korpin e tij, duke hyrë në jetën dhe historitë e përditshme të njerëzve, duke shfaqur dhembshurinë e Zotit brenda punëve të brishta të njerëzimit të plagosur: “E për këtë, ndokush u shkandullua prej Tij, e kështu u bë pengesë, u refuzua derisa u gjykua e u dënua; megjithatë, Ai i mbeti besnik i misionit të tij, nuk u fsheh si njeriu me dy fytyra, nuk u pajtua me logjikën e pushtetit politik e fetar. Nga jeta e tij ai bëri një ofertë dashurie për Atin. Kështu edhe ne të krishterët: jemi thirrur të jemi profetë dhe dëshmitarë të Mbretërisë së Hyjit, në të gjitha situatat që përjetojmë, në çdo vend ku jetojmë”.

Ëndrra për një qytetërim të ri

Nga ky qytet i Triestes, me pamje nga Evropa, udhëkryq popujsh dhe kulturash e tokë kufitare, ne ushqejmë ëndrrën e një qytetërimi të ri të themeluar mbi paqen dhe vëllazërinë – theksoi në përfundim të homelisë Papa - të mos shkandullohemi nga Jezusi, por përkundrazi, të indinjohemi përballë të gjitha atyre situatave, në të cilat jeta brutalizohet, plagoset, vritet; ta mbajmë profecinë e Ungjillit në korpin tonë, me zgjedhjet tona, para se me fjalë – theksoi në përfundim Papa – duke i drejtuar Triestes thirrjen për të përhapur kudo Ungjllin e shpresës:

“Dhe kësaj Kishe të Triestes dua t'i them: përpara! Vazhdoni të punoni në vijën e parë për të përhapur Ungjillin e shpresës, veçanërisht ndaj atyre që vijnë nga rruga ballkanike dhe ndaj të gjithë atyre që, në trup apo në shpirt, kanë nevojë të inkurajohen dhe të ngushëllohen. Të angazhohemi së bashku që, duke rizbuluar se jemi të dashur nga Ati, të jetojmë të gjithë si vëllezër”.

07 korrik 2024, 12:32