Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Papa në Belgjikë dhe Luksemburg, publikohet programi zyrtar

Françesku do të udhëtojë në dy vendet evropiane nga 26 deri më 29 shtator. Janë planifikuar takime me klerin, të rinjtë dhe autoritetet; në Bruksel, vizitë tek mbreti i Belgjikës dhe në bashkësinë e Universitetit të lashtë të Louvain

R.SH. – Vatikan

Takime të shumta do të karakterizojnë katër ditët e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Belgjikë dhe Luksemburg, ku ai do të shkojë nga data 26 deri më 29 shtator. Salla e Shtypit e Vatikanit njoftoi sot (19 korrik) programin zyrtar të shtegtimit ndërkombëtar të Atit të Shenjtë.

Mbërritja në Luksemburg

Etapa e parë do të jetë Luksemburgu, ku Papa do të mbërrijë paraditen e së enjtes, 26 shtator, pas një fluturimi dy orësh. Nisja nga aeroporti ndërkombëtar Romë/Fiumicino është planifikuar për në orën 08.05; në orën 10.00, avioni papnor do të ulet në aeroportin e Luksemburgut/Findel, ku do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes.

Në orën 10.45, vizita e kortezisë tek Duka i Madh i Luksemburgut, në Pallatin dukal, më pas, takimi me kryeministrin në orën 11.15, ndërsa në orën 11.50, ai me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në "Cercle Cité". Françesku do të mbajë aty fjalimin e tij të parë.

Takimi me bashkësinë katolike dhe nisja për në Bruksel

Papa do ta mbajë fjalimin e dytë pasdite, në orën 16.30, para bashkësisë katolike, në katedralen Notre-Dame të Luksemburgut. Françesku do të largohet nga vendi në orën 17.45, pas ceremonisë së lamtumirës në aeroportin ndërkombëtar Luksemburg/Findel. Nisja për në Bruksel, në orën 18.15. Ati i Shenjtë do të mbërrijë në kryeqytetin belg në orën 19.10, në bazën ajrore Melsbroek, ku do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes.

Takimi me mbretin e Belgjikës, me autoritetet dhe me profesorët e Universitetit të Louvain

Dita e dytë e udhëtimit, e premte 27 shtator, do të hapet në orën 9.15 me një vizitë kortezie te mbreti i Belgjikës në kështjellën Laeken. Në orën 9.45, takimi me kryeministrin dhe në orën 10, takimi me autoritetet dhe shoqërinë civile. Pritet një fjalim i Papës. Pasdite, në orën 16.30, Françesku do të takohet me profesorët e universitetit katolik të Louven-it, një nga më të vjetrit në Evropë, që në vitin 2025 kremton 600-vjetorin e themelimit.

Takimi me klerin dhe me të rinjtë

Dita e së shtunës, 28 shtator, do t'i kushtohet takimit me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët dhe murgeshat, seminaristët dhe punonjësit baritorë të Kishës, në bazilikën e Zemrës së Krishtit, në Koekelberg. Papa do t'u drejtohet atyre me një fjalim. Takimi do të mbahet në orën 10. Ndërkaq, në orën 16.30, Ati i Shenjtë do të bisedojë me studentët e universitetit në Aula Magna të Université Catholique de Louvain në Louvain-La-Neuve. Së fundi, si zakonisht në të gjitha udhëtimet apostolike, takimi privat i Papës me anëtarët e Shoqatës së Jezusit, që do të mbahet në Kolegjin “Saint Michel”.

Mesha përfundimtare

I gjithë udhëtimi do të përfundojë të dielën, më 29 shtator, me meshën e orës 10.00, në stadiumin “Mbreti Baudouin”. Papa do të mbajë homelinë dhe do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët e pranishëm. Në orën 12.15, ai do të zhvendoset në bazën ajrore Melsbroek për ceremoninë e lamtumirës, ​​të planifikuar për orën 12.15. Nisja për në Romë, në orën 12.45, ndërsa mbërritja në aeroportin ndërkombëtar të Romës/Fiumicino parashikohet në orën 14.55.

19 korrik 2024, 13:11