Il Papa prega davanti all'icona Santa Maria in Portico (29 maggio 2016) Il Papa prega davanti all'icona Santa Maria in Portico (29 maggio 2016)

Papa: përballë skenarit aktual, është urgjente të mbrohet paqja

Mesazh i Françeskut për Atë Piccolo, rektor i përgjithshëm i Urdhrit të Klerikëve të Rregullt të Nënës së Zotit, për 1500 vjetorin e kultit të figures së Shën Marisë në Portico - Romanae Portus Securitatis, Pajtore e Qytetit të Amshuar. Papa fton familjen regulltare "të kujdeset dhe të nxisë vlerën e mirëseardhjes të më të varfërve dhe më të vegjëlve, duke i ngushëlluar e duke i ndihmuar të gjithë ata që vuajnë nga format e shumta të varfërisë, të cilat rëndojnë mbi jetën tonë".

R.SH. / Vatikan

Lutuni për paqen dhe bëhuni "ndërtues të paqes". Kjo, ftesa e Papës, "duke parë skenën aktuale", në letrën për kultin 1500-vjeçar të figures së nderuar të Shën Marisë në Portico - Romanae Portus Securitatis, Pajtore e Qytetit të Amshuar - Romës, "fener i ndritshëm, që u priu bijve të saj drejt portit të sigurt”. Ikona e Virgjërës së Shenjtë "u zbulua në një çast veçanërisht të vështirë për Kishën, duke shpalosur mantelin e saj mbi Papën Gjon I, i cili vuajti dhe vdiq për paqen, pa e mohuar fenë, peng i komploteve politike dhe luftërave vëllavrasëse të kohës" - shkruan Ati i Shenjtë Françesku në letrën drejtuar Atë Antonio Piccolo, Rektor i përgjithshëm i Urdhrit të Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit, të cilit iu besua kujdestaria e kultit që nga viti 1601.

Ndërtuesit e paqes

Kujtimi i kësaj historie i krijoi Papës rastin për të reflektuar mbi këtë epokë të tronditur nga dhuna dhe për të bërë thirrjen: “Përballë skenarit aktual, si nuk mund të kuptojmë urgjencën e rikthimit të paqes, përmes lutjes për paqen? Kërkoni paqen dhe jini ndërtues të paqes para së gjithash në bashkësitë tuaja të pajtuara dhe pajtuese. Shembulli i jetës vëllazërore qoftë frymë ungjillore tërheqëse për besimtarët, për të cilët kryeni shërbimin baritor” - u shkruan Papa, Klerikëve të Rregullt të Nënës së Zotit.

Themelimi i Urdhrit

Familjes rregulltare Papa Françesku i kujton se është pranë saj në këtë përvjetor shumë domethënës për të gjithë Kishën e Romës, e, në vijim, nënvizon edhe "përkimin providencial" me kujtimin e themelimit të Urdhrit rregulltar në vitin 2024, nga Shenjti farmacist Giovanni Leonardi, i devoçëm i Zojës Mari, zgjedhur si Pajtor qiellor besnik ndaj karizmës leonardine.

Mirëpritja e të varfërve

Prandaj Papa kujton në letër edhe zanafillën e kultit të Shën Marisë në Portico të Campitelli-t, lindur pas "dukjes së mrekullueshme të Nënës së Zotit" më 17 korrik 524, në shtëpinë e Shën Galës, patric romak, e në prani të Papës së lartpërmendur Shën Gjon I. “Që atëherë Portico, në Romë, ku fisniku Galla priste të varfërit dhe shtegatrët, u shndërrua në shenjtërore mariane dhe në bujtinë bamirësie. Kjo – u shkruan Papa Françesku leonardinëve - është ftesë për ju, trashëgimtarë shpirtërorë të Shën Leonardit, për t'u kujdesur dhe për të nxitur vlerën e mirëseardhjes të varfërve dhe të fundmëve, “në mënyrë që vendet ku jetojmë dhe vetë kishat të jenë portik i hapur për botën, ku ofrojmë ngushëllim dhe ndihmë për format e shumta të varfërisë, të cilat rëndojnë mbi jetën tonë”.

Zelli misionar

Në këtë frymë Leonardi themeloi “Kongregatën e Meshtarëve të Reformuar të Shën Mërisë”, pikërisht për t’i rikthyer Kishës “shkëlqimin apostolik të zanafillës”. “Krishti para së gjithash - do të thoshte - Krishti në qendër të gjithçkaje, Krishti masa e gjithçkaje!”.

Krishti është i vetmi ilaç që mund të shërojë sëmundjet e Kishës dhe të njeriut” - thekson Papa Françesku në letër për kultin 1500-vjeçar të figures së nderuar të Shën Marisë në Portico, në Romë. Dhe e nxit Kongregatën Mariane "për zell misionar gjithnjë e më të madh dhe përparim të vazhdueshëm në jetën shpirtërore, duke pranuar thirrjen e Themeluesit të Shenjtë, i cili kujtonte me forcë para syve të mendjes dhe të zemrës vetëm nderin dhe lavdinë e Krishtit, e këtë, të kryqëzuar".

Prej këndej, inkurajimi "për të pasur në zemër formimin e gjithanshëm të fesë"  e edhe për një apostullim, që "mund të jetë kanal hiri dhe mjet për shpalljen e gëzueshme të Ungjillit".

17 korrik 2024, 12:09