Kërko

 Papa Françesku me Kryeipeshkvin e Palermos Corrado Lorefice gjatë vizitës në kryeqytetin sicilian më 2018 Papa Françesku me Kryeipeshkvin e Palermos Corrado Lorefice gjatë vizitës në kryeqytetin sicilian më 2018  (Vatican Media)

Papa, popullit të Palermos: sipas shembullit të Shën Rozalisë, jepini fytyrë të bukur qytetit

Në një mesazh drejtuar kryeipeshkvit të Palermos Corrado Lorefice, në 400-vjetorin e zbulimit të eshtrave të Shën Rozalisë dhe çlirimit të kryeqytetit sicilian nga murtaja, Françesku i fton besimtarët dhe të devoçmit e "santucës" "ta shndërrojnë në stil jete ungjillore dëshminë e fesë dhe të bamirësisë së saj për të gjithë", e shembullin e saj, në "fener shprese".

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku deshi të bashkohej shpirtërisht përmes një mesazhi, me besimtarët e kryeipeshkvisë së Palermos të cilët, nga data 10 deri më 15 korrik, festojnë 400-vjetorin e zbulimit të eshtrave të Pajtores së tyre, Shën Rosalisë, "grua e apostulle", që nuk ngurroi të pranonte provat e vetmisë së madhe për dashurinë e Zotit të saj”.

E dashuruar me Krishtin, e re fisnike nga Siçilia e shekullit të 12-të braktisi "pasurinë e botës" dhe zgjodhi jetën vetmitare. E e jetoi jetën nën shenjën e kryqit, ashtu siç është në çdo kohë jeta e të krishterit.

Jetë kundër-rrymës

Jeta e të krishterit është gjithnjë dashuri! “Të krishterët nuk dinë të urrejnë! Dinë vetëm të duan, gjithmonë”, edhe “në rrethana në të cilat dashuria nuk kuptohet ose edhe refuzohet”, nënvizon Françesku në tekstin dërguar kryeipeshkvit Corrado Lorefice, duke shtuar se “edhe sot është zgjedhje kundër rrymës, pasi ata që ndjekin Krishtin janë thirrur të bëjnë të tyren logjikën e ungjillit, që është shpresa, e të vendosin t'i lënë vend në zemrën e tyre dashurisë për të tjerët, ta flijojnë veten për vëllain, ta ndajnë me ata që nuk e jetuan për shkak të 'murtajave' që e godasin njerëzimin”.

E kështu, duke ndjekur shembullin e Shën Rosalisë, "gruas së shpresës",  Papa i fton të gjithë të dëshmojnë shpresën në Krishtin.

“Kisha e Palermos, ngrehu! Ji fener i shpresës së re, bashkësi e gjallë që, e ringjallur nga gjaku i martirëve, i jep dëshmi të vërtetë dhe ndriçuese Krishtit, Shëlbuesit tonë. Popull i Zotit në këtë truall të bekuar toke, mos e humb shpresën, mos u dorëzo, mos të të lëshojë zemra! Rizbuloje gëzimin e mahnitjes përballë ledhatimit të një Ati, që të thërret pranë vetes dhe të prin në shtigjet e jetës, për të shijuar frytet e harmonisë dhe të paqes"

Dëshmia e besimit të Shën Rozalisë të jetë stil jete

Françesku u kërkon besimtarëve të "santucës", "trashëgimtarëve shpirtërorë", "ta shndërrojnë dëshminë e saj të fesë dhe të bamirësisë ndaj të tjerëve në mënyrë jetese ungjillore", t'i japin, si ajo, "një fytyrë të bukur" trojeve të Palermos, të pasura me kulturë, histori e fe të thellë, ku gratë dhe burrat e mëdhenj gjetën forcë për ta shkrirë krejtësisht veten për Ungjillin dhe drejtësinë shoqërore”.

“Në shkollën e Shën Rozalisë, duke hequr dorë nga ajo që është e tepërt, mos ngurroni ta dhuroni veten bujarisht për të tjerët. Kini guxim në përballimin e sfidave, që ende pengojnë rilindjen e këtij qyteti, rruga e të cilit është rënduar nga shumë probleme, disa prej të cilave janë tejet të dhimbshme. Shikoni me guxim Atë, që është Mëshirë, në sytë e të cilit vuajtjet e popullit të tij nuk janë të padukshme"

Jini dishepuj të guximshëm të Krishtit

Papa kujton se Viti Jubilar Rosalian, i shpallur më 10 korrik 2023 për të kremtuar me ngjarje fetare, kulturore dhe sociale 400-vjetorin e zbulimit të mbetjeve mortore të Shën Rozalisë në Monte Pellegrino dhe të çlirimit të kryeqytetit sicilian nga murtaja, si dhe për ta bërë më të njohur "santucën" dhe jetën e saj, "mbi të gjitha favorizoi lulëzimin shpirtëror" në bashkësinë kishtare". Prandaj, duke i nxitur besimtarët të dëgjojnë "me bindje" Shpirtin Shenjt dhe "të përhapin aromën e mirëseardhjes dhe të mëshirës", Françesku më në fund i nxit t'ia dorëzojnë "dëshirat dhe ëndrrat Shën Rozalisë dhe t'i kërkojnë asaj "t’i ndihmojë ta davarisin frikën, që than rrënjët e së mirës, ​​për të qenë ‘dishepuj të guximshëm’ të Krishtit dhe ‘ndërtues të shpresës’".

08 korrik 2024, 15:34