Papa me Hirësinë  e Tij,  Metropolitin Antonij i Volokolamsk, Papa me Hirësinë e Tij, Metropolitin Antonij i Volokolamsk,  (Vatican Media)

Papa priti Metropolitin Antonij të Patriarkanës së Moskës

Pasditen e djeshme, më 11 korrik, Papa priti Metropolitin rus të Patriarkanës së Moskës. Është takimi i katërt i Françeskut me metropolitin, kryetar i Departamentit të Marrëdhënieve kishtare me jashtë.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku priti në audiencë Metropolitin e Volokolamsk Antonij, kryetar i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Patriarkanës së Moskës. Njoftimin e jep Salla e Shtypit e Vatikanit, që sqaron se takimi u zhvillua buzëmbrëmjeje dje, e enjte, 11 korrik. Papa dhe Antonij u takuan për herë të parë më 5 gusht 2022, kur përfaqësuesi ortodoks ishte për herë të parë në Vatikan, pas emërimit të tij qershorin e kaluar, duke pasuar Metropolitin Hilarion.

Më 15 shtator 2022 u zhvillua një takim i ri në Nur-Sulltan, kryeqytet i Kazakistanit, ku Papa ishte për të marrë pjesë në Kongresin e udhëheqësve të feve tradicionale. E edhe më 3 maj 2023 Antonij erdhi në Romë për të takuar disa krerë Dikasteresh të Kuries Romake dhe mori pjesë në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Me atë rast e përshëndeti Papën dhe u ndal për të biseduar me të për disa çaste. Françesku, si gjithmonë në këto takime, i puthi Panaghinë, apo medaljonin me figuren e Nënës së Zotit, që metropolitët ortodoksë e mbajnë gjithnjë mbi kraharor.

12 korrik 2024, 12:19