Papa: si Shën Injaci i Lojolës, ta lëmë Jezusin të na bëjë për vete

Papa: Shёn Injaci Lojolës na mëson pёrvujtёrinё: pёrvujtёrinё qё na bën tё vetëdijshëm se nuk jemi ne ata qё ndërtojnë Mbretërinë e Zotit, por është gjithmonë hiri i Zotit qё punon ne, enё argjile tё brishta, nё tё cilat ёshtё një thesar i madh qё bartim dhe komunikojmë.

R.SH. / Vatikan

Shën Injaci i Lojolës, që e kujtojmë sot, si ushtar i ri mendonte për lavdinë e vet, por më pas u tërhoq fuqimisht nga Lavdia e Zotit, që i dha kuptim jetës së tij”. Kështu shkruan Papa në një tweet, botuar në faqen e tij të internetit @Pontifex më 31 korrik 2019.

“ashtu si Shën Injaci Lojolës, ta lëmë Zotin të na bëjë për vete e, të prirë prej Tij, të vihemi në shërbim të të afërmit”. Kështu pati thënë Papa Bergoglio, jezuit, në faqen e internetit @Pontifex të 31 korrikut 2017,  në ditën kur Kisha katolike kremton festën e Shën Injacit të Lojolës.

#Shёn Injaci na mëson pёrvujtёrinё: pёrvujtёrinё qё na bën tё vetëdijshëm se nuk jemi ne ata qё ndërtojnë Mbretërinë e Zotit, por është gjithmonë hiri i Zotit qё punon ne, enё argjile tё brishta, nё tё cilat ёshtё një thesar i madh qё bartim dhe komunikojmë". Kёshtu pati thënë Papa Françesku nё njё tweet, më 31 korrik 2020, nё festën e Shёn Injacit tё Lojolёs.

Ndërsa më 31 korrik 2019, Papa Françesku pohoi: “Shën Injaci i Lojolës, që e kujtojmë sot, si ushtar i ri mendonte për lavdinë e vet, por më pas u tërhoq fuqimisht nga Lavdia e Zotit, që i dha kuptim jetës së tij”. 

Për të ndihmuar të tjerët, kemi nevojë për takimin personal me Zotin: për çaste lutjeje e për dëgjimin e Fjalës së Tij”: ky pohimi i Papës Françesku, mё 31 korrik 2018, në kremtimin liturgjik të shën Injacit të Lojolës, i mirënjohur për ushtrimet e tij shpirtërore, gjatë të cilave mund të kundrohet nga afër Hyji, të njihet e të kuptohet plani i Tij për secilin.

Nga luftëtar për të pushtetshmit, u shndërrua në luftëtar për Zotin. Me këto pak fjalë mund të përmblidhet jeta e Shën Injacit.

Íñigo López de Loyola lindi në Spanjë, në vitin 1491, në një familje të pushtetshme fisnike. Mbeti shpejt jetim e u dërgua  në oborrin mbretëror, pranë ministrit të financave të mbretit katolik Ferdinandi, ku mori edukatë kalorsiake e fetare. Në këto vite iu kushtua letërsisë dhe kompozimit poetik, por edhe dëfrimeve, ashtu si gjithë kalorësit e epokës. Më pas, kalorësi i ri, me temperament të zjarrtë, u nis të mbrojë Pamplonën e rrethuar nga francezët, por u plagos në këmbën e djathtë aq, sa iu desh t’i nënshtrohej operacioneve shumë të dhimbshme, që e lanë sakat për gjithë jetën.

Pikërisht në këtë periudhë pa ngjarje, kur mërzitej për vdekje gjithë ditën në shtrat, nisi të lexojë jetën e Jezusit, shkruar nga Lodolfo Cartusiano si dhe Flos sanctorum. U shndërrua mrekullisht! Kalorësi i mbretit doli nga spitali  Kalorës i Krishtit, duke e konkretizuar këtë rrugëzgjidhje në Montserrat,  ku  braktisi uniformën kalorsiake, për të veshur rrobat e të varfërve. Kthesa u bë edhe më e thellë pas “shndritjes së madhe”, që pati pranë lumit Cardoner. Më pas realizoi ëndrrën për të vizituar Jeruzalemin  dhe Viset e Shenjta. U kthye në Spanjë, për të studiuar më pas, në Universitetin e Parisit për 7 vjet, duke zgjeruar kulturën letrare e teologjike.

Këtu, në Monmartre, më 15 gusht të vitit 1534, së bashku me disa studentë të tjerë, u lidh me kushtin e varfërisë e të pastrisë. Dëshira e tij ishte të nisej si misionar në Jeruzalem, ose në ndonjë vend tjetër, ku ta dërgonte Papa. Pasi u shugurua meshtar, filloi udhën për miratimin e Shoqërisë së Jezusit nën papninë e Palit III, për ta përfunduar nën Julin III, në vitin 1550. Si u zgjodh Epror i parë i përgjithshëm, Injaci i nisi menjëherë shokët nëpër botë për të hapur shkolla e seminare. Kështu, përmes predikimeve, rrëfimeve e shkollimit, jezuitët nisën të depërtojnë në të gjitha shtresat e shoqërisë. Injaci vdiq më 1556, 65 vjeç. Shenjt u shpall në vitin 1622.

Ushtrimet shpirtërore, shtypur për herë të parë në vitin 1548, janë margaritarë të trashëgimisë së Shën Injacit. Në qendër, shqyrtimi, shoshitja, aftësimi për dallimin e së mirës nga e keqja. Për të punoi më shumë Shën Injaci, duke e parë si armë lufte, në përpjekjen për ta njohur më mirë Zotin e për ta ndjekur më nga afër - pohon Papa Françesku, duke iu përgjigjur një pyetjeje të atë Spadaros gjatë një interviste, dhënë më 2013. Papa i parë jezuit në histori, ndalohet tek virtyti i zemërgjërsisë, domethënë tek aftësia për të bërë gjëra të vogla çdo ditë, brenda horizontit të Mbretërisë së Zotit. Nënvizon, më pas,  se “ky shqyrtim kërkon kohë”, sepse duhet gjithnjë kohë për të ndryshuar me të vërtetë, e kjo është pikërisht koha e shqyrtimit. Për shembull, shqyrtimi nuk të lë ta bësh menjëherë atë, që në fillim mendoje ta bëje më pas. Nuk i besoj kurrë vendimit të parë, domethënë asaj, që më vjen menjëherë në mendje të bëj, nëse duhet të marr ndonjë vendim. Duhet shoshitur, pra, pa nxitim, derisa të arrihet te vendimi i pjekur. Këtë vijon të na mësojë Eprori i parë Jezuitëve e, pas tij, jezuiti i parë Papë.

31 korrik 2024, 10:19