Shtegtimi Apostolik në Portugali me rastin e XXXVII Ditës Botërore të Rinisë - Via Crucis me të rinjtë Shtegtimi Apostolik në Portugali me rastin e XXXVII Ditës Botërore të Rinisë - Via Crucis me të rinjtë  (Vatican Media)

Papa, të rinjve rumunë: përdorini rrjetet sociale, pa u ngujuar në jetën virtuale

Françesku i përgjigjet letrës së pjesëmarrësve në një takim dioqezan, duke i ftuar të rinjtë të transmetojnë në internet vlerat "që ndërtojnë" me guxim dhe frymë krijuese, duke shmangur prirjen për t’u bërë "skllevër të celularit". Dilni në botë, "shikojini në sy vëllezërit dhe motrat".

R. SH. - Vatikan

“Bëhuni mbartës të shpresës dhe ndërtues të urave, duke përdorur çdo mjet për të mbjellë mirësi dhe dashuri në botë”. Kështu u shkruan Papa Françesku të rinjve rumunë të dioqezës së Iasit, duke iu përgjigjur letrës së tyre, dërguar në gjysmën e majit përmes kardinalit Pietro Parolin. Sekretari i Shtetit merrte pjesë në takimin e rinisë dioqezane në Iasi, më 18 dhe 19 maj, i ftuar nga ipeshkvi Iosif Păuleț.

Në mesazhin e tij, Papa inkurajon të rinjtë që të përdorin rrjetet sociale “me guxim dhe frymë krijuese, duke transmetuar vlerat, që ndërtojnë: miqësinë, paqen, dialogun ndërmjet grupeve dhe kulturave etnike, familjes dhe vlerave të krishtera”. Në vijim i nxit të ruhen për të mos u bërë skllevër të celularit dhe për të mos mbetur të mbërthyer në jetën virtuale, në dëm të jetës reale.

Pasuria e vërtetë është në marrëdhëniet e drejtpërdrejta e të sinqerta

 “Dilni në botë, takoni njerëz, dëgjoni historitë e tyre, shikoni vëllezërit dhe motrat tuaja në sy. Pasuria e vërtetë gjindet në marrëdhëniet njerëzore të jetuara çdo ditë, në lidhje të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë".

 Më tej, Papa i fton të rinjtë të marrin pjesë në takimin kombëtar të të rinjve, i cili do të mbahet në shtator, në rrethin e Brasovit.

"Do të jetë mundësi e çmuar për t'u rritur së bashku në fe - shkruan ai - për të shkëmbyer përvoja dhe për të forcuar rrugën tuaj të krishterë".

“Mos harroni të luteni për mua”- u kujton në fund Papa Françesku - “Mbështetja juaj shpirtërore është një dhuratë e paçmuar, që më ndihmon t'i shërbej Kishës dhe njerëzimit”.

06 korrik 2024, 11:37