Papa u kërkon rregulltarëve të luten për thirrjet
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, si rrallëherë në korrik, muaj gjatë të cilit Papa është me pushime, anëtarët e gjashtë kongregatave rregulltare – nga Urdhri i Minimalëve, nga ai i Klerikëve Rregulltarë të Vegjël, nga Klerikët Rregulltarë të Shën Viatorit, nga Motrat Augustiniane të Dashurisë Hyjnore, nga Motrat Shpërblyese të Zemrës së Krishtit dhe nga Motrat misionare të Shën Antonit Maria Klaret – që ndodhen në Romë për kapitujt e tyre të përgjithshëm, ose rajonalë.
Në fillim të takimit, Ati i Shenjtë i pyeti sa rishtarë apo novicë kanë dhe i paralajmëroi se, pa "fëmijë", urdhrat e tyre do të vdesin. "Po ju pyes", u tha ai, "sepse kjo do të thotë të pyesësh për të ardhmen e kongregatave tuaja". Më pas, Papa vijoi, duke nënvizuar dy aspekte të jetës shpirtërore të rregulltarëve e të murgeshave: bukurinë dhe thjeshtësinë.
Hiri dhe bukuria e fytyrës së Zotit
Historitë e çdo urdhri, vuri në dukje Papa, "janë histori bukurie, sepse në to shkëlqen hiri dhe bukuria e fytyrës së Zotit". Françesku i ftoi të pranishmit të “vazhdojnë dëshminë” e themeluesve të tyre, të cilët “qenë në gjendje ta perceptonin këtë bukuri dhe ta transmetonin atë në mënyra të ndryshme, sipas nevojave të kohës”. "Varet nga ju", u tha rregulltarëve e murgeshave, "të vijoni, ashtu siç bënë ata, që ta kërkoni dhe ta përhapni bukurinë e Krishtit në rrethanat konkrete të botës së sotme".
Thjeshtësi: zgjidhni ç’është thelbësore
Ati i Shenjtë vuri në dukje se themeluesit e urdhrave të ndryshëm "zgjodhën çka është thelbësore ... dhe hoqën dorë nga çdo gjë e tepërt". Në këtë mënyrë, “ata e lanë veten të plazmoheshin çdo ditë nga thjeshtësia e dashurisë së Hyjit, që rrezatohet nga Ungjilli”. Papa i ftoi burrat dhe gratë e kushtuara Zotit t’i luten Atij të Lumit për «dhuratën e thjeshtësisë», ndërsa përgatiten për kapitujt e tyre, duke u bërë thirrje të «zhvishen» nga çdo gjë, që mund të bëhet pengesë për «dëgjimin e vëmendshëm dhe ruajtjen e harmonisë» gjatë shoshitjes së problemeve të tyre. Duke vepruar kështu, theksoi Papa Françesku, do të jenë në gjendje t’i kuptojnë nevojat aktuale dhe "të marrin vendimet më të mira për të ardhmen".
Një mision i madh
Ati i Shenjtë përmendi më pas impenjimin e rregulltarëve për të qenë të varfër e të bindur, sepse vetëm kështu mund të aftësohen për të ndërmarrë "misionin e madh", që u ka besuar Zoti Atë. U kujtoi atyre domosdoshmërinë e lutjes, veçanërisht lutjen përpara Krishtit në tabernakull; lutje, që duhet të vijë “nga zemra” dhe që “na nxit të ecim përpara, në rrugën e Zotit”.
Lutja për thirrjet
Papa Françesku pati fjalë mirënjohjeje dhe inkurajimi, përpara se të përfundonte me këshillën që të gjithë të luten për thirrjet. “Ju duhet të keni pasardhës, të cilët duhet të çojnë përpara karizmat tuaja”, u tha rregulltarëve, duke shtuar: “Lutuni, lutuni! E kushtojini vëmendje formimit, në mënyrë që ai të jetë i mirë”.