Papa: Virgjëra e Malit Karmel u dhuroftë paqen popullsive të shtypura nga lufta
R.SH. / Vatikan
“#Virgjëra e Lume e Malit Karmel u dhuroftë ngushëllim dhe #paqe të gjitha popullsive që janë të shtypura nga tmerri i luftës. Ju lutemi, të mos e harrojmë Ukrainën, Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe #TëLutemiSë bashku për paqen”.
Papa, sot në festën liturgjike të Zojës së Karmë, 16 korrik, në platformën X, kujton edhe një herë popullsitë e stërmunduara nga luftërat dhe u kërkon besimtarëve t’i kërkojmë Zojës Mari dhuratën e paqes.
#ZojaKarmelit, nëna jonë, na ndihmo tё kemi duar të pafajshme dhe zemër të pastër, të mos themi gënjeshtra dhe të mos flasim në dëm të tё afërmit tonë. Kështu që tё mund të ngjitemi në malin e Zotit dhe të marrim bekimin e tij, drejtësinë e tij, shpëtimin e tij". Kёshtu pati pohuar Papa Françesku nё njё tweet, mё 16 korrik 2020 nё festёn e Zojёs sё Karmelit, nё faqen e internetit @Pontifex.
Në vitin 2013, me rastin e Kapitullit të Përgjithshëm të Urdhërit të Vëllezërve të së Lumes Virgjër Mari të Karmelit, Papa pati vënë në dukje frytet e kësaj tradite shpirtërore:
“Dëshmia e Karmelit në të kaluarën i përket traditës thellësisht shpirtërore që lulëzoi në një nga shkollat më të mëdha të lutjes. Ajo i dha guxim burrave dhe grave, të cilët përballuan rreziqe të mëdha, e deri vdekjen Po kujtojmë vetëm dy martirë bashkëkohorë: Shën Terezën Benedikta e Kryqit dhe të Lumin Titus Brandsma”.
T’i çohet Krishti botës
Misioni i Kishës për t’i çuar Krishtin Botës, sipas Papës, nuk është “detyrë” vetëm për njerëzit e kushtuar, por, siç e pohon ai vetë në shumë raste, të gjithë jemi të thirrur, duke përfshirë edhe, e sidomos, të rinjtë. Papa i kujton gjithnjë dy shenjtoret e mëdha karmelitane, dy Terezat: atë të Krishtit Fëmijë dhe të Avilës. E pikërisht fjalët e kësaj të fundit, tejet të çmuara për të gjithë, i citon në një mesazh, drejtuar ipeshkvit të Avilës:“Është koha të ecim!’. Këto fjalë të Shën Terezës së Avilës, të thëna pak para vdekjes, për ne janë sintezë e jetës së saj e trashëgimi e çmuar, që duhet ta ruajmë e ta pasurojmë më tej”.
Devocioni popullor
Devocioni i Zojës së Karmelit nëpër botë u përhap edhe më shumë përmes skapolarit. Nuk është simbol fati, as nuskë. Është simbol i të vërtetave të mëdha të fesë, që transmetohen përmes përshpirtërisë popullore: “Përmes përshpirtërisë popullore mund të kuptojmë mënyrën me të cilën feja, që morëm, mishërohet në kulturë e vijon të transmetohet nga breznia në brezni” (Papa Françesku, Nxitja Apostolike Evangelii Gaudim – Forca ungjillëzuese e përshpirtërisë popullore).