Vatikan: Papa takon fëmijët e kampit veror
R.SH. - Vatikan
Paraditen e sotme Papa Françesku vizitoi qendrën verore "Vera e Fëmijëve në Vatikan" (“Estate ragazzi in Vaticano”), i shoqëruar nga salesiani Don Franco Fontana, përgjegjës për organizimin e javëve me aktivitet fizik, edukativ dhe shpirtëror të qendrës. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë. Pas një përshëndetjeje të shkurtër dhe falënderimeve për bamirësit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, Papa u zhvendos në zonën e qendrës së vogël sportive, e ndërtuar kohëve të fundit dhe e destinuar për fëmijët e punonjësve, kushtuar Shën Jozefit.
Pas mbërritjes së Papës, u zhvillua një takim i shkurtër me animatorët dhe më pas Ati i Shenjtë zhvilloi një bisedë me fëmijët dhe të rinjtë pjesëmarrës në qendrën verore. Duke iu përgjigjur pyetjeve dhe ndërhyrjeve të fëmijëve dhe të rinjve, i frymëzuar nga rruga e reflektimit dhe aktiviteteve që po ndjekin këto ditë, Papa Françesku foli për vlerën e familjes, prindërve, marrëdhëniet me gjyshërit, tha Don Franco Fontana dhe na kërkoi të punojmë për paqen – sepse “ të bësh paqe është gjëja më e bukur në jetë” – dhe na ftoi të përgatitemi për Jubileun e ardhshëm “me shpirt gëzimi”.
Së fundi, pas një momenti lutjesh, fëmijët dhe të rinjtë të gjithë së bashku hodhën në ajër tullumbace me ngjyra të bëra prej gome natyrale, të biodegradueshme, ku secili kishte të shkruar fjalë të Papës: “Për ty, djalë i dashur, për ty, vajzë e dashur, je e çmuar në sytë e Zotit”, me shpresën që mesazhi të arrijë sa më shumë njerëz.