Zoja e Borës, Papa shkon në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe më 5 gusht
R.SH. / Vatikan
Me rastin e festës së Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe (Santa Maria Maggiore), në Romë, më 5 gusht Papa Françesku do të marrë pjesë në kremtimin e lutjes së Mbrëmësores në orën 17.30 me rishfaqjen e mrekullisë së dëborës, të kryesuar nga Imzot Rolandas Makrickas, kryeprift koadiutor i Bazilikës mariane.
Paraditen e 5 gushtit, në orën 10:00, me rishfaqjen e mrekullisë së borës, Mesha e shenjtë kryesohet nga Kardinali Stanislaw Rylko, Kryeprift i Bazilikës së Shën Marisë së Madhe. Pasdite, në orën 19:00, Mesha do të kryesohet nga Imzot Emilio Nappa, President i Shoqatave të Misionit Papnor.
Papa - siç dihet - është veçanërisht i lidhur me Bazilikën Liberiane të Shën Marisë së Madhe, në Romë, aq sa shpalli se donte të varrosej atje dhe jo në kripten e Bazilikës së Vatikanit. Para dhe pas çdo udhëtimi apostolik ndërkombëtar, Papa Françesku shkon në Bazilikë për të nderuar ikonën e Shën Marisë Salus Populi Romani.
Më 5 gusht, në përkujtimin e Kushtimit të Bazilikës Papnore të Shën Marisë së Madhe në Romë e në Solemnitetin e Zojës së Dëborës, kthehet çdo vit reshja e petaleve të bardha të luleve, që kujtojnë mrekullinë e rënies së dëborës që ndodhi në vitin 358 pas Krishtit, gjatë papnisë së Papës Liberi.
Në atë kohë, Zoja iu shfaq në ëndërr Papës dhe patricit romak Gjon, duke u kërkuar të ndërtonin një kishë në vendin, që ajo do t’u tregonte. Pasi u zgjuan nga gjumi, në mes të gushtit, Papa dhe patrici e gjetën kodrën Esquilino të mbuluar me borë. Ishte shenja që prisnin. Aty u ndërtua kisha kushtuar Zojës dhe ngjarja hyri në histori si “mrekullia e dëborës”. Çdo vit, më 5 gusht, kremtohet përvjetori i saj, duke imituar rënien e flokëve të borës me petalet e luleve, por edhe bëhen homazhe e kremtohen Meshë solemne për nderim të Virgjërës Mari.
Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe, ku çdo vit më 5 gusht përkujtohet 'mrekullinë e dëborës’, është njëra nga katër bazilikat patriarkale të Romës. Është Shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhrin e Papës Siksti III, pak pas Koncilit të Efezit në vitin 431.