Afërsia e Papës me Greqinë e dëmtuar rëndë nga zjarri
R.SH. / Vatikan
Në lutjen e sotme të Engj[llit të Zotit, 15 gusht, në solemnitetin e Zojës së Ngjitur në Qiell, Papa kujtoi edhe Greqinë e shkatërruar nga një zjarr i madh, që shpërtheu të dielën, më 11, dhe që vazhdon të kërcënojë të gjithë pjesën verilindore të vendit, rajonin që përfshin Athinën dhe dhjetëra fshatra dhe qytete përreth. “Mendimet e mia tani janë pranë Greqisë, e cila ditët e fundit po lufton me një zjarr shumë të rëndë, të zhvilluar në verilindje të Athinës” - kujton Papa - menjëherë pas thirrjes për tokat e prekura nga lufta, në veçanti në Lindjen e Mesme.
Mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare
Papa Françesku kujton dhjetëra mijëra njerëz tashmë të evakuar: "Shumë familje kanë mbetur pa shtëpi e duhet të përballen me vështirësi të tmerrshme e, përveç dëmeve të mëdha materiale, po krijohet edhe fatkeqësia e mjedisit":
“Lutem për viktimat dhe të lënduarit, siguroj afërsinë time me ata që janë prekur nga kjo ngjarje e rëndë, duke besuar se mund të mbështeten nga solidariteti i përbashkët”.
Fatkeqësia
Flakët, të cilat fillimisht u zhvilluan pranë Varnavas, bënë shkrumb e hi rreth 100 mijë hektarë tokë, në rajonin e Atikës, ku puna e shpëtimit vazhdon pandërprerë edhe në këtë kohë. Mbi 700 zjarrfikës dhe 200 makina zjarrfikëse u mobilizuan për të shuar flakët dhe për të kufizuar në çdo mënyrë, numrin e të lënduarve, 70 deri tani.
Zgjerimi i zjarrit u shkaktua edhe nga era, që ka arritur shpejtësinë 70 kilometra në orë. Zjarri masiv detyroi banorët e dhjetëra qyteteve dhe fshatrave në periferi të Athinës, të evakuohen. Në komunën e Patima Halandriou, më 13 gusht, autoritetet gjetën edhe viktimën e parë të fatkeqësisë: një grua të moshuar me origjinë moldave, trupi i së cilës shtrihej i pafuqishëm në një nga fabrikat që kishte përfunduar në flakë.