Kërko

UKRAINE RUSSIA CONFLICT UKRAINE RUSSIA CONFLICT

Françesku: bota është e përçarë, të lutemi e të sjellim paqen

Në fund të audiencës së përgjithshme, një ftesë e re nga Papa për të kujtuar "Ukrainën e martirizuar, që vuan kaq shumë", Myanmarin, Sudanin e Jugut dhe Kivunë e Veriut: Pa harruar Palestinën dhe Izraelin: “paqja qoftë në ato vise".

R.SH. / Vatikan

Në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku përsëriti thirrjen për paqen, i shqetësuar nga konfliktet e shumta në botë. Duke folur lirisht, pasi përshëndeti shtegtarët italianë, u kërkoi të mos harrojnë "Ukrainën e torturuar, që vuan kaq shumë", as kombet ku ka ende luftime. Të mos e harrojmë Mianmarin, Sudanin e Jugut, Kivunë e Veriut dhe shumë vende, ende në luftë!

Të lutemi për paqen

Ndërsa përparimi i ushtrisë së Moskës në Donetsk dhe i forcave të Kievit në territorin rus nuk ndalen - e ndërsa shpresohet se Hamasi dhe Izraeli do të arrijnë marrëveshjen për armëpushim në Gaza - Françesku bën edhe një herë thirrje për lutje, që të pushojë vringëllima e  armëve.

“Të lutemi për paqen. E të mos i harrojmë Palestinën dhe Izraelin: paqja qoftë me ta”.

Ndjehet fort nevoja për frytet e Shpirtit

Papa u lut edhe për paqen, ndërsa përshëndeti besimtarët e gjuhës polake, të pranishëm në Sallën Pali VI, duke theksuar se sa të nevojshme janë frytet e Shpirtit sot, në përmasa të ndryshme shoqërore:

“Bota jonë, e tronditur nga luftërat dhe përçarjet, ka nevojë më shumë se kurrë për frytet e Shpirtit Shenjt. Duke u nisur nga familjet tuaja dhe mjediset tuaja të punës, sillni në jetën tuaj të përditshme dashuri, paqe dhe mirësi”.

Së fundi, Papa Françesku, duke kujtuar shtegtimet në këmbë, javët e fundit në Jasna Góra, Poloni, uroi që lutjet e besimtarëve, me ndërmjetësimin e Marisë Virgjër, "t'i sjellin botës dhuratën e paqes së shumë dëshiruar”.

21 gusht 2024, 11:51