Françesku lutet për zonat e luftës dhe kërkon dialog e negociata
R. SH. - Vatikan
Ende thirrje për paqe në zonat e botës, ku mbretëron konflikti. Pikërisht këto lartohen nga Sheshi i Shën Pjetrit ku, në Engjëllin e Tënzot Papa Françesku vijoi të shprehë shqetësimet e tij për popujt që nuk janë në gjendje të jetojnë në harmoni.
Angazhimi për dialog dhe negociata
Në zemër të Papës nuk është vetëm fuçia e barutit e Lindjes së Mesme dhe ajo e Evropës Qendrore! Janë edhe tensionet, që nuk ulen në ish-Birmani e vise të tjera. Ndaj Papa fton të lutemi për çdo rajon, ku nuk ka paqe as harmoni:
“Të vazhdojmë të lutemi që udhët e paqes të mund të hapen në Lindjen e Mesme, në Palestinë, Izrael, si dhe në Ukrainën e martirizuar, në Myanmar dhe në çdo zonë lufte, me impenjimin për dialog, bisedime dhe dorëheqje nga reagimet e dhunshme”.
Shembulli i martirëve kongolezë favorizoftë paqen
Menjëherë pas lutjes mariane, Papa kujtoi lumnimet në Uvira, në Republikën Demokratike të Kongos, ku Mesha solemne që lartoi në nderimet e altarit Luigi Carraran, Giovanni Didonén dhe Vittorio Faccinin, misionarë Saverianë, italianë, së bashku me Albert Joubert, prift kongolez përfundoi pak para Engjëllit. Ata u vranë më 28 nëntor 1964. E Papa kërkoi duartrokitje korale për ta:
“Martirizimi i tyre ishte kurorëzimi i një jete të jetuar për Zotin dhe për vëllezërit. Shembulli dhe ndërmjetësimi i tyre haptë shtigjet e pajtimit dhe paqes për të mirën e popullit kongolez”.
Përshëndetje shtegtareve në Shenjtëroren e Piekary Šląskie
Së fundi, Papa u dërgoi një përshëndetje të veçantë, shoqëruar me bekimin apostolik, grave dhe vajzave të mbledhura në shenjtëroren Piekary Šląskie në Poloni: "I inkurajoj që të dëshmojnë me gëzim Ungjillin në familje dhe në shoqëri".
Kujtojmë se ky ishte vend i adhurimit marian që nga shekulli i 17-të. Sipas traditës, shtegtimi i burrave bëhet në maj, ndërsa i grave, në gusht. Në Meshën e kryesuar nga kardinali Gerhard Müller, u kujtua posaçërisht skena e grave nën kryq. E pikërisht duke qëndruar nën kryq bëhesh i krishterë i vërtetë".