Françesku: paqe për vendet në luftë, pranë atyre që humbën gjithçka
R.SH. / Vatikan
Mendimet e Françeskut, në përfundim të audiencës së sotme përgjithshme, rikthehen edhe një herë tek vendet e copëtuara nga konflikti dhe nga dhuna. Papa, i shqetësuar për popullatat që jetojnë në vuajtje, mes vështirësive dhe dhimbjeve të rënda, ndalon për të kujtuar listën e tyre.
Të mendojmë për vendet në luftë, shumë vende në luftë. Të mendojmë për Palestinën, Izraelin, Ukrainën e martirizuar, të mendojmë për Mianmarin, Veriun e Kivusë.
"Shumë vende në luftë"- përsërit Papa - shumë! E më pas i lutet Zotit t’i ndalojnë armiqësinë dhe ndeshjet.
Zoti u dhëntë dhuratën e paqes
Papa Françesku e kujtoi Ukrainën edhe në përshëndetjet drejtuar besimtarëve polakë, të cilët për disa vite me radhë u dhanë "ndihmë të madhe samaritane refugjatëve të luftës dhe treguan mirëkuptim po aq të madh". Pasi i rikujtoi, i nxiti edhe t’i vazhdojnë veprat e tyre të mira:
Vazhdoni të jeni mikpritës ndaj atyre që humbën gjithçka dhe vijnë tek ju, duke shpresuar në mëshirën dhe ndihmën tuaj vëllazërore. Ju ndihmoftë Familja e Shenjtë e Nazaretit, së cilës në çast rreziku iu desh të kërkojë strehim në një vend të huaj.
Shën Augustini frymëzon vëllazërinë
Në ditën e kujtimit liturgjik të Shën Augustinit, gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve frëngjishtfolës, Papa i ftoi t’i luten, në mënyrë që të frymëzojë solidaritetin ndërmjet popujve:
“T'i lutemi Shën Augustinit, të cilin e kremtojmë sot, që detet dhe shkretëtirat të bëhen hapësira, në të cilat Zoti mund të hapë shtigjet e lirisë dhe të vëllazërisë”.
Kërkoje dijen e Zotit, si ipeshkvi i Ipponës
Më pas, duke iu drejtuar gjermanëve, Papa Françesku kujtoi "udhëtimin e gjatë shpirtëror të kërkimit", i cili e bëri Augustinin të kuptojë se sa shumë "na do Zoti dhe se zemrat tona të shqetësuara, në fund të fundit, vetëm tek Ai gjejnë prehje dhe paqe", duke u uruar "këtë përvojë të paqes së Zotit, e cila e tejkalon çdo inteligjencë”.
Së fundi, përpara bekimit përfundimtar, Papa na fton t’i përngjasim Shën Augustinit, të jemi “të etur për urti të vërtetë” dhe të “kërkojmë pa pushim Zotin, burimin e gjallë të dashurisë së përjetshme”.