Kërko

 Disa pjesëmarrës në Rrugën Kombëtare të Shoqatës Italiane të Guidave dhe Skautëve Katolikë (Agesci) në Verona Disa pjesëmarrës në Rrugën Kombëtare të Shoqatës Italiane të Guidave dhe Skautëve Katolikë (Agesci) në Verona  (ANSA)

Françesku, prijësve skaut: në bashkësi vëllazërore dhe në shërbim të më të pafavorizuarve

Në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve në Rrugën e Bashkësive Capi Agesci, që përfundon sot, më 25 gusht, në Veronë, Papa nënvizon rëndësinë e "angazhimit edukativ" të "fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, që duhen shoqëruar me dije dhe të mbështeten me dashuri”. Duhet formim i mirë, kujton Papa, e shton: "Trajnerët edukojnë së pari me jetën e tyre, shumë më tepër sesa me fjalë".

R. SH. - Vatikan

Shoqata e Prijësve dhe e Skautëve Katolikë Italianë duhet të jetë "palestër e jetës së krishterë, rast për bashkim vëllazëror, shkollë shërbimi për të afërmin, posaçërisht për më të varfërit e më nevojtarët": kjo është porosia e Françeskut, drejtuar përmes një mesazhi 18 mijë pjesëmarrësve në Rrugën e Bashkësive të Krerëve Agesci, që përfundon sot, 25 gusht, në Veronë. “Mos lejoni t’ju paralizojnë vështirësitë, por vihuni gjithnjë në kërkim të planit që Zoti ka për secilin”, u jep zemër Papa, i cili  i nxit edhe të mbushen me “entuziazëm të ri, nga besimi në Jezusin, mësues e mik, për të vazhduar, me gëzim, shtegtimin njerëzor e shpirtëror brenda Kishës,   edhe duke e dëshmuar Ungjillin në shoqëri”.

Një çast nga mbledhja e drejtuesve të skautëve italianë

Angazhimi arsimor kërkon formim cilësor

Në tekst, Papa nënvizon se sa delikat është "angazhimi arsimor" i drejtuesve të skautëve "për fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë, që duhet të shoqërohen me mençuri dhe të mbështeten me dashuri". Prandaj “përgatitja cilësore” është e domosdoshme dhe nevojitet “gatishmëri për t’i dëgjuar e për t’i vlerësuar të tjerët, parë si fushë në të cilën mbin dhe jep fryte ungjillëzimi”. Në praktikë, duhet të zhvillohet "aftësia e dëgjimit dhe arti i dialogut" - kujton Papa - që lindin nga "jeta në lutje, ku hyn në dialog me Zotin, ndalon në praninë e tij për të mësuar prej tij artin e dashurisë që dhurohet”, që jeta të mund të hyjë dalëngadalë “në harmoni me zemrën e Mjeshtrit”.

Skautët në Verona

Edukohesh më shumë me jetë, sesa me fjalë

Françesku kujton se "Jezusi dinte si të bëhej i pranishëm ose i papranishëm, dinte se cili ishte çasti për të korrigjuar, e çasti për të lavdëruar, për të shoqëruar - ose për t'i lënë Apostujt t’i bëjnë ballë sfidës misionare". Falë këtyre "stërvitjeve formuese” dishepujt  “nisën t’i bëjnë ballë pak nga pak jetës së tyre, pranë jetës së Zotit. Së fundi, Papa nënvizon se trajnerët edukojnë para së gjithash “me jetën e tyre, e jo me fjalë” dhe, si pasojë, “rritja e vazhdueshme njerëzore dhe shpirtërore” e tyre është “themelore” për  t’u shërbyer me sukses breznive të reja”.

25 gusht 2024, 11:12