INTENZIONI PREGHIERA PAPA SETTEMBRE INTENZIONI PREGHIERA PAPA SETTEMBRE

Françesku: ta dëgjojmë me zemër britmën e tokës

Në videomesazhin me ndjetet e lutjes për muajin shtator, periudhë që ndërthuret me Kohën e Krijimit, Papa i fton të gjithë të angazhohen për mbrojtjen e planetit. Përballimi i krizave ambientale të shkaktuara nga njerëzit "kërkon jo vetëm përgjigje ekologjike, por edhe shoqërore, ekonomike dhe politike".

R.SH. / Vatikan

Toka ka ethe. Papa e kujton tokën si të ishte njeri i sëmurë, për t’i sensibilizuar të gjithë lidhur me një temë, që tashmë është bërë shtyllë e  Papnisë së tij: mbrojtjen e planetit. Një veprim në të cilin duhet të  përfshihen të gjithë "në vetë të parë".

Toka ka ethe

Në video-mesazh, zëri i Françeskut përshkon pamjet e uraganeve, thatësirave, zjarreve, cunamit: duken njerëz që ikin nga katastrofat ambientale, migrantë ambientalë… një fëmijë që ecën mbi plasat e thella të tokës, që ka etje e, ashtu si fëmija, kërkon një pikë uji për të njomur buzën e tharë e të plasaritur… Përmes synimeve të lutjes për shtatorin, Papa Françesku bën një thirrje të fortë që, përballë provave, e nis duke pyetur para së gjithash nëse toka është shurdhuar e anestitizuar:

“Nëse masim temperaturën e planetit, do të shikojmë sakaq se Toka ka ethe. Se ndihet keq, si çdo i sëmurë. Po ne, a e ndjejmë këtë dhimbje? A  ndjejmë dhimbjen e miliona viktimave të fatkeqësive ambientale? Ata që vuajnë më shumë nga pasojat e këtyre fatkeqësive janë të varfërit, janë ata, që detyrohen të lënë shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve, valëve të të nxehtit a të thatësirës”.

Nevojiten përgjigje të integruara

Papa shikon gjithmonë shëndetin "e plotë" të qenies njerëzore, me të cilin duhet domosdoshmërisht të përkojnë përgjigje po aq të integruara, shumëdisiplinore, që kanë parasysh mjediset e kryqëzuara, ku ushtrohen veprimet tona dhe zgjedhjet tona. E me që gjithçka është e ndërlidhur,  Papës i pëlqen të përsërisë:

Të përballosh krizat mjedisore të shkaktuara nga njerëzit, si kriza klimatike, ndotja ose humbja e biodiversitetit, kërkon jo vetëm përgjigje ekologjike, por edhe sociale, ekonomike dhe politike. Ne duhet të angazhohemi për luftën kundër varfërisë dhe mbrojtjen e natyrës, duke ndryshuar zakonet tona dhe të bashkësisë sonë.

Koha e Krijimit

Thirrja e Papës ushton në prag të Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin e Krijimit (1 shtator) – sivjet me temë "Shpreso dhe vepro me krijimin" - e cila, nga ana tjetër, përuron Kohën e Krijimit (deri më 4 tetor), një nismë e organizuar nga Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Në këtë kohë Kisha tradicionalisht mobilizohet për të reflektuar mbi kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët. Për më tepër, ka shumë këmbana alarmi: vlerësohet, për shembull, se deri në vitin 2050, ndryshimet e pakontrolluara klimatike do të detyrojnë mbi 200 milionë njerëz të migrojnë brenda vendeve të tyre dhe do t’i katandisin 130 milionë vetë në varfëri.

Atë Fornos S.J.: tepër interesa na verbojnë, të zgjohemi!

Atë Frédéric Fornos S.J., drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, rrjet që realizon këto video mesazhe, na fton të kujtojmë tragjeditë e jetuara në shumë vende dy vitet e fundit: nga zjarret e pamasa të pyjeve në Kanada - deri tek ato, po aq shkatërruese, në Australi; nga përmbytjet katastrofike në Pakistan, të cilat përmbytën një të tretën e vendit - deri te përmbytjet e shpejta në Gjermani dhe Belgjikë; nga thatësira e madhe në Amazon, e cila kërcënon biodiversitetin unik të këtij rajoni - deri te nxehtësia ekstreme e regjistruar në Indi. Pandemia, komenton jezuiti, mund të kishte qenë kohë për të riorientuar shoqërinë tonë, por nuk e bëri këtë, "sepse shumë interesa na verbojnë". Të zgjohemi!

30 gusht 2024, 11:55